Sporti

Futbollisti serb i ashpër: Do t’i kisha nokautuar Shaqirin e Xhakan

Zdravko Kuzmanovic, ish-përfaqësuesi i Serbisë, ka thënë se do t’i kishte nokautuar Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqiri nëse do të luante të premten në përballjen e vendit të tij me Zvicrën në Kupën e Botës, për shkak të festimit të tyre që i tërboi serbët para katër viteve në Rusi.

Zvicra dhe Serbia do të përballen të premten në një ndeshje vendimtare për t’iu bashkuar Brazilit në rrethin e 16 më të mirëve në Kupën e Botës në Katar, katër vite pasi Xhaka dhe Shaqiri festuar duke e bërë shqiponjën me duar, pasi shënuan për ta mposhtur Serbinë në Rusia 2018.

Duke folur para përballjes së dytë radhazi në Botëror mes tyre, Kuzmanovic, i cili ka pasaportë serbe dhe zvicerane, tha se do të tregohej i dhunshëm ndaj dyshes me prejardhje nga Kosova.

“Gjesti i festimit me shqiponjën dykrenore ishte thjesht i turpshëm, shumë keq. Duhet ta ndash sportin nga politika, e këta dy djem nuk e bënë këtë. Sikur të isha ende lojtar i Serbisë në këtë Botëror, do ta kisha nokautuar Xhakën apo Shaqirin”, tha Kuzmanovic për 20 Minuten në Zvicër.