Sporti

‘Dardanët’ humbin nga Irlanda e Veriut, nuk arritën ta mbajnë epërsinë e krijuar

Kosova edhe pse ishte në epërsi, në fund u desh të pajtohet me humbjen ndaj Irlandës së Veriut me rezultat 2-1 në kuadër të Ligës C, Grupit të 2-të. Që në start Florent Muslija gjuan bukur, por Bailey Peacock-Farrell mbron, ndërsa Milot Rashica nuk përfiton nga afër.

Në minutën e 10-të Kosova edhe tjetër rast të mirë kur Elbasan Rashani harkoi në zonë, Milot Rashica gjuan plogësht, ndërsa topin nuk e arrin as Bersant Celina më kokë.

Rastet nuk u ndalën dhe në minutën e 13-të, Vedat Muriqi fiton një duel me kokë, topi vije te Fidan Aliti, i cili gjuan mbi portë.

Muslija rrezikoi bukur në minutën e 23-të me një goditje dënim, por portieri Peacock-Farrell ishte në vend.

Pas këtyre rasteve, loja ra paksa, me irlandezët verior që ishin të kujdesshëm në prapavijë.

U desh të pritej minuta e 36-të, për të parë një tjetër rast të mirë, kur Celina harkoi në zonë dhe gjeti kokën e Rashanit, gjuajta e të cili përfundoi mbi tra.

Vetëm pas një minute vendasit kishin rastin e tyre më të mirë, kur pas një gabimi të Alitit, sulmuesi Dion Charles gjuan, por mbron Aro Muric.

Irlanda e Veriut rrezikoi sërish me Charles në minutën e 43-të, por sërish në vend ishte Muric.

Pas një pjesë të parë shumë të mirë, Kosova i ka marr frytet e para vetëm në pjesën e dytë.

Zhvillohej minuta e 58-të, kur Donat Rrudhani pason te Vedat Muriqi, i cili me fuqinë e tij shmang John Evansin dhe me një goditje të fuqishme nga 20 metra shënon për 1-0.

E veçanta e golit ishte se Muriqi gjuajti me këmbën e djathtë, që nuk është këmba e tij e preferuar për të gjuajtur.

Pas golit Irlanda e Veriut tentoi të rrezikojë, por goditja me kokë e Evans u largua nga vija me Muriqin.

Sërish në rast në minutën e 65-të vendasit, ku Josh Magennis gjuajti me kokë, por Aro Muriq pret, ndërsa top godet transversalen për tu larguar pastaj nga Aliti.

Loja për disa minuta ra, me Kosovën që kishte rast të shtonte epërsinë në minutën e 82-të, kur Muriqi i vetëm me portierin gjuan, por në duart e tij.

Në atë aksion Irlanda e Veriut niset në kundërsulm, ndërsa një top i gjatë nuk largohet mirë nga Fazliji, duke i zënë në pozitë të mirë vendasit, ku Shayne Lavery, mori topin dhe u fut në zonë, pasoi te Gavin Whyte që shënoi për 1-1.

Kosova ka mundur të kthejë epërsinë, në minutën e 87-të, kur Rrudhani harkoi në zonë, topi ndalet nga Muriqi, i cili nga afër gjuan shumë mbi portë.

Sërish super rast për Kosovën, me Muriqin që asiston te Zymer Bytyqi, i cili i vetëm me portier godet në trupin e tij dhe topi shkon në këndore.

Në minutën e fundit të kohës shtesë Arbër Zeneli depërton bukur, gjuan fuqishëm, por jashtë.

Kur nuk i konkretizon rastet pason dënimi. Kjo i ndodhi Kosovës, kur në kohën shtesë white harkoi në zonë dhe Josh Magennis shmang Fazlijin për të goditur me kokë dhe për të shënuar për 2-1.

Kosova mbetet e dyta me 6 pikë, ndërsa Irlanda e Veriut tani është e treta me 5 pikë. /Telegrafi/