Sporti

E dhimbshme: Vdes ish-futbollisti Sadik Rrahmani

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se ka vdekur ish-futbollisti dhe gjyqtari, Sadik Rrahmani.

FFK-ja i shprehu ngushëllime familjes Rrahmani. Sipas njoftimit, Rrahmani “si futbollist u shqua me talentin dhe lojën e tij të jashtëzakonshme në fanellën e Trepçës dhe atë të Prishtinës, por edhe disa klubeve tjera, teksa pas përfundimit të karrierës si lojtar i shërbeu futbollit tonë me përkushtim edhe si gjyqtar”.

“Me profesionalizmin dhe autoritetin e tij, Sadiku edhe si gjyqtar ishte ndër më të respektuarit në vendin tonë. Në vitet e fundit, ai dha kontributin e tij si anëtar në Komisionin e delegimit të gjyqtarëve në FFK, duke ndihmuar në rritjen e standardit të ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë, teksa përvojën e tij si futbollist e barti tek gjeneratat e reja të Trepçës edhe si trajner”, thuhet në kumtesën e FFK-së.

FFK-ja theksoi se vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi.

“Vepra dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë dhe do të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja. Sadiku ishte njeri i urtë, punëtor i palodhshëm dhe personalitet me vlera të mëdha humane, andaj si i tillë do të kujtohet përherë. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”.