précis

Historia e paimagjinueshme e një gruaje

“Ju shkruaj në errësirë”, Jean-Luc Seigle

Romani “Ju shkruaj në errësirë” është një libër që të bën të ndalosh, të mendosh dhe që mbart një mesazh të fortë. Dhe të mendosh se është shkruar nga një burrë, nga shkrimtari i njohur francez Jean-Luc Seigle. Një libër që kërkon një vëmendje të skajshme për ta lexuar, por që të lë gjurmë në mendje”, ja kështu u thashë përkthyesve të tij, Rina Cela Grasset dhe Luan Rama, kur më pyetën se çfarë përshtypje më la ky botim, ndër të shumtat botime të Albas-it.

Përse “Ju shkruaj në errësirë”? Sepse personazhi kryesor, Polina Dybyison, shkruan në errësirën e mendimeve të saj. Ajo guxon që të rrëfejë të vërteta, që s’mund t’i thotë dot me zë. Të vërteta që askush nuk do ta besonte se mund t’i kenë ndodhur një njeriu të vetëm, për më tepër një fëmije-grua. Janë mendime-hije, që kanë veshur krejt trupin dhe gjithë ekzistencën e saj. Janë mendime që i kanë vrarë dëshirën për të jetuar… Ajo mendon se, nëse i shkruan të vërtetat, ndoshta të tjerët do harrojnë që ta gjykojnë. Ata, dëshmitarët. Ajo beson, deri në minutën e fundit, se e vërteta do mund të rehabilitojë gjithë jetën e saj.

Kush ishte Polina Dybyison?

Biografët u mjaftuan vetëm me këtë kohë për të shkruar historinë e jetës së saj. U duk sikur ata ranë dakord mes tyre që ta fajësonin, duke e dënuar edhe një herë me fjalën e shkruar.

Por a patën të drejtë ata që ta gjykonin, pa dëgjuar më parë zërin e saj të brendshëm? Pa ditur të vërtetën, që vetëm ajo e njihte?

Polina Dybyison, kjo grua që vuajti për gjatë gjithë jetës për shkak të një krimi dashurie, që u mohua nga shoqëria, u përbuz dhe u damkos nga opinioni, përfaqëson, dhe jo vetëm për kohën e saj, shembullin e gjallë të gruas së shkatërruar, dhunuar dhe të përçmuar. Edhe pse errësira në mendjen e saj ia ka mpirë ëndrrat, ia ka vrarë shpresat, ajo gjen kurajën brenda vetes që të rrëfejë historinë e saj.

Dhe fillon të shkruajë në fletore…

Në shënimet e Polinës, kujtimet vijnë të copëzuara, herë-herë në retrospektivë, por në një rrjedhë logjike.

Gjithë kohën që asaj i nevojitej të arsimohej, iu desh që ta kalonte në qeli. Atje ajo u dashurua deri në çmenduri me Karavaxhion, Botiçelin, De Kirikon, Miron, Pikason, Bruegelin, Da Vinçin, Ernestin dhe De Staelin, pa parë asnjëherë një pikturë të vetme tyren. Në qeli ajo lexoi për të disatën herë “Komedinë Njerëzore”, “Krim dhe ndëshkim”, “Lettera Amorosa”, libra që i ruajti me fanatizëm deri në fund të jetës.

Dhe gjithë ai formim dhe bukuri fjalësh i shërbeu vetëm për një arsye: për të rrëfyer një kalvar të tërë ndodhish, që ia mpinë dëshirën për të gjetur ekuilibrin brenda vetes, por jo ndjenjat.

Polina mendoi, ndoshta, se ky rrëfim i shkruar do të ishte prova më e madhe e dashurisë së saj. Prova se ajo donte të vazhdonte jetën pa gënjeshtra. Prova se pushteti i së vërtetës është më i madh sesa gjykimi dhe paragjykimi. Prova se lufta me hijet e së kaluarës po përfundonte.

Por a ia doli Polina Dybyison të kthejë rrjedhën e FATIT?

Një histori rrëqethëse, një e vërtetë e paimagjinueshme dhe e pabesueshme.

Një meritë për mënyrën se si ky libër vjen në gjuhën shqipe, për të sjellë çdo ndjesi dhe emocion të personazhit, njëkohësisht duke i qëndruar besnik stilit të autorit, u takon edhe dy përkthyesve të librit. Falë tyre dhe shtëpisë botuese Albas, sot lexuesi ka një botim që do t’u mbetet gjatë në mendje.

Romani ka marrë çmimin e publikut në vitin 2016, çmim i organizuar nga revista “Elle”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?