précis

Me fat u koftë Bajrami! – Kofsh shndosh edhe ty me fat!

Nga Rrahman Paçarizi

– Me fat u koftë Bajrami!

– Kofsh shndosh edhe ty me fat!

Dhe duart e vockëla zgjateshin për të mbledhë bombona turlifare, të larmë bardhekuq, të larmë bardhegjelbër, me mbështjellës të kaftë, të kuq, të verdhë, ngjyrari, bojëgjake, po edhe pa mbështjellës fare e ndonjëherë edhe sheqer kokërr, nga ata që i qiteshin kafes a çajit kur s’kish sheqer toz, nga ata që pleqtë i mbanin mbështjellë në mindilat e rrudhun që i mbanin në xhepat e xhamadanëve, në anën e majtë, se në të djathtin e mbanin sahatin Serkisoff varur në në qostekun që e lidhnin në një nga vrimat e sipërme të pullave të xhamadanit.

Ishte rituali i Bajramit që e mbaj mend nga fëmijëria në katundin tem, që e kishte këtë zakonin e bombonave që u thoshim shiqera zakonisht, përveç kur vinte daja i babës nga Gjermania e bombonave u thoshte bumbana. Më dukeshin ndryshe dhe nuk besoja se shiqerat, bombonat ishin të njëjtë me bumbanat e dajës Muharrem.

Por, rituali i Bajramit niste shumë më herët, ndoshta nja disa ditë përpara, kur na blinin tesha të reja e kur agjëronim Natën e Katragjegjave ose bëheshim sikur agjëronim, pasi gjatë ditës edhe mund ta kishim prishë agjërimin, ndonjëherë. Pastaj Natën e Bajramit që i thoshim Nata e Madhe kqyrnim me lakmi krejt ushqimet që ishin përgatitë, përfshi bakallavën, që gjyshja e nana i thoshin Sarajli e piten me petë që tëhollohej me tëholluese e petët i thaheshin mbi shporetin e druve, qoftë edhe në pikë të verës, vinte momenti më i rëndësishëm për nanën tem – me i shti simitet. Simitet kanë qenë kulmi i mjeshtërisë së gatimit dhe unë ende kam qejf me u krenu që nana ime ka qenë ma e mira për simitet. Fillimisht e thente qiqrën, e pastaj e bënte brumin dhe e linte me ardhë në temmperaturë dhome, por atë brumë, që i thoshte maj i simiteve e mbështillte në beze të pastra e të hekurosura që i nxirrte enkas për atë ditë. Pastaj, nga i brumë mund të gatuheshin simite pafund. Plot çika të vogla deri kah 12 a 13 vjeçe vinin në mëngjes te nana për me lypë brumë të simites. Diqysh më dukej se nana ishte ndër njerëzit më të rëndësishëm në Ditën e Bajramit. Pasi na lodhte gjumi duke pritur simitet (e nana ndonjëherë as flinte fare nga meraku se nuk do t’i vinin simitet) vinte mëngjesi i hershëm, para se të falej Bajrami kur ne fëmijëve na lanin e na bënin gati. Në xhami kam shku vetëm disa herë, pasi baba nuk shkonte me falë Bajramin, por shkova a nuk shkova në xhami, ceremonia “me ba Bajram” ishte e paharrueshme.

– Me fat Bajrami!

– Kofsh shndosh, edhe ty me fat!

Pasi mbushnim qeset e najlonit me bombona turlifare, ktheheshim në shtëpi për t’iu shtru drekës së begatshme, që çdo Bajram ishte e njëjtë, ku aroma e simites dhe e sarajlisë mbizotëronte gjithçka tjetër. Simitet ishin bukë të trasha, me tul të dendur, me fyra të imëta e me kore të kuqe e të ëmbla, pasi i lyenin me sherbet. Për drekë patjetër që vinin dajtë e babës, pasi ata drekën e Bajramit e shtronin në darkë, meqë në afërsi nuk kishin xhami e duhej të vinin në një fshat afër nesh për ta falë Bajramin. Pas drekës, e pasi të gjithë kushërinjtë ishin endë nga një odë në tjetrën, vinte radha e grave për të vizitu njëra-tjetrën, ndërkohë që çikat luanin e endeshin nëpër katund në grupe të mëdha, duke lujtë e duke këndu. Mbrëmja binte e lodhshme dhe nga lodhja gjumi na zinte shumë herët, veç mbaj mend se baba e axha ktheheshin dikur vonë nga darka e Bajramit të dajtë e tyre.

Masa e burrërisë, e rritjes dhe hyrjes në mesin e të rriturve ka qenë kur e fitoje të dretën me shku me ba Bajram me burra, odë më odë, ndërkohë që mbledhja e bombonave zgjaste deri kur i bëje nja 10 vjet e jo më shumë, se pastaj na vinte marre me shku shpi më shpi. Domethënë nga 10 e deri kah 14 vjeç , Bajrami nuk e kishte lezetin e vet, e pastaj prapë futeshe në radhë të festimit, por tash me burra odë më odë ku të vinin përpara pak sarajli, pak tamloriz e një lëng maline të përzier me ujë.

Ndoshta, për këtë arsye çdo Bajram deri tash kam shku në katund, përveç gjatë kohës së bombardimeve dhe ndonjëherë kur kam qenë jashtë vendit. Bajrami më kthen në kujtimet e fëmijërisë dhe më duket sikur çdo herë e ndiej aromën e butë të simites që vjen bashkë me refrenin “ -Me fat Bajrami! –Kofsh shndosh edhe ty me fat!”

– Me fat u koftë Bajrami!

– Kofsh shndosh edhe ty me fat!