Shëndeti

Cili është rreziku nëse infektoheni me COVID-19 pas vaksinimit?

Sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), rreziku i hospitalizimit ose vdekjes nga COVID-19 është dukshëm më i ulët për njerëzit e vaksinuar. Sidoqoftë, CDC gjithashtu thekson se asnjë vaksinë nuk është 100 përqind efektive.

Të ashtuquajturat “infeksione përparimtare” janë raportuar në shumë njerëz që janë të vaksinuar plotësisht. Në raste jashtëzakonisht të rralla, disa persona të vaksinuar janë shtruar në spital ose kanë vdekur pasi janë infektuar me COVID-19.

Por cilat janë faktet në lidhje me këto raste? A duhet të shqetësohemi vërtet rreth infektimit me COVID-19 pas vaksinimit?

Shereef Elnahal, udhëheqësi i Spitalit Universitar në Newark të New Jersey-t, dhe ish-komisar i Departamentit të Shëndetit në New Jersey, tha për Healthline se, para së gjithash, vaksinimi është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni për të mbrojtur veten nga COVID-19, transmeton Klan Kosova.

“Të qenit plotësisht i vaksinuar zvogëlon ndjeshëm rrezikun e infeksionit, shtrimit në spital dhe vdekjes në një shkallë edhe më të madhe” tha ai. “Në fakt, është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni”.

Elnahal shtoi se ai filloi të shihte “infeksione përparimtare” për herë të parë gjatë javëve të fundit, disa prej të cilave madje kishin rezultuar edhe me vdekje. Por rreziku është ende shumë i ulët për njerëzit e vaksinuar.

Një studim i ri i besuar nga CDC i botuar para pak ditësh, zbuloi se njerëzit që janë të vaksinuar kishin shumë më pak gjasa ta zhvillonin COVID-19, të hospitalizoheshin ose të vdisnin nga ky infeksion.

Krahasuar me njerëzit që nuk ishin të vaksinuar, njerëzit që ishin vaksinuar kishin pesë herë më pak gjasa ta zhvillonin COVID-19. Ata kishin 10 herë më pak gjasa të shtroheshin në spital dhe të vdisnin nga ky virus.

Një raport i New York Times përdori të dhëna nga zonat amerikane me informacion të detajuar mbi rastet e përparimit. Është vlerësuar për shumicën e njerëzve të vaksinuar se rreziku është rreth 1 në 5 mijë për infeksione të përparuara. Në zonat me një shkallë të ulët transmetimi është rreth 1 në 10 mijë.

“Shtrimet në spital nga infeksionet e përparuara janë dukshëm shqetësuese sepse njerëzit janë mjaft të sëmurë, pavarësisht se janë vaksinuar, për të kërkuar hospitalizim”, tha Elnahal. “Por është e rëndësishme të theksohet se rreziku i vdekjes është ende shumë i ulët, edhe nëse keni nevojë për shtrim në spital, si një person i vaksinuar”.

Sipas tij, ajo që po shohim janë efektet e dobësimit të imunitetit nga vaksinimi dhe varianti Delta, i cili është dy herë më infektiv se varianti origjinal i koronavirusit, që ndodh në të njëjtën kohë.

“Është bashkimi i atyre dy gjërave që po shkakton problemin tani,” tha ai. “Kështu që unë shpresoj që përforcuesit për publikun e gjerë të vijnë sa më herët”.

Rreziku i hospitalizimit dhe vdekjes pas vaksinimit është ende i vogël

“Rastet e përparimit” kanë qenë në rritje – dhe duke u bërë titujt kryesorë gazetash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi varianti më infektiv, Delta, është rritur.

Sidoqoftë, zbërthimi i numrave të papërpunuar mbi normat e vaksinimit dhe infeksionet pas vaksinimit zbulon se sa efektive janë vaksinat COVID-19 në mbrojtjen kundër shtrimit në spital dhe vdekjes.

Sipas të dhënave të CDC-së, që nga 7 shtatori, më shumë se 176 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 në SHBA. Numri i të vaksinuarve që janë shtruar në spital ose që kanë vdekur nga COVID-19 është i vogël i asaj shifre.

Gjithsej 11 mijë e 440 persona u shtruan në spital për COVID-19 pasi u vaksinuan. Sidoqoftë, 2 mijë e 491 nga këta njerëz nuk kishin simptoma të COVID-19 ose u shtruan në spital për një gjendje tjetër. Kjo do të thotë që 8 mijë e 949 persona u shtruan në spital në lidhje me simptomat e COVID-19 pasi u vaksinuan. I bie që rreziku i shtrimit në spital për COVID-19 pas vaksinimit është 0.00005 përqind.

Për më tepër, 2 mijë e 675 vdekje u raportuan tek njerëzit e vaksinuar, me 493 prej tyre që nuk kishin simptoma të COVID-19, ose vdekja e tyre nuk kishte lidhje me COVID-19. Kjo do të thotë se 2 mijë e 182 njerëz të vaksinuar vdiqën pasi zhvilluan simptoma të lidhura me COVID-19. I bie që rreziku i vdekjes nga sëmundja e lidhur me COVID-19 pas vaksinimit është 0.00001 përqind.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?