Sporti

Ardian Kozniku në Paper Radio tregon eksperiencën e tij si trajner dhe nëse ka marrë oferta nga skuadra të tjera

Në emisionin “91 Plus” ishte mysafir Ardian Kozniku, i cili kishte qenë medialist i bronztë me Kombëtaren e Kroacisë në vitin 1998, kurse tani është ndihmëstrajner dhe kampion me skuadrën Al Arabi.

Kozniku tregoi se çfarë eksperience ishte për të që të shpallej kampion me skuadrën Al Arabi.

“Një eksperiencë shumë e mirë për shkak se me të vërtetë futbollin në Kuvajt nuk e kam njohur, por me futbollistët mund që shumë shpejt të stabilizohesh, mund të them që është një ligë e fortë nuk është e njohur në Evropë por në Azi është mjaft e njohur, e ku ka edhe klube shumë të mira. Kampion mund të them se është një klub me traditë shumë vjeçare mirëpo që 19 vite nuk kanë arritur që të shpallen kampion dhe ky është një sukses i madh”, tha Kozniku.

Ardian Kozniku në Paper Radio bëri të ditur nëse klubeve të Kuvajtit ju lejohet që të kenë edhe futbollistë të huaj.

“Në çdo ekip në Kuvajt lejohet që të kenë 5 futbollistë të huaj, ne kemi disa futbollistë nga Siria, Palestina dhe me të vërtetë kanë talent fantastik. Nga ana teknike i gjithë ekipi është fantastik por kishte munguar disiplina taktike por jemi mundu që t’i korrigjojmë dhe ta kenë edhe diciplinën taktike”, tregoi Kozniku.

Kozniku përveç tjerash dha detaje nëse ka oferta nga klube të tjera për pozitën e trajnerit.

“Unë kam ndërpre karrierën e futbollit në vitin 2002 kurse më 2004 jam regjistruar si trajner nga UEFA. Këto 17 vite si trajner i kam kaluar me të gjitha gjeneratat dhe pasi jetoja në Kroaci ishte më lehtë që të gjeja punë, kurse jam krenar që kam qenë trajner i përfaqësues U19. Tani për momentin jam në Kuvajt, presim që të vazhdojmë atje, nuk po them se kam shumë oferta por jemi të fokusuar në klubin që jam. Për momentin nuk jam duke u interesuar për ndonjë klub tjetër, por jam i fokusuar në klubin që jam”, deklaroi Kozniku.

“Jam krenar për vitin e parë që kam ardh në shtet të panjohur por që në fund kemi arritur sukses, e që është gëzim i pazëvendësueshëm. Jam krenar që kam punuar me futbollist të mëdhenj si Mandzukic, jam krenar që kam qenë me Shkëndijën.

Por, gëzimi më i madh është shpallja tani kampion me klubin e Al Arabit”, tha Kozniku.

Kozniku karrierën e tij e kishte filluar tek Vëllaznimi i Gjakovës kurse më vonë kishte luajtur për Prishtinën, për t’u transferuar më vonë te skuadra kroate Hajduk Split.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?