Shëndeti

Misteret e koronavirusit, shkencëtarët me dilema të mëdha rreth kësaj çështje

Shpejtësia me të cilën u përhap koronavirusi mbetet një nga misteret më të mëdha në të gjithë botën.

Filloi në Kinën qendrore dhe, brenda tre muajve, u përhap në çdo kontinent, përveç Antarktidës, duke u prishur jetën e përditshme miliona njerëzve.

Prapa përhapjes së shpejtë, kishte një fakt që i kapi shkencëtarët në befasi, shqetësoi autoritetet shëndetësore dhe minoi përpjekjet e hershme të kontrollit: virusi mund të përhapej nga njerëz të shëndetshëm.

Ndërsa punonjësit po kthehen nëpër zyra, fëmijët përgatiten të rifillojnë shkollën dhe njerëzit e dëshpëruar për normalitet kanë nisur të vizitojnë qendrat tregtare dhe restorantet, të dhënat e reja shkencore flasin për një realitet kërcënues: Nëse sëmundja mund të transmetohet nga njerëz të shëndetshëm, atëherë ndoshta ajo do të jetë e pamundur të frenohet.

“Mund të jetë vdekjeprurëse, e megjithatë 40 për qind e njerëzve mund të mos e dinë që e kanë”, thotë Dr. Eric Topol, drejtues i Institutit Kërkimor Scripps.

Studiuesit flasin për mundësinë e frikshme të përhapjes së heshtur të virusit nga bartës pa simptoma ose me simptoma të dobëta.

Por se çfarë roli luajnë njerëzit e shëndetshëm në shtimin e radhëve të të infektuarve, kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe është në krye të axhendës së kërkimit shkencor.

Koronavirusi mund të depërtojë në një qelizë njerëzore, të stabilizohet aty dhe të shumëzohet në dhjetëra mijëra brenda një dite të vetme.

Nivelet e virusit rriten përpara kollitjes së parë. Dhe për habinë e shkencëtarëve, rreth 4 në 10 persona të infektuar nuk kanë fare simptoma.

Pabesia e këtij virusi është në fokusin e shumë shkencëtarëve tani që shoqëritë po rihapen. Ata pyesin veten se çfarë ndodh nëse përhapësit e heshtur nuk zbulohen para se të jetë tepër vonë.

Udhëtarët pa kollë mund të kalojnë lehtë nëpër kontrollet e aeroporteve. Punëtorët pa ethe nuk zbulohen dot nga kontrollet e temperaturës. Njerëzit që nuk ndjehen të lodhur apo që nuk kanë dhembje, marrin pjesë në takimet e biznesit, duke infektuar të tjerët dhe shpërthimet mund të rifillojnë.

Qysh në janar, kishte shenja që njerëzit mund ta bartnin virusin pa shfaqur simptoma. Megjithatë, shumë shkencëtarë nuk bindeshin.

Kur u shfaq COVID-19, zyrtarët shëndetësorë mendonin se ky do të ishte si virusët e tjerë dhe se njerëzit i infektonin më lehtë të tjerët kur shfaqnin simptoma si kollë apo ethe.

“Ne mendonim se kjo do të ishte si SARS-i: një periudhë e gjatë inkubacioni dhe asnjë transmetim gjatë periudhës së inkubacionit,” thotë Lauren Ancel Meyers, e Universitetit të Teksasit në Austin.

Në prapaskenë, shkencëtarë si Meyers diskutonin të alarmuar me zyrtarët e shëndetësisë mbi faktet që kishin gjetur për sëmundjen.

Duke hulumtuar me kujdes faqet e internetit të departamenteve kineze të shëndetësisë, Meyers dhe ekipi i saj gjetën më shumë se 50 raste midis 21 janarit dhe 8 shkurtit, në të cilat personi që sillte virusin në shtëpi nuk shfaqte simptoma para se të kishte infektuar të paktën një anëtar të familjes.

“Kur pamë të dhënat, thamë: “Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, u shpreh Meyers. “Ishte tronditëse”.

Megjithatë, midis shkencëtarëve, veçanërisht tek Organizata Botërore e Shëndetësisë ende ka dyshime. Kjo organizatë e ka ulur rëndësinë e infeksionit nga njerëz pa simptoma, megjithëse kohët e fundit filloi ta pranojë një mundësi të tillë dhe i ka këshilluar njerëzit të mbajnë maska.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?