ShowBiz

Pse estrada jonë i trajton 1.8 milion kosovarë si budallenj?

Ndoshta sepse besojnë se kapaciteti i popullatës civile është deri aty dhe andaj duhet ta ulin nivelin artistik për të qenë gjithëpërfshirës.

Apo, ndoshta thjesht nuk janë aq të mirë në atë që bëjnë dhe deri aty është potenciali artistik i tyre, kush e di…

Sidoqoftë, vështirë i kuptueshëm degradimi i artistëve/këngëtarëve tanë deri në këtë nivel, marrë parasysh benefitet dhe mundësitë financiare që u ofrohen për të sjellë materiale në hap me vendet e tjera të Rajonit.

Sinqerisht, është e vështirë të kritikohet gjithçka por kanë kaluar kaq shumë vite dhe askush nuk ka thënë asnjë fjalë. Ndoshta në pritje të përmirësimit të situatës, ndoshta për shkak të depresionit kronik që sjellë të qenurit shteti më i izoluar në Evropë… fjalët kanë qenë të pakta.

Dorën në zemër, e kuptojmë për disa në estradë shkrimet e tilla nuk janë lajm i mirë.

E kuptojmë se deri tash ata kanë qenë në një zonë tejet komode, teksa askush nuk ka pasur kohë e vullnet të merret në detaje me përmbajtjen që ata hedhin në treg.

Ndoshta, përgjegjësia është e medieve po aq sa është edhe e tyre. Thjesht nuk lexojmë e as nuk shohim asgjë përmbajtësore në ditët e sotit, sidomos kur ka të bëjë me artin dhe estradën.

Krejt çka sheh njeriu kur një këngëtar hedh në treg ndonjë material është ”(emri/mbiemri) vjen me hitin e ri të verës”, e gjëra të tilla. Sikur miliona klikime dhe ekipet masive të marketingut që kanë nuk u ndihmojnë, edhe gazetat vendosin t’i jepin një shtytje, nganjëherë pa ndonjë arsye të qartë por vetëm pse ndonjë gazetar që punon në ndonjë X redaksi ka mbetur pa lajme dhe hedh një copy-paste të shpejtë në rrjet.

Disa shkrime përmbajtësore janë publikuar nga Redaksia e Periskopit në lidhje me degradimet e estradës, dhe ankesat e telefonatat për t’i fshirë ato, nuk kanë rreshtur.

Vërtetë interesante bota në të cilën jetojnë apo pretendojnë të jetojnë artistët tanë… i duan të gjithë, i përkrahin shumica – sa për të mos thënë të gjitha – e medieve, nuk paguajnë taksa dhe në fund nuk mund ta përballojnë një shkrim kritikues.

Ajo që na kë lënë përshtypje gjatë kësaj kohe është edhe reagimi i audiencës pas publikimit të disa artikujve, t’i quajmë, vetëdijësues.

Një pjesë e madhe e komentuesve kanë fyer e kanë bërë sharje nga më denigrueset, sepse ne kemi vendosur t’i themi STOP abuzimit të artistëve me popullatën. Mungesa e kritikave konstruktive dhe, në anën tjetër, projektet anti-artistike kanë qenë në periudha aq të gjata, sa që tash duket e çuditshme dhe paksa ‘tabu’ të jepet ndonjë kritikë për ata që fundja pasurohen nga popullata më e varfër në Rajon.

E heshtja e medieve dhe ‘kotja’ e audiencës i konvenon më së shumti estradës sonë, e cila ndërkohë vazhdon ta ‘mjelë’ popullatën, e paprekur dhe e kursyer nga gjithçka dhe çdokush që nuk pajtohet dhe nuk pranon ta ‘blejë’ për art, se veç art nuk është.

Tayna së fundmi paska thënë: ”Tri koncerte i boj n’natë, kështu që xhepi s’o kurrë i thatë.”

Hmm… medojmë fizikisht dhe mentalisht, si është e mundur kjo?

