Sporti

Chelsea e fiton Ligën e Evropës për herë të dytë në histori, pasi turpëron Arsenalin në finale

Chelsea e ka fituar Ligën e Evropës për herë të dytë në histori të klubit, pasi e mundi bindshëm 4:1 rivalin londinez, Arsenalin në finalen e 2019-es të mërkurën në Baku.



Eden Hazard me dy gola, të cilat mbase janë të fundit në fanellën e kaltër në karrierën e tij, Olivier Giroud dhe Pedro nga një herë e frymëzuan skuadrën e Maurizio Sarrit drejt triumfit në Evropa Ligë në sezonin e parë të italianit në stolin e Chelseat, raporton Gazeta Express.

Ndërkohë, për Arsenalin, për të cilin Granit Xhaka luajti titullar e Shkodran Mustafi u la në stol, humbja në finale përbën zhgënjim të dyfishtë pasi përveç se nuk ia doli ta fitojë trofeun, skuadra e Unai Emery dështoi ta sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, të cilin kishte dështuar ta bënte përmes top katërshes në Premierligë.

Ky është trofeu i dytë i Chelseat në Ligën e Evropës brenda gjashtë vjetësh, pas atij në vitin 2013.

Pas një pjesë të parë zhgënjyese dhe më pak raste, 45 minutat e dytë dhuruan shumë gola dhe emocione.


Giroud e hapi serinë e golave kur shënoi me kokë pas një harkimi nga Emerson në minutën e 49-të.

Arsenali i pranoi edhe dy gola të tjerë brenda pesë minutave. Pedro e dyfishoi epërsinë pasi u shërbye nga Hazard, i cili e trefishoi epërsinë vetëm pesë minuta më vonë.

Një fije shprese Arsenalit i dha Iwobi duke e realizuar golin e mbrëmjes me vollei rreth 20 minuta para fundit.

Por, goditjen e fundit “Topçinjve” ua dha Eden Hazard me golin e dytë personal dhe të katërtin për Chelsean në minutën e 72-të.