Shëndeti

Mjeku kosovar fiton çmim e më të mirit në Kroaci, dyert e tij të hapura për pacientët nga Kosova

Nuk janë të pakët mjekët kosovarë, të cilët kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në profesionin e tyre dhe jashtë vendit. Njëri ndër ta është dhe Dr.Franë Marleku nga Klina, i cili në Zagreb të Kroacisë ka marrë çmimin si doktori më i mirë për vitin 2022.

Dr. Franë Marleku i cili punon si specialist i radiologjisë në Qendrën Klinike “Motrat e Mëshirës”, në Poliklinikën “Peric-Stanicic”, këtë çmim e mori bazuar në vlerësimin e pacientëve.

Marleku i cili është specialist i radiologjisë dhe nën specialist i Ultrazërit, në një intervistë për “IndeksOnline“, thotë se ndihet i nderuar, pasi që çmohet e vlerësohet nga pacientët e klinikës, në të cilën ai punon tash e sa vite. Madje thotë çmime si këto i bënë më të veçantë vet fakti që një mjek shqiptar vlerësohet për punën e tij, në një shtet të huaj.

“Unë pata fatin dhe që të shpallem doktor i vitit nga pacientët e mi. Kështu që puna ime u shpërblye nga ana e pacientëve, që është një nder dhe respekt i madh. Është një ndjenjë shumë e mirë. Është diçka që të bënë krenar. Por të njëjtën kohë megjithatë njeriu duhet të mbetet i vogël. Sepse jam në shërbim të pacientëve dhe si i tillë ndihem. Pavarësisht çmimit dhe pse çmimi ka vlerën e vet. Por unë përsëri mbetem i vogël në krahasim me pacientët. Sepse ata kanë nevojë për mua dhe për shërbime të mija”, tha ai.

Megjithëse ka arritur rezultate të mira në karrierë si mjek profesionist në Zagreb, Kosova mbetet vendi për të cilin vazhdon të kontribuon nga atje. Pacientët kosovar tashmë e kanë një adresë ku mund të drejtohen. Sa herë kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmë në Kroaci, ata gjejnë mbështetjen e pakursyer të dr. Marlekut, i cili përveç klinikës ku punon, ka hapur dhe dyert e shtëpisë së tij, për pacientët kosovar.

“Kam një pjesë të madhe të pacientëve, që vijnë dhe më drejtohen këtu prej Kosovës. E bëjë me vite të tëra. Ka shumë raste individuale. Të gjithë i kam prit dhe i pres me zemër të hapur dhe me mundësi maksimale për të iu ndihmuar. Merrem gjithmonë me pacientët që vijnë nga Kosova dhe të gjitha i bëjë në mënyrë vullnetare. Janë pacientët dëshmitarë, që i kam pranu dhe në banesën time kanë jetuar tek unë, të mos paguajnë as ushqim”, thotë Marleku..

Marleku i cili në kuadër të radiologjisë më së shumti merret me diagnostikën e sëmundjeve të gjirit, thotë se është i gatshëm që përvojën e tij nga Zagrebi ta sjellë dhe në Kosovë. Por sipas tij deri tani nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

“Me të thënë të vërtetën në mënyrë zyrtare nuk ka ndodhur akoma ndonjë ftesë. Edhe pse unë jam në gjendje me ardh patjetër. Gjithë përvojë timen unë jam i gatshëm me shpërnda me të gjithë. Posaçërisht me vendin ku jam i lindur ku dhe një pjesë dhe të shkollimit e kam kryer. Në intervale të caktuara kohore, patjetër aq sa kam mundësi të vij në Kosovë, me ndonjë 4 ose 5 ditë çdo dy a tre muaj. Është çështje teknike e organizimit, sepse kur kanë nevojë dhe unë jam i gatshëm patjetër. E kam obligim moral me e kthy atë, që ata ma kanë dhënë në fillim të studimeve, pasi që studimet i kam filluar atje dhe më pastaj i kam vazhduar në Kroaci”, thotë Marleku.

Por nuk i mungon bashkëpunimi me një pjesë të radiologëve nga Prishtina, Peja dhe Klina.