précis

Dr. Mevlan Qafleshi sjell dy botime me analizë shkencore

Redaksia e “Televizioni Opoja” ju sjell pranë jush autorin Dr. Mevlan Qafleshin nga komuna e Dragashit, i cili brenda një periudhe të shkurtër ka nxjerrë në dritë dy botime, njëri me karakter më të profilizuar të fizikës së materialeve dhe çështjeve mjedisore, ndërsa tjetri për lexuesin më të gjerë për njohuri të përgjithshme, themelore shkencore, arritjeve në shkencën e fizikës në shtrirje kohore që nga viti 1901. Sipas tij, puna rreth këtyre botimeve ka filluar që nga viti 2012.

Edhe pse ishte kohë pandemie profesori Mevlan Qafleshi kishte vendosur që të mos pushonte pasi që kishte vendosur të sjellë sa më parë botimin e tij të dytë për një kohë jo edhe aq të largët nga botimi i parë. Në një periudhë shumë të shkurtër profesori i respektuar, përpos angazhimeve në procesin arsimor dhe aktiviteteve organizative, kishte arritur të sjellë dy botime të tija të cilat përmbajnë studime e analiza të ndryshme shkencore shumë të rëndësishme për lexuesin shqiptar.

Botimi i parë i autorit Mevlan Qafleshi titullohet “Eko Betoni”, e më pas edhe botimi i dytë me radhë që mban titullin “Nobeli në Fizikë”.

Autori Qafleshi tregon se e mira e këtij botimi të dytë është se ka pasur një miratim të “Komitetit të Nobelit”, përkatësisht “The Nobel Foundation” në Suedi, që u është mirënjohes për dhënien e pëlqimit për shfrytëzimin e materialeve origjinale nga biografi dhe kontributi shkencor i laureatëve të Çmimit Nobel duke e bërë botimin edhe më serioz në aspektin shkencor.

Përkundër pandemisë, kufizimit të lëvizjeve, këto dy botime janë të regjistruara me ISBN në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ” Pjetër Bogdani “, Prishtinë, duke u regjistruar si botues dhe autor, kështu që autori gëzon të drejtën ekskluzive autoriale për botimin dhe ribotimin për këto dy botime.

Lexuesi i interesuar mund të ketë një libër me porosi duke kontaktuar autorin, ose edhe më lehtë direkt Shtëpinë Botuese “Pena”, Prizren, me të cilët bashkëpunon dhe i ka autorizuar për shtypjen dhe shpërndarjen sipas kërkesës. Ai nuk dëshiron të përfitojë nga shitjet, lexuesi direkt i paguan vetëm shpenzimet e shtypjes.

Vlenë të theksojmë se Dr.sc. Mevlan Qafleshi është doktor në Fizikë Inxhinerike: Ai me sukses të jashtëzakonshëm brenda tri viteve ka kryer të gjitha detyrimet e provimeve dhe kërkimet e parapara shkencore të Shkollës së Doktoraturës dhe më 5.10.2016 ka mbrojtur disertacionin e doktoraturës pranë Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri.

Më poshtë ju sjellim një përmbledhje të botimit të dytë të autorit Mevlan Qafleshit.

NOBEL në FIZIKË: Shkenca dhe biografia e nobelistëve të fizikës

Çmimi Nobel në fizikë, bazuar në testamentin e Alfred Nobelit ka filluar të ndahet që në vitin 1901.

I pari laureat ka qenë Rentgeni për zbulimin e rrezeve X. Pastaj, me disa përjashtime, çmimet janë ndarë për çdo vit.

Ka fitues të vetëm, dy fitues, por jo më shumë se tre në vit. Secilit vit të ndarjes së çmimit i janë kushtuar dy faqe: një për biografi dhe një për kontributin shkencor për të cilin shkencëtarët janë shpallur fitues. Për secilin vit është paraqitur pak biografi e fituesit, me përqendrim të veçantë në shkollimin dhe karrierën akademike nëpër universitetet dhe institutet ku kanë marrë dije dhe kanë bërë kërkime shkencore.

Qëllimi është që lexuesi, sidomos ai i ri, dhe jo vetëm, të njihet me qendrat botërore të dijes dhe shkencës në shtrirje kohore, si udhërrëfyes, motivim dhe orientim për punë shkencore dhe akademike në të ardhmen. Pjesa tjetër i është kushtuar arritjes shkencore për të cilën është dhënë Çmimi Nobel për atë vit. Kjo është bërë duke pasur parasysh që libri do të lexohet nga secili lexues që ka pasion fizikën dhe shkencën në përgjithësi. Sqarimet janë vetëm përshkruese pa formula fizike dhe shprehje matematike.

Besoj se kjo e bën leximin më të këndshëm. Libri mund të lexohet pa pasur parasysh renditjen e çmimeve sipas viteve, lexuesi zgjedh cilindo vit apo arritje shkencore që i duket më tërheqëse në atë moment. Lexuesi mund të fillojë dhe të lexojë kudo: Kudo që lexon është një fillim, një zbulim, një shpikje, një metodë apo një teori e re.


SHIKO VIDEON