Sporti

Gjobë për trajnerin Benitez

Federata e Futbollit në Angli ka gjobitur trajnerin e Newcastle, Rafael Benitez, pasi ky i fundit tha fjalë të mira për një arbitër.

Qeveria e futbollit në Angli zyrtarizoi shifrën që do të duhet të paguajë trajneri spanjoll për deklaratat e tij, një gjobë që shkon në pak më shumë sesa 68 mijë euro.

Gjithçka është bërë konform një normative të re në kampionatin anglez të futbollit, që ka të bëjë me raportet mes futbollistëve, trajnerëve dhe arbitrave.

Në këtë normativë të Premier League nuk lejohet që dikush prej protagonistëve të fushës së lojës të bëjë komente për një arbitër, qoftë këto pozitive apo negative, përpara ndeshjeve, pasi ndikon në gjykimin e tij.

Këtë gabim bëri Rafael Benitez përpara ndeshjes me Crystal Palace, pas ankesave të Wilfried Zaha për tolerimin e arbitrave në fushën e lojës. Spanjolli përfitoi nga rasti për të thurrur elozhe ndaj Andre Marriner.

“Ka shumë eksperiencë, edhe pse statistikat me lojtarët tanë nuk janë më të mirat për sa u përket kartonave të kuq”, ishin fjalët e Rafael Benitez. “Kam besim të plotë tek ai, sepse është një arbitër i mirë dhe do ta gjykojë ndeshjen pa probleme”./Top Channel


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?