Shëndeti

Këta janë kirurgët që e punuan rastin e rrallë të ngjitjes së dorës në QKUK

Një rast i rrallë i ngjitjes së dorës së amputuar është punuar me sukses në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga ekipa e mjekëve të profileve të ndryshme.

Ky intervenim është kryer nga kirurgët vaskularë të cilët e kanë udhëhequr ekipën, kirurg plastik, neurokirurg, ortopedë dhe anesteziologë, shkruan Gazeta Shneta.

Intervenimi është kryer nga mjekët: Dr. Lulzim Vokrri dhe specializantja Marigona Haziri nga Kirurgjia Vaskulare; Dr. Gani Jashanica, Dr.Ermir Shabani dhe Dr.Naim Bajrami nga Ortopedia; Dr. Sanije Abazi dhe Dr. Masar Azemi nga Kirurgjia Plastike; Dr. Armend Kërveshi dhe Dr. Flamur Hasimi nga Neurokirurgjia; Dr. Nexhmije Jonuzi dhe Alban Gjobalaj nga Anestezioni.

QKUK ka njoftuar se rasti ishte pranuar në Klinikën Emergjente, pacienti e kishte pothuajse të amputuar (prerë) komplet parakrahun e majtë, gjatë punës së tij me fleks, në vendin e tij të punës.

Mjekët kanë kryer operimin tek pacient i moshës 27 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak).

“Si graft për rekostrukcion të arterieve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të pacientit; (Vena saphena magna). Po ashtu, ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat radiale dhe ulnare dhe kishte bërë hemostazë korrekte”, thuhet në njoftim.

Ekipi i orotopedëve bëri fiksimin e të gjitha kockave të prera, ekipa e Kirurgjisë Plastike ka bërë qepjen e muskujve dhe të tendinave, ndërsa ekipa e Neurokirurgjisë një pjesë të qepjes së nervave do ta bëjë pas 4 jave.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses dhe pacienti pas 14 ditë hospitalizimi, sot është liruar për në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore.