précis

Këto këngë popullore shqiptare janë më erotike se ç’e mendoni!

Këngët dhe vjershat e vjetra mbajnë shumë më shumë motive erotike se ç’mund t’ju shkojë ndërmend. Këto krijime të autorëve të panjohur kanë kaluar brez pas brezi duke ndryshuar në disa pjesë të tyre, megjithatë e ruajnë kuptimin thelbësor.



Duke qenë se në kohërat e hershme seksualiteti nuk shprehej hapur (edhe pse ka vjersha dhe këngë me vargje të pastra erotike), shumica e këngëve popullore shqiptare përmbajnë plot metafora, krahasime dhe alegori që “maskojnë” kuptimin erotik të tyre.

Një prej simboleve më të përhapura është “burimi”, ku vashat shkonin mbushnin ujë dhe trimat i shikonin nga larg. Por përveç kuptimit të parë, përdoret edhe me nënkuptimin erotik të ujit.

Dhe ka shumë këngë të tilla; ne kemi zgjedhur disa prej më të njohurave:

“25 gërshetat”


“Oh 25 gërsheta/ t’i numërova pa fjeta”- thotë ai, ndërsa vajza i përgjigjet: “Ti s’mi numërove dot/ more djalë borzilok”. Ai përpiqet të tregojë se është “burrë” por ajo nuk ia përkëdhel aspak egon. Megjithatë, ai në fund ia kthen: “Oh, t’i numërova kur flije/ buzëkuqe karafile”.

“As e vogël, as e madhe”

Në këtë këngë popullore shqiptare përdoret simboli i mollëve, që në folklorin shqiptar nënkupton shpesh gjinjtë e gruas: “Seç më the më porosite/ me dy mollë më gostite”, dhe “llokumja”: “Sa të desha, sa të prita/ me llokume të gostita”.

“A kanë ujë ato burime”

Tek kjo këngë ndoshta erotizmi është më i thjeshtë për t’u kuptuar, sepse i këndohet “burimeve që nxjerrin ujë”. Mendojeni pak: për çfarë mund ta ketë fjalën?

“A kan’ ujë ato burime?/ Ti moj buzëkarajfilja ime?”

“Do marr çiften”

Kënga e famshme njihet si këngë për gjahtarët, por në fakt duket qartë se kur thotë “do dal për gjah” e ka fjalën që do dal të gjuajë vajzat, sepse e thotë edhe vetë: “Do marr çiften do dal për gjah/ jaman shoko jaman aman/ e çiftenë me gjithë zagar”. Dhe nuk i shkon rruga dëm: “E pashë dy more të bukura/ E cila të pëlqen more djal’?/ E ajo mes more këputura”.

“Nëmë ujë se plasa”

Këtu duket sikur ai i propozon të kryejnë marrëdhënie, por ajo ia bën të qartë se nuk ka para martese:

“Nëmë ujë se plasa, thëllënxë e Beratit/ Pe me se ta jap, pëllumb i Tomorrit/ Po me dorën tënde, thëllënx e Beratit/ Dorën e kam zënë, Pëllumb i Tomorit/ Po me se e ke zënë, thëllënx e Beratit?/ Me unazën tënde, Pëllumb i Tomorit”

“Çikë e bukur nga Tropoja”

Edhe këtu, uji përdoret me kuptim seksual: “O çik’ e bukur nga Tropoja/ Kur të shikoj ty me u plak’ harrova/ O unë shum’ gjat’ të kam lyp ty/ O n’grushta tu veç uj’ me pi o uj’ me pi”. Dhe në fund thotë: “O më ka marr etja jam i ri”, që nënkupton se është në moshën kur ka më shumë dëshira seksuale.

“Topolakja”

Këtu beqari i thotë vajzës “mos bëj sikur nuk do” dhe i kërkon që ajo “ta ndezë zjarrin vetë”.

“Mori kumblla gjith lezet, në çfarë bahçe të kon gjet” dhe pastaj “Ndize goce zjarrmin në oxhaqe vet/ mos e luj beqarin, jepi muhabet”. Mirëpo ka frikë se mos vajza është e zënë: “Goce fjalës mos m’i luj, po e lujte mos ma thuj/ ruhu nga zoti e zoti na rujt, mos ke ra në bahçe t’ huj”. /Anabel Magazine