Nis Edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival
Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.
“Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.
Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.
“Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.
Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.
Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.
Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:
-Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë.
Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:
Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
– Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
– Bislim Muçaj, aktor;
– Zijad Meheiç, producent.
Juria e medias:
Lumira Kelmendi, RTK
Xhejlane Terbunja, aktore dhe
Erona Salihu, ATV.
Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.
PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.
Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale. /atvlive.tv