Shëndeti

Mësoni se sa është temperatura mesatare trupore dhe kur duhet të shqetësoheni

Temperatura e lartë mund të tregojë se trupi juaj po lufton me një infeksion dhe në disa raste kërkon kujdes mjekësor.

Si temperaturë e lartë trupore zakonisht merret 38 gradë e më e lartë, ndërkaq sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), temperatura standarde e trupit te të rriturit është 37 gradë.

Sidoqoftë, ky numër mund të luhatet pak në varësi të moshës së personit dhe aktivitetit aktual. Në përgjithësi 36 deri 37.2 gradë është një diapazon normal për temperaturën e trupit, shkruan The Sun, përcjell Klankosova.tv

Por NHS thotë se nëse ndieni nxehtësi ose të dridhur, mund të keni një temperaturë të lartë edhe nëse një termometër thotë se temperatura juaj është nën 38 gradë.

Shenja të tjera përfshijnë djersitje ose lëkurë të kuqe, ose kur gjoksi ose shpina juaj ndihet më e nxehtë se zakonisht.

Për foshnjat dhe fëmijët, temperatura normale e trupit është 36.4 gradë, por përsëri, kjo mund të ndryshojë pak. Një temperaturë e lartë te një fëmijë ose foshnjë është gjithashtu 38 gradë ose më e lartë.

Një temperaturë e lartë në vetvete nuk do të thotë që ju duhet patjetër të vizitoheni te mjeku dhe zakonisht zvogëlohet gjatë tre ose katër ditëve.

Sigurohuni që të merrni shumë lëngje, pushoni në shtëpi dhe të hani ushqim nëse keni oreks. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët.

Ndërkaq te mjeku mund të vizitoheni nëse keni etje të fortë, keni urinë të errët ose kur ndiheni të dobët dhe po ashtu kur keni ngërçe të forta të muskujve.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?