précis

‘Boll ma me politikanë që bëjnë jetë milionerësh, e pas lanë një popull në skamje’

Tenori i njohur shqiptar, Rame Lahaj, ka publikuar këngën ‘Khtehu rini’, një këngë kjo tejet emocionuese që vjen si dedikim për të rinjt e vendit, si një thirrje për të mos lënë vendin, shkruan KultPlus.

Videos së postuar në rrjetin social Facebook, Lamaj i ka bashkangjitur edhe një mbishkrim ku ka shtjelluar më gjerë arsyet që e kanë shtyrë drejt publikimit të kësaj këngë.

Më poshtë gjeni statusin dhe videon e publikuar nga tenori.

‘Meqë më keni kërkuar pafundësisht të këndoj në shqip, ja ku e keni këngën me të cilën jam rrit t’u e pa në sytë e Nanës e t’u e ndje thellë në zemrën e saj se si e plakte para kohe mungesa e gjysmës së shpirtit të saj, të cilët jetonin në mërgatë.

Një herë, na vrau regjimi, pastaj mërgimi, e sot po na mbytë politika e keqe për të cilën jemi vet fajtorë për përzgjedhjet që bëjmë. Politikën e keqe nuk duhet kurrë ta marrim si pretekst për të imigruar.

Nuk mund të ikim gjithmonë! E kemi për detyrë të qëndrojmë këtu për shumë arsyeje. Për gjakun e dëshmorëve, për rrenën që na e bëjnë sot, duke na thënë: ‘BAC U KRY!’. Jo! S’është kry BAC! Po t’rrejnë ty e neve. E kemi për detyrë dhe obligim edhe për gjeneratat që vijnë të kontribuojmë për një Kosovë që duam të gjithë. Andaj mos ik!
Të bashkojmë forcat kudo që jemi në atdhe e mërgatë për tokën që e lamë me gjak.
Boll ma me politikanë që bëjnë jetë milionerësh, e pas lanë një popull në skamje.

Të duam Kosovë, të duam mërgatë! Ti je zemra e madhe e Kosovës tonë të vogël!

Faleminderit Naim Krasniqit për këtë super-këngë! Florent Boshnjakut për ri-orkestrim dhe mikut tim Artan Korenica për videon.’ / KultPlus.com


SHIKO VIDEON