précis

Ti kurrë s’ke me ditë për vdekjen time

Poezi nga Çun Lajçi

Ti kurrë s’ke me ardhë si vajzat tjera të varri im
ti kurrë s’ke me qajt mbi gurin gri e fotografinë s’ke me puthë
vitët s’ke me i numërua as përvjetorët as ditëlindjet

si vajzat tjera për babën s’ke me thurë vargje
se kurrë s’ke me m’pa tue i mbyllë sytë
kurrë s’ke me m’pa tue u plakë

e buçeta lulësh s’ke me m’pru të kryet
as foto të varri s’ke me ba me celular
e kurrë s’ke me i publikua ardhjet n’pranverë

n’dimën as n’vjeshtë
e kurrë s’ke me i fshi lotët mbi rrasë mermeri
siç i kam fshi unë tash e sa vjet

Ti kurrë s’ke me ditë për vdekjen time moj e mirë
siç marrin vesh vajzat tjera
e dhimbje s’ke me pasë kur t’ma mbulojnë trupin me dhe

siç pata unë atë buzëmbramje tue ra borë
kur grushtin e mbusha dhé e s’mujta me ta hudhë mbi arkivol

Sa mirë qe kurrë s’ke me ditë a jam gjallë
sa mirë që kurrë s’ke me ditë a kam vdekë!

08.08.2022

Kjo poezi është publikuar nga aktori menjëherë pas ndërhyrjes që ai ka patur në Kardiologjinë e QSUK-së, pasi prej pak ditës është shtruar atje për shkak te gjendjes jo të mirë shëndetësore.