Shëndeti

Varianti i ri i COVID-19, këto janë simptomat

Varianti Delta Plus i COVID-19 i cili ka filluar të përhapet në shumë shtete tjera, është identifikuar edhe në Kosovë. Ky variant është vlerësuar si më i transmetueshëm se ai Delta, e po ashtu bart të njëjtin rrezik për shtrimin në spitale, shkruan Gazeta Express.

12 raste të variantit Delta Plus të COVID-19, i cili vlerësohet edhe më i transmetueshëm se ai Delta janë identifikuar në Kosovë.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur sot se nga 70 mostra pozitive të COVID-19, të dërguara për analizë në Gjermani, 12 kanë rezultuar të kenë qenë me variantin Delta Plus.

“Nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%)”, është bërë e ditur nga MSH.

Por çfarë duhet të dimë dhe sa i rrezikshëm është ky variant?

Varianti Delta Plus i COVID-19 apo i njohur si varianti AY.4.2 është një mutacion i variantit Delta.

Ai është identifikuar për herë të parë në korrik të këtij viti në Britani. Edhe pse ky variant ende është duke u monitoruar, ai është konsideruar si ndër variantet më shqetësuese të koronavirusit.

AY.4.2 ka shkaktuar alarm pasi që rastet e infektuara me të po rriten në Mbretërinë e Bashkuar e në shtete tjera.

Pesë mutacione specifike vlerësohet se janë më të përhapura në variantin Delta Plus të COVID-19 në krahasim me variantin Delta.

Varianti AY.4.4 është konsideruar të jetë për 10 për qind më i transmetueshëm se varianti Delta i COVID-19, i cili është më i transmetueshëm se variantet tjera.

Ndërsa, ai është konsideruar se bart të njëjtin rrezik të shtrimit në spital si varianti Delta.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky variant rrezikon më shumë shëndetin e të infektuarve se variantet tjera, pavarësishtë transmetimit më të shpejtë.

Ashtu si variantet tjera të COVID-19, edhe simptomat e të infektuarve me këtë variant janë të njëjta: Temperaturë, kollë, lodhje, humbje të shijes, dhimbje të kokës..

Varianti Delta dhe ai Delta Plus mund të shkaktojnë sëmundje e po ashtu edhe vdekje.

Për t’u mbrojtur nga ky variant është shumë i rëndësishëm vaksinimi i popullsisë.

Vaksinat janë treguar efektive në mbrojtjen ndaj të gjithë varianteve të COVID-19 andaj janë vlerësuar si efektive edhe ndaj këtij varianti.

Ndërsa, për të mos u ekspozuar ndaj variantit Delta Plus të COVID-19 kërkohet nga qytetarët që të mbajnë maskën, distancën e higjienën.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?