précis

Ulërima e ujkut të zi

Poezi nga Gëzim Ajgeraj

ULËRIMA E UJKUT TË ZI

Nuk e di a e dëgjoni vazhdimisht
ulërimën e ujkut të zi
nuk e di nëse mua më ka hyrë frika në palcë
e s’më del dot as sot e kësaj dite
apo më tërheq largpamësia e kësaj
ulërime të ligë

Ulërimë e ujkut më ndjell kob
e s’m’i ndahet të ligës
me mort më sillet vërdallë
rreth oborrit të shtëpisë
e s’m’i lë të qetë as zogjtë e shqiponjës
tek m’i trazon e sjell mort

Me ligësi ma nxinë dhe qiellin rreth meje
e ma zënë dritën e diellit
që pranvera mos të agojë
në oborrin tim
e pema e farës sime
të mos rritet mbi këto troje

Mbrëmë përsëri rashë me ulërimën e tij
përtej gardhi
e s’më mori gjumi
gjithë natën e lume në roje
me martinën e gjyshit e bëmë syrin pishë
e kuvenduam deri në mëngjes

Gëzim Ajgeraj