précis

Ahmet Qeriqi për librin e Bedri Halimit: Një roman për jetën, burgun e lirinë

(Vështrim për romanin, “Ecje nëpër furtunë”, vepër e autorit, Bedri Halimi)

Romani i personazhit, “Ecje nëpër furtunë” vepër letrare, artistike e dokumentare e shkrimtarit dhe veprimtarit të njohur, Bedri Halimi, shpalos kujtime nga jeta e vetë autorit, përmes Bledit, personazhit kryesor rreth të cilit janë shtjelluar të gjitha ngjarjet, ndodhitë, veprimet, vuajtjet nëpër burgje, ndjekjet pas lirimit nga burgu dhe tërë një jetë në lëvizje, me një dinamikë e ritmikë të pandalshme, të pandërprerë. Bedri Halimi është emër i njohur i lëvizjes atdhetare, i burgosur politik gjatë regjimit okupator serb, por edhe studiues, publicist e shkrimtar. Deri tani ka nxjerrë në dritë dhe ka botuar 15 vepra studimore, publicistike, letrare e artistike.

Romani, “Ecje nëpër furtunë”, me temë nga e kaluara e shqiptarëve të Kosovës e më gjerë të kohës nën regjimin serb e jugosllav, është ndërtuar me një syzhe jo aq të lëvruar në letërsinë tonë të pas luftës në Kosovë. Kritika jonë letrare, romanin e personazhit e trajton si roman autobiografik, edhe pse në esencë nuk është i njëjtë, sepse në romanin autobiografik, në radhë të parë kemi të bëjmë me paraqitjen e një kronologjie dokumentare të ngjarjeve e situatave përgjithësisht reale, me emra realë të personazheve, me ndodhi reale, të cilat në të shumtën e rasteve janë përshkruese dhe nuk zgjojnë kërshërinë e lexuesit.

Ky roman e ka të plotë strukturën ndërtuese, kompozicionin dhe disa nga njësitë me të cilat është ndërtuar edhe romani tradicional, i cili përfillë njësitë e veprimit, situatat e ndërlidhura, ndërthurjen e rrëfimeve, intrigën e në fund kulminacionin e zbërthimin e veprimit, qoftë real apo imagjinar.

Kronologjia e ngjarjeve, në Pjesën e Parë të romanit është rrëfyer përgjithësisht me përshkrime realiste të jetës dhe përjetimeve të hidhura në burg, ndërsa në Pjesën e Dytë, autori ka vazhduar rrëfimet, ndodhitë e të papriturat e kohës pasi ishte liruar nga burgu.

Romani i personazhit shkrimtarit i jep më shumë mundësi për të pasqyruar një realitet të caktuar, në mes reales dhe imagjinares, duke bërë një lidhje homogjene mes faktorëve, ku tema dhe idetