Shëndeti

Për dy muaj në QKUK harxhohen mbi 12 mijë tableta të ilaçit Favipiravir, pacientët me Covid e blejnë atë 58 euro

Në muajin shtator të këtij viti, shteti japonez i kishte dhuruar Kosovës 12.200 tableta të llojit Favipiravir. Por, vetëm dy muaj pas kësaj, Kosova ka mungesë të këtij medikamenti shumë të rëndësishëm për trajtimin e pacientëve të infektuar me Koronavirus, shkruan Gazeta Objektiv.

Në barnatoren e QKUK-së ky ilaç është në mungesë. Për këtë qytetarët detyrohen ta blejnë atë jashtë QKUK-së me një çmim prej 58 eurove.

Mungesën e këtij ilaçi, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës (MSh) e ka arsyetuar me faktin se ai i është shpërndarë Klinikave të QKUK-së si dhe Spitaleve Rajonaleve.

Ky institucion shëndetësor, përveç njoftimit për donacion nga Japonia, nuk ka dhënë detaje tjera nëse janë bërë porosi tjera për ta siguruar sërish atë.

E, në mungesë është edhe ilaçi tjetër Remdesiviri, që është në protokollin për trajtimin e pacientëve me CoViD-19.

“MSh ka siguruar përmes Qeverise se Japonisë si donacion 12 200 tableta Favipiravir, të cilat i janë dhënë SHSKUK-së (QKUK dhe spitaleve rajonale). Remdesivir është ne procedura të sigurimit”, thuhet në përgjigjen e MSh-së dërguar Gazetës Objektiv.

Por, ndryshe nga Ministria e Shëndetësisë, Spitalet Rajonale i kanë thënë Objektivit se këtë bari nuk e kanë në dispozicion. Madje, ata thonë se vetëm në raste specifike i bëjnë kërkesë QKUK-së për ta siguruar Favipiravirin.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala deklaroi për Objektiv, se asnjërin prej këtyre medikamenteve nuk e kanë në spital.

“Ne në stoqe nuk i kemi asnjërën. Favipiraviri është në QKUK në depo qendrore. Ne në bazë të kërkesave e lypin në QKUK. Ne Favipiravirin nuk e kemi përdorur, për shkak se mjekët tanë nuk e kanë në protokoll, nuk e aplikojnë. As Remdesiviri nuk është përdorur”, ka bërë të ditur Shala për Objektiv.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri tha për Objektiv se me ilaçin Favipiravir kanë qenë vetëm në fillim të furnizuar por jo edhe më pas.

Kësisoj, Zeqiri ka treguar se me medikamentin tjetër për trajtimin e pacientëve me Koronavirus, Remdesivir nuk kanë qenë fare të furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Me Remdesivir nuk jemi të furnizuar. Edhe me sugjerime të OBSH-së nuk po e preferojnë këtë medikament me u përdorur. Nëse e kemi ndonjë pacientë që është në fazë fillestare të infektimit me CoViD, ne mundemi me ja sugjeruar me ble, mirëpo me Favipiravir kemi qenë të furnizuar vetëm në fillim”, ka potencuar Zeqiri.

Në Spitalin e Gjilanit kanë deklaruar se nuk janë të furnizuar rregullisht me ilaçin Favipiravir.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli ka bërë të ditur për Objektiv se me ilaçin tjetër Remdesivir nuk janë fare të furnizuar.

Ai madje, u shpreh se aktualisht nuk e kanë të konfirmuar nëse do të vazhdojnë ta përdorin atë, meqë ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka këshilluar që mos ta përdorin këtë medikament.

“Favipiravir jemi të furnizuar në bazë të përshkrimit që e bëjmë dhe sasisë që mundemi me marrë. Me Remdesivir nuk jemi të furnizuar. Ne gjithmonë bëjmë furnizim sipas listës që e kemi. Remdesivir për momentin nuk e kemi të konfirmuar që me vazhduar me përdorur. Ne zyrtarisht nuk jemi duke e përdorur këtë medikament”, u shpreh Ismajli.

E drejtoresha e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Lindita Ajazaj-Berisha tha për Objektiv se klinika që ajo drejton është e furnizuar me ilaçin Favipiravir.

Ajo madje, për dallim nga MSh-ja që nuk kanë treguar nëse janë duke tentuar ta sigurojnë atë, Ajazaj-Berisha tha se pritet ndërkohë furnizimi me këtë medikament. Ndërsa, për ilaçin tjetër Remdesivir ajo nuk ka pranuar të flas.

“Ne jemi të furnizuar me Favipiravir. Ndërsa me Remdesivir nuk jemi. Pritet ndërkohë të furnizohemi edhe me Remdesivir”, tha drejtoresha e Infektives. /Objektiv/


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?