E martë, 26 Maj, 2020
Sporti

Gazeta gjermane: Kosova sa Hamburgu, por po e dominon futbollin evropian

Paraqitjet dhe ecuria fantastike e Kosovës çdo herë e më shumë po janë kryefjalë e disa prej artikujve në mediet e njohura evropiane.



Pas “The Guardian” edhe gazeta sportive gjermane “Ran.de” i ka kushtuar një artikull Kosovës me titull: Kosova, papritmas ekipi më i nxehtë në Evropë.

“Ran.de” si pikë referencë ka marrë fillimisht sulmuesin Milot Rashica i cili luan në Bundesligën gjermane dhe trajnerin Challandes.

IndeksOnline ju sjell shkrimin e plotë të gazetës gjermane:

“Tre vjet më parë, Kosova luajti ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare. Tani, skuadra rreth yllit të Werder Milot Rashica, është ekipi që më së gjati nuk ka pranuar humbje.



Cila është aktualisht skuadra më e mirë kombëtare në Evropë? Përgjigjet e zakonshme si Gjermania, Franca, Spanja, Portugalia apo Anglia janë krejtësisht të gabuara. Në fakt, thjesht nga rezultatet, ekipi kombëtar i Kosovës dominon futbollin evropian.

Për 14 ndeshje asnjë lojë nuk është humbur – ecuria më e mirë e të gjitha ekipeve kombëtare evropiane. Me fitoren 3: 2 ndaj Bullgarisë, skuadra rreth yllit të Werder Bremen Milot Rashica ka përfunduar verën me sukses. Goli i Elbasan Rashanit në minutat e fundit bëri që Kosova të shënoj fitoren e parë në Kampionatin Europian.

“Jam shumë i lumtur, një rezultat i shkëlqyer”, tha trajneri Bernard Challandes. “Ne kurrë nuk hoqëm dorë, na u desh të sulmonim, donim të shënonim, provuam gjithçka dhe meritonim këtë fitore, kjo nuk është një fitore normale, kjo është fitorja jonë e parë në kualifikimet për Kampionatin Europian”.



Zhvillimi i ekipit kombëtar kosovar i ngjan një përralle zanash të futbollit. Pas luftës civile dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, futbolli nga Kosova praktikisht nuk ekzistonte. Vetëm shtatë ndeshje jozyrtare u zhvilluan ndërmjet viteve 1993 dhe 2010.

LEXO EDHE:
Publikohet orari i ndeshjeve gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Kosova ka nën 1,9 milionë banorë, prandaj është e krahasueshme me Hamburgun. Por ka shumë futbollistë të rinj që largohen nga vendi si refugjatë dhe të cilët mund të vazhdojnë të luajnë për Kosovën. Ose lojtarë që thjesht kanë të drejtë të luajnë për disa kombe për arsye familjare.

Challandes ka arritur të krijojë një forcë të fuqishme me ndihmën e këtyre mundësive. Ka shembuj të tillë si Leart Paqarada, Fanol Perdedaj dhe Donis Avdijaj, të cilët u zhvilluan për ekipet e vogla gjermane dhe më pas u bënë lojtarë të ekipit kombëtar të Kosovës. Ose Milot Rashica, Paqarada dhe kapiteni Samir Ujkani, i cili më parë luajti për Shqipërinë. Shumica e lojtarëve në skuadër kanë një shtetësi të dyfishtë. Për shembull, pesë nga lojtarët kosovarë kanë rrënjë në Zvicër – vendin e trajnerit.

Në tetor, Challandes njoftoi se donte të përfundonte karrierën e tij në vitin 2020. “Unë jam 70 vjeç dhe pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kosovën është shansi im i fundit”.

Epo, ai ka mundësi që ta fitoj këtë shans.” /IndeksOnline/