Shkencë

Kometa pranë Tokës këtë muaj, për herë të parë që nga epoka e Neandertalit

Një kometë e zbuluar nga një teleskop i Kalifornisë në Mars 2022, C/2022 E3 (ZTF), do të kalojë relativisht afër Tokës gjatë këtij muaji dhe madje mund të jetë e dukshme me sy të lirë deri në fund të muajit.

Kometa do të bëjë afrimin e saj më të afërt me Diellin më 12 janar në një distancë prej rreth 160 milionë kilometrash prej tij. Më pas ajo do t’i afrohet planetit tonë, ku pritet të arrijë distancën më të afërt prej 42 milionë km më 1 ose 2 shkurt.

Sipas NASA-s , Hëna e Re më 21 janar ofron një mundësi për të vëzhguar kometën në qiellin e natës.

Kometa vlerësohet të ketë një periudhë prej rreth 50,000 vjetësh, që do të thotë se herën e fundit që iu afrua Tokës, Neandertalët ishin ende gjallë dhe paraardhësit tanë Homo sapiens ishin shfaqur gjithashtu. Sigurisht, edhe sikur ta kishin parë, nuk do ta kuptonin se për çfarë bëhej fjalë.

Imazhet më të fundit të C/2022 E3 – i cili fillimisht dukej si një asteroid, por më pas filloi të shkëlqejë – tregojnë se ka një bisht të artë të dallueshëm dhe një shtëllungë gazi dhe pluhuri të kaltërosh-gjelbër.

Kometa është e dukshme me teleskop dhe dylbi të fuqishme kur qielli është i pastër në mbrëmje.