précis

‘Askush nuk e do Kosovën, as politikanët e saj, e as Europa’

Poezi nga Shpëtim Selmani

Kosova është laborator moral,
politik dhe religjioz,
sundimtarët duan vica të urtë,
mutsihanet e tyre gdhenden

në qaforet e votuesve,
askush nuk e do Kosovën,
as politikanët e saj,
e as Europa,

bota është koncept,
një popull i mjerë
që për dy dekada mëson
formulen e durimit të pafund,

i persekutuar nga vlerat, nga imitimi,
shpresa dhe e ardhmja që e mashtron,
ashpër dhe egër, egër dhe ashpër,
kombet e mëdha na kontrollojnë
lëvizjet, ejakulimet dhe me gishtin e tyre

të frikshëm në kokën tonë të butë,
na tregojnë definicionin e solidaritetit ,
dikur kishim kërkuar ndihmë,
tani lëpijmë çizmet e çdo urdhëri.
ky është fati,

historia është gjakpirëse në tregun
e popujve të vegjël,
ajo nuk ngopet me heronjë,
përmes të vegjëlve ajo e mban veten
në fron,

kombet e mëdha adhurojnë deklaratat
dhe vendimet primitive,
kështu ata grabisin lumturi dhe të drejta,
egocentrizmi përkufizon flamujtë,
magjistarët dështojnë në Kosovë,

profetët hidhen nga urat,
humanistet qëllojnë me kokë murin,
nënat qajnë kur shohin fytyrat e
pikëlluara të bijve të tyre që adhurojnë humorin,

në horizont duken ca dinosaur
që na tregojnë se çdo gjë është
e thjeshtë, e lehtë,

nuk ka nevojë për kaq shumë dhunë,
gjak dhe kaq shumë marrëveshje,
dhe pastaj çdo gjë shkëputet,
ndalet dhe shuhet. / KultPlus.com


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?