précis

Heshtja është deklaratë armiqësore

Nga Muhamet Mavraj

Ka heshtje që të verbojnë
Me shkëlqimin e bukurisē
Aq sa fronin e mbretit ta ndërrosh për dashurinë e saj

Nuk pajtohem me stereotipin se
Heshtja është veç miratim
Ky është monopolizim i heshtjes

Ka edhe heshtje që të shpojnë veshët
Me protestën e fuqishme

Me heshtjen mund të bëhesh ana e prapme
e letrës së bardhë
Kur sheh kufomat e protestuesve paqësorë dhe bën fotografi mbi to

Ka mijera heshtje
që flasin mijëra gjuhët e botës

Heshtja është armë me modele gjithnjë më të avansuara
Është termet nga poshtë
dhe bubullimë sipër

Ju,
ulur butë e lidhur me rripa sigurie në ballkonet e larta
Me versionin e ri të heshtjes po i thoni që të gjitha

Prandaj
Në emër të asgjësë, pra timin, nga ndotja akustike e heshtjes,
Duke parë lirinë qysh pështynë pasqyrat,
ju them butë e sinqerisht:
Po, unë jam zezak i vogël i Kosovës
dhe të gjithë heronjtë e heshtur, poashtu, krenarë
Dhe zezakë nën rrotët e kolltukut
Prej nga po projektoni lumturinë e fëmijëve tuaj. Ani!

Veç të sqarohemi për lajmet e mbrëmjes:
Heshtja sot është deklaratë cinike
Heshtja sot është deklaratë radikale
Heshtja sot është deklaratë e rrezikshme,
dhe më sa duket nga revolta e pasqyrave
Heshtja është deklaratë armiqësore