Sporti

Atleti i i fitnesit dhe bodybuilding’it, Ermal Elezi, pret ndihmën e shtetit për të vazhduar me rezultate kulmore në botë

Ermal Elezi, atleti i fitnesit dhe bodybuilding’it nga Gjilani, që në herën e parë që ka marrë pjesë në një garë prestigjioze, ka rrëmbyer çmim.

Elezi, në një konkurrencë tejet të fortë, ka rrëmbyer vendin e tretë në garën Daimod Cup të nivelit ndërkombëtar, të organizuar nga Federata e Fitnesit dhe Bodybuilding’ut Botëror (IFBB),e cila kësaj radhe është mbajtur në Maqedoni.

Në një bisedë për Pista.News, atleti nga Gjilani tregon për fillet e tij të karrieres në këtë sport, për të cilin thotë se është jashtëzakonisht i shtrenjtë.

“Qysh në fillimet e hershme kam qenë i pasionuar për sportin, e konkretisht futbollin. Me futbollin filloi gjithçka mirë dhe kur të gjithë prisnin rezultate pozitive nga unë ishte një lëndim i rëndë i cili detyrimisht më largoi ky sport.Studimet e mia në Fakultetin e Shkencave Sportive sikur edhe dëshira që të kam një trup prej atleti dhe, mbi të gjitha estetikë, filloi e u shndërrua në passion e në stil të jetës tani e 11 vite”, thotë alteti kosovar, Ermal Elezi, duke treguar edhe për ftesën që t’i bashkohet një gare në Portugali.

“Para disa ditëve më ka marrë në telefon sekretari i Federatës së Fitnesit dhe Badibildingut të Kosovës, z. Sabri Dragusha i cili ma ka konfirmuar ftesën për garën e radhës në Portugali. Shfrytëzoj rastin të përshendes kryetarin e Federatës z. Esat Lata dhe sekretarin, Sabri Dragusha, për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë dhe punën brilante që po e bëjnë”.

Për të arritur suksese edhe në të ardhmen, Elezi pret mbështetjen e shtetit, kur dihet që ky sport është shumë i shtrenjtë.

“Synimi im është të arrij suksese edhe në garat e radhës dhe të arrij nivelin e sportistëve kulminant botëror dhe të përfaqësoj denjësisht shtetin tonë, Kosoven dhe vendlindjen time Gjilanin, si Qytet i Sportit”, ka thënë ai për Pista.News.