précis

Mulla Idriz Gjilani – apostull i shqiptarizmit dhe emblemë e Shqipërisë etnike

Në qytetin e Gjilanit, prej një viti është ngritur shtatorja e heroit dhe kryengritësit për bashkimin e trojeve shqiptare, njeriut të epokës, Mulla Idriz Gjilani, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Ky kolos i kombit shqiptar, krahas të tjerëve në epokën e tij, në ditët më të vështira të atdheut u kryengrit për t’i bashkuar shqiptarët në një tokë, nën një qiell dhe nën një diell.

Mulla Idriz Gjilani, edhe pse shërbeu si imam, ai çështjen kombëtare e kishte në plan të parë.

Motoja e tij jetësore ishte: “Njeriu ka një nënë, ka një babë, ka një Zot, ka një Vatan që i detyrohet… Pa vatan të lirë, nuk ka as jetë, as familje, as fe, as liri dhe as xhenet”.

Nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, në vitin 1944-1945, burra e gra të Karadakut, Gollakut e Moravës së Gjilanit u kryengritën për t’iu dhënë fund perandorive, në mënyrë që të jetojmë të lirë dhe të pavarur.

Së fundi, për udhëheqësin e luftës së Kikës, ka bërë një libër edhe Hajrush Redenica, ku grup prej 45 autorësh, poetë nga e tërë gjeografia kombëtare dhe diaspora, kanë botuar poezi për Mulla Idriz Gjilanin.

“Anamorava ka qëndruar gjithnjë në ballë të detyrës kombëtare dhe në panteonin e këtij ideali, pa dyshim bën pjesë edhe Mulla Idriz Gjilani”, shkruan historiani Fitim Rifati.

Më tutje Rifati thotë se jetëshkrimi vëllimor i Idriz Gjilanit, na lejon të nxjerrim tri konstatime universale për të:

Së pari, portreti i tij poliedrik shtrihet në dimensione të ndryshme, si atdhetar, arsimdashës, fetar, poliglot, intelektual, orator, i njerëzishëm, human, tolerant, demokrat, autoritativ, parimor, liridashës, idealist, luftëtar i guximshëm, strateg, iluminist dhe vizionar.

Së dyti, njohja me 10 pushtete e regjime okupuese të Gjilanit e Kosovës gjatë gjithë jetës së tij, i shërbeu për formimin e personalitetit dhe karakterit në radhë të parë patriotik shqiptar.

Së treti, binomin atdhe e fe, fe e atdhe ka arritur paralelisht ta gërshetojë dhe përfundimisht ta shkrijë në shërbim e shkallë të përgjegjësisë historike për lirinë dhe bashkimin e Shqipërisë.

Marrë për bazë të gjitha këto, mund të konkludohet se Idriz Gjilani është apostulli i shqiptarizmit dhe emblemë e Shqipërisë etnike. /Mediafokus.info


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?