Një performancë kërkon orë të tëra përgatitje e përkushtimi në mënyrë që publiku të marrë me bollëk atë që e kërkon nga artisti. Por jo, askujt nuk i intereson shumë për atë gjë, aq më pak këngëtarit/es që sigurisht se, sikur të mundte, do t’i bënte edhe dhjetë koncerte për natë, jo që do ta mendonte shumë nivelin e paraqitjes në publik.

Prandaj, vijmë te pyetja, pse kjo estradë na trajton si injorantë dhe budallenj? Veç disave, rrallëherë shohim se ata vërtetë krijojnë diçka për të cilën ia vlen të humbim kohë dhe të kemi qoft edhe një mendim, pozitiv apo negativ.

Albumi është letërnjoftimi i çdo artisti, por në Kosovë shumë pak gjen praktikë. Sigurisht, një album kërkon shumë punë, vullnet e përkushtim, e që ndoshta financiarisht do ta kishte efektin e njejtë me metodën që përdorë sot estrada jonë… këngë-klip, këngë-klip pa ndonjë plan konkret apo afatgjatë, domethënë mjelje gjenerale për një periudhë, para se të fiken përgjithmonë.

Për të qenë të sinqertë, mungesa e albumeve ka qenë më së shumti evidente te këngëtaret (femrat), pasi burrat deri diku janë munduar të sjellin kualitet dhe projekte ku janë përfshirë më shumë se dhjetë këngë. (Na vjen keq, nuk ka të bëjë me luftë gjinore dhe dënojmë ashpër gjuhën seksiste, por këtu kemi të bëjmë me diçka që nuk njeh gjini, moshë e kufij).

Në fakt, para projektit ‘MM’ nga Rina dhe SinBoy – i cili ka disa këngë brilante meqë ra fjala, dëgjojeni kur të keni mundësi – kishim harruar kur një artiste femër kishte sjellur një album.

Nuk kemi asgjë kundër trendit të aktivizimet të tyre në hip-hop kohëve të fundit, por për shumicën prej nesh jeta nuk është vetëm aheng e tundje nëpër videoklipe.

Për t’u lidhur njëmend me një artist dhe për të krijuar njëfarë simpatie afatgjate, jo sezonale, një fans i mirfilltë dëshiron të dëgjojë edhe anën emocionale të artistit… dëshiron ta dëgjojë e ta shohë versionin e tij kur ai/ajo nuk është duke hapur shampanja, dhe duke reklamuar rrobat e veturat e shtrenjta… dëshiron ta shohë edhe atë pjesën që na bën të gjithëve njerëz.

E pamundur t’i mendojmë artistët që ne i idolizojmë sikur nuk janë qenie njerëzore si gjithë ne të tjerët, dhe se ata nuk ndihen keq kurrë, nuk janë përballur asnjëherë me depresionin dhe pasigurinë sociale, nuk janë ndjerë të turpëruar e të poshtëruar… nëse të gjitha këto i transmetohen një fansi që po përballet me problemet e njejta, imagjinoni çfarë ndihmese për ta do të ishte ta dinin se idhulli i tyre ka apo ka pasur problemet e njejta si vetë ata. Fundja, nëse kjo anë injorohet dhe nuk paraqitet fare sikur nuk ekziston te ta, i bie se të gjithë ne kemi qenë dhe jemi pjesë e një gënjeshtreje të madhe.

Ngritje kapelash për ‘Duro’ nga Dafina Zeqiri.

Por, mos të keqkuptohet, jo që jemi kundër projekteve festive e dëfryese, mirëpo, të ketë sado pak njëfarë balanci mes mishërimit me anën emocionale dhe asaj festive.

Megjithatë, kur ana emocionale është më e rrallë se pinguini në Saharë, e këndej shohim tërë kohën ato që po i shohim edhe tash, atëherë detyrohemi të pyesim… pse estrada jonë i trajton 1.8 milion kosovarë si budallenj? /Periskopi.com/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?