Shkencë

Nga thellësia e Tokës vjen revolucioni energjetik që mund të ndryshojë ekuilibrat botërore

Konflikti në Ukrainë e ka bërë tashmë të qartë domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve natyrore, mundësisht duke shmangur ato në pronësi të vendeve problematike, në mos armiqësore, në syrin e komunitetit ndërkombëtar.

Problemeve gjeopolitike, i shtohen edhe ato teknike. Nafta dhe gazi natyror nuk janë pa limit, energjitë e rinovueshme varen shumë nga kushte atmosferike dhe shpeshherë teknologjitë që i mundësojnë janë ose problematike, si në rastin e centraleve bërthamore, ose tejet të kushtueshme dhe që nuk mbulojnë tërësisht nevojat, si në rastin e energjisë diellore.

Por në vitet në vijim, jo shumë larg, mund të jemi dëshmitarë të një revolucioni të vërtetë energjetik, që do të mundësojë një energji praktikisht të pashtershme në çdo vend të planetit, dhe modifikimin e shumë ekuilibrave të vendosura pikërisht nga burimet energjetike.

Energjia gjeotermike përdoret prej kohësh nga vende vullkanike si Islanda

Bëhet fjalë për energjinë gjeotermike, e cila përdoret prej kohësh nga vende vullkanike si Islanda, por që falë një teknologjie të re të ideuar nga Quaise Energy, e përbërë nga studiues të universitetit prestigjioz MIT në SHBA, mund të shfrytëzohet nga çdo vend.

Parimi i gjeotermisë është shfrytëzimi i ngrohjes që vjen nga thellësia e tokës. Sa më afër i afrohesh bërthamës së planetit tonë, aq më shumë rriten temperaturat. Deri më tani, shpimi më i thellë në histori është ai i kryer në Rusi, që ka arritur 14 kilometrat. Një thellësi e madhe, që ka nevojitur dy dekada mundimesh për studiuesit e Moskës.

Por teknologjia e re amerikane mund të përshpejtojë në mënyrë të pamenduar më parë këtë arritje. Sipas Quaise Energy, sistemi i ri hibrid, i bazuar në përdorimin e valëve elektromagnetike, mund të shkërmoqë edhe shtresat më të thella dhe të forta të shtresave tokësore, me një ritëm që i afrohet 70 metrave në orë, duke arritur edhe 20 kilometrat në rreth një muaj punë, duke krijuar disa “puse” ose më mirë tubacione me diametër 5 centimetra. Në atë thellësi, temperaturat arrijnë rreth 500 gradët celsius, më se e mjaftueshme për t´u përdorur për ngrohjen dhe pjesën më të madhe të synimeve industriale.

Teknologjia që po eksperimentohet nga amerikanët e Quaise Energy

Sipas studiuesve, arritja e thellësive të tilla, nuk do të shkaktonte tërmete ose pasoja të rënda për planetin, ndërkohë që do të përmirësonte dukshëm situatën energjetike të pothuajse çdo vendi në planet. Falë lëshimit me presion 221 bar në këto tubacione të atij që njihet si “ujë iperkritik”, me temperaturë të paktën 374 gradë celsius, çdo central energjetik që më parë funksiononte me qymyr ose gaz natyror mund të dhjetëfishonte të paktën kapacitetin e vet, me një kosto shumë të ulët.

Teknologjia e re premton krijimin e disa “puseve” ose më mirë tubacioneve me diametër 5 centimetra, në një thellësi deri në 20 kilometra

Kjo nuk është thjesht teori, dhe hapja e termocentralit të parë me këtë teknologji, me kapacitet 100 MW, parashikohet nga MIT brenda vitit 2026, por ngjarjet e fundit dhe përplasja e Uashingtonit me Moskën mund të përshpejtojnë dukshëm fillimin e punimeve./A2cnn


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?