Sporti

Challandes zbulon se çfarë iu tha lojtarëve pas pjesës së parë

Bernard Challandes ka zbuluar se i kishte nxitur lojtarët e Kosovës pas pushimit mes pjesëve që të vazhdonin të luftonin kundër Anglisë, me gjithë se po humbnin 5:1 pas 45 minutave të parë.

Kosova i pranoi pesë gola në pjesën e parë, përfshirë tre brenda shtatë minutave në një pjesë lojë që prodhoi plot gjashtë gola.

Por, në pjesën e dytë, djelmoshat dardanë u rikthyen dhe luftuan duke i shënuar dy gola, megjithëse nuk ia dolën ta barazonin rezultatin.

Në fund, Anglia e mundi Kosovën 5:3 në stadiumin St Mary’s të Southamptonit, duke e forcuar vendin e parë në Grupin A me pikë maksimale nga katër ndeshje, raporton Gazeta Express.

Kosova e pësoi humbjen e parë pas plot dy vjetëve dhe të parën pas 14 ndeshjeve nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes.

I pyetur pas ndeshjes se si i kishte motivuar lojtarët pas pushimit mes pjesëve, Challandes tha se vetëm ua kishte rikujtuar se Kosova nuk dorëzohet.

“Lojtarëve iu thashë se jemi Kosova dhe ne nuk mund të dorëzohemi”, tha Challandes.

Kombëtarja dardane bie në pozitën e tretë në grup me një pikë më pak se Republika e Çekisë, pas humbjes ndaj anglezëve për të cilën përgjegjësinë e mori Challandes. /Gazeta Express/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?