précis

Para sa vitesh Muqibaba përmendet në defterët e Haxhi Ali Jakub Zades?

Udhëpërshkrime nga dr Shevqet Mehmet



Ishte ditë gushti kur me Aliun, farmacistin, pas Burincës dhe Lipovicës, vendosëm ta vizitojmë edhe Muqibabën. Halla e Aliut ishte nga Muqibaba, por familja e saj ishte shpërngulur herët prej andej.

Në Gjilan, shumë vite më herët ishin vendosur banorët e parë të Muqibabës, Halimi që kishte jetuar mbi 100 vjet. Ai e kishte grua Durijen e Xhaçkëve, raporton portali mediafokus.info

Pastaj erdhën në qytet edhe familje të tjera, si mësuesi Osman dhe Qerim, Milami “Bullqi”, një muskuloz, një “Herkul” i Gjilanit, i cili banonte në Sheqer mëhalle. Bashkëshorte edhe kishte Katicën nga Kroacia.

Muqibaba gjendet pranë rrugës Gjilan-Preshevë.


Në anën e majtë të rrugës është një çezmë. Diku para lakut për Muqibabë, gjendet një përmendore, vend ky ku pas luftës janë vrarë nga forcat serbe fqinji im Menderesi me shokë.

Ai ishte djali i Azizit nga Llashtica.

Për Muqibabën janë bërë shumë barsoleta: Muqibaba në 880 metra lartësi mbidetare, me dy motra medicionale e të tjera.

Muqibaba në vitin 1948 ka pasur 375 banorë, në vitin 2011 – 88, ndërsa sot ka ngelur në 12 shtëpi.

Haxhi Ali Jakub Zade e përmend Muqibabën në defterët vitit 1453.

Lëshuam asfaltin dhe kthyem në të majtë, në një rrugë të pashtruar që të shpie në fshat.

Atje, në të majtë shihet xhamia e re e Muqibabës, që rri e mbyllur, pos ditën e xhuma, afër saj gardhiqet e dekoruara me lule.

Më tej shihet një antenë e lartë. Nga ky pozicion duken si në pllakë Gjilani, Burinca dhe Lipovica.

Disa metra djathtas objektit të xhamisë, është një përmendore me emrat e të rënëve dhe të vdekurve, nga viti 1912 deri në luftën e fundit.

Pushuam dhe u çlodhëm me Aliun, në ajrin dhe ambientin e pastër të Muqibabës, prej nga dukej horizonti tek shtrihej tutje dhe qielli i pafund.

Banorët e Muqibabës, shpesh në ditët e pazarit sillnin në tregun e vjetër të qytetit punëdore prej druri, në rend të parë ato që u nevojiteshin nënave tona në kuzhinë.

Edhe sot në oborrin tim gjendet një mozaik i veglave të kuzhinës, të punuara nga mjeshtrit e Muqibabës.

Ne vazhduam rrugëtimin tonë nëpër Muqibabë.

Morën në të djathtë, “në xhadenë e turkut” që të shpie në fshat. Një rrugë e pashtruar edhe këtu, e rrethuar me lisa të lartë dhe tutje një vikend shtëpizë e pakryer ende, me konstruksion metali.

Në të majtë shihen shtëpitë e braktisura të hallës së Aliut dhe aty afër janë edhe varret.

Ecim tutje, pa e ditur se ku është kufiri.

Pasi kaluam “podin” ku gjatë luftës së fundit ishin vendosur forcat kundërajrore serbe, në mënyrë të pa vetëdijshme kishim kaluar kufirin, duke dalë te shtëpitë e Gjinajve.

U kthyem mbrapa shpejt e shpejt, në tokën kosovare, ku u takuam me Ilazin, zjarrfikësin. Ai na njoftoi se këndej pari është vija kufitare dhe më poshtë ishin shtëpitë e Rexhmemetëve.

Në oborrin e Ilazit ishte një gomar i vetmuar, që ne të qytetit i mbajmë mend nga vitet `60-70-ta, kur fshatarët sillnin me gomarë dru e thëngjill për furrtarët e Gjilanit.

Duke u kthyer për Gjilan, bashkë me Ilazin, më sillet nëpër mend Karadaku i vetmuar, përditë e më tepër, që e lamë pas.

Atje kanë mbetur vetëm mohikanët e fundit dhe xhamia që hapet vetëm të premteve. Skaj rrugës gjendet restoranti Apollonia, që punonte, por vizitorë kishte pak./Mediafokus/