E hënë, 25 Maj, 2020
précis

“Në përditshmëri kemi harruar se jemi qenie biologjike, nuk i kemi kushërinj telefonat mobilë”

David Richard Precht, njëri prej filozofëve më popullorë në Gjermani, mbi pandeminë dhe retorikën luftarake: “Koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.



David Richard Precht, i lindur më 1964, është filozof dhe autor gjerman. Ai ligjëron në “Leuphana Universität Lüneburg”. Në opinionin e gjerë gjerman Precht është bërë i njohur me librin “Kush jam unë – dhe nëse jam, sa shumë jam?” Së fundi ai ka botuar librat: “Gjahtarë, barinj, kritikë. Një utopi për shoqërinë digjitale” dhe “Të jesh vetvetja. Një histori e filozofisë 3.”

Në një intervistë dhënë gazetës “Frankfurter Rundschau” Precht ka folur mbi pandeminë dhe pasojat e saj në jetën e përditshme. Filozofi deklaroi se më shumë i pëlqen formulimi i ministrit gjerman të Shëndetësisë se koronaviruesi është i “kontrollueshëm”.

“Nga ana tjetër fjalimet siç po i mbajnë ende Trumpi dhe Macroni janë të tmerrshme. Nëse në këtë krizë diçka nuk është e saktë, atëherë janë metaforat e luftës. Nuk është e vërtetë se ne po hidhemi në një luftë heroike kundër virusit – përballë ‘kundërshtarit’ që kemi ky do të ishte një përfytyrim idiotik! Ne nuk po kundërpërgjigjemi, përkundrazi: ne po tërhiqemi. Po përpiqemi që sa është e mundur t’i shmangemi nga rruga. Sipas të gjitha rregullave të artit kjo është e kundërta e luftës”, shtoi Precht.

LEXO EDHE:
Me fat u koftë Bajrami! - Kofsh shndosh edhe ty me fat!

David Richard Precht thekson se nuk është demonstrim force nëse përdoren fjalë luftarake kundër pandemisë. “Veç kësaj, kjo retorikë ka një histori të ndyrë. Ajo është përdorur në fund të shekullit të 19-të kur u shfaqën epidemi dhe as dy gjenerata më vonë retorika u aplikua kundër njerëzve: parazitë, mikrobe të popullit – kjo gjuhë ilustruese e antinjeriut ka qenë, në njëfarë mënyrë, e parapërgatitur”.



Për dallim nga publicistë, politologë dhe ekspertë të tjerë, të cilët në këtë krizë shohin edhe shanse, Precht është skeptik. Ai përmend krizën financiare të viteve 2008/2009, e shkaktuar nga sistemi i shfrenuar spekulativ. Që nga atëherë, sipas Precht, kriza nuk është zhdukur. “Jo, krejt sistemi i prishur po kalbet. Pse? Sepse gjatë krizës kemi bërtitur: ‘Ka shpërthyer zjarri, ka shpërthyer zjarri! Duhet ta fikim dhe nuk mund të mendojmë se si mund ta ndërtojmë shtëpinë’. Pas krizës edhe zelli për rindërtim u zhduk shpejt”.

Si problem të shekullit 21 Precht e sheh diktatin e rritjes ekonomike. “Nëse shkëputemi nga ky diktat i rritjes ekonomike, atëherë prodhojmë të papunë – me krejt pasojat sociale dhe ekonomike. Por nëse nuk shkëputemi nga ky shtrëngim ekonomik, ne asgjësojmë bazat e natyrshme të ekzistencës të këtij planeti”, tha Precht. Si të dilet nga kjo dilemë? Precht e sheh daljen vetëm duke riorganizuar ekonominë sociale të tregut në një ekonomi të qëndrueshme tregu. Ky është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar. Por, thotë Precht, tani kemi shansin për ndryshime, të cilat janë të rëndësishme për mbijetesën tonë, siç thonë hulumtuesit e klimës.

Precht kërkon që shteti në të ardhmen tatimet t’i marrë më pak nga të ardhurat që burojnë nga puna dhe më shumë nga paratë që barten andej-këndej në tregjet e financave dhe kapitalit. “Një pjesë e madhe e këtyre bizneseve, të cilat do të mund të taksoheshin, nuk janë gjë tjetër përveçse bixhoz”, thotë Precht.



LEXO EDHE:
Me fat u koftë Bajrami! - Kofsh shndosh edhe ty me fat!

Në pyetjen nëse pandemia që shpërtheu në Vuhan të Kinës mund të lëkund botëkuptimet për shekullin 21 siç bëri tërmeti në Lisbonë më 1755, Precht u përgjigj: “Një skenar atraktiv! Me tërmetin në Lisbonë vërtet u rrëzua përfytyrimi filozofik dhe teologjik për zotin e mirë, i cili ka krijuar më të mirën botë. Në botën më të mirë nuk ka kuptim që katastrofat natyrore të bien mbi njerëz dhe të kushtojnë kaq shumë jetë njerëzish. Po të dëshiroja të bëja një krahasim me të tashmen, atëherë ai do të ishte ky: koronavirusi po na shtyn të mendojmë për qenien tonë si njerëz. Në përditshmëri në pjesën më të madhe kemi harruar se jemi qenie biologjike. Te të rinjtë përherë e kam përshtypjen se ata besojnë se janë kushërinj me telefonat e mençur dhe jo me kafshët apo bimët. Tani po e vërejmë: si pjesë e species njeri jemi krijesa shumë të ndjeshme, të thyeshme, në pjesën më të madhe të varura nga mjedisi. Do të ishte mirë nëse e shohim veten më shumë si pjesë të natyrës, të cilën e eksploatojmë pafrenueshëm”.

Sa i përket kufizimit të të drejtave të njeriut në kohën e pandemisë, Precht thotë se ato janë adekuate dhe qytetarët mund të shpresojnë se demokracia liberale gjermane, e cila respekton Kushtetutën, këto të drejta do t’i rivendosë. “Në Hungari nuk do të kisha një besim të tillë”, tha Precht.

Filozofi i njohur gjerman ka propozuar që për të përballuar krizën të aplikohet një tatim për shërbimet online. Sipas tij përfitues të mëdhenj të krizës së koronës janë Amazon dhe viganë të tjerë të shërbimeve online. Nëse qarkullimi i tyre taksohet me 25 për qind, do të krijohej një fond gjigant, nga i cili do të mund të përkraheshin dyqanet dhe restorantet.

LEXO EDHE:
Me fat u koftë Bajrami! - Kofsh shndosh edhe ty me fat!

“Unë edhe para koronës kam qenë për një tatim të tillë për të ruajtur biodiversitetin e tregut dhe për të penguar shkretimin e plotë të qyteteve të vogla dhe të mesme. Qyteti im i lindjes, Solingeni, është shembull i një stepe totale. Në vitet 70-të atje ka ekzistuar një tregti që lulëzonte me zejtari që i drejtonin pronarët. Sot praktikisht s’ka mbetur asgjë. Tani është me rëndësi të merren masa kundër kësaj, në mënyrë që të mos shkatërrohen edhe ato copëza që kanë mbetur. Hapësira gjallëruese urbane është truall i frytshëm për kulturë, bashkëjetesë sociale, demokraci vepruese. Kjo duhet të ruhet”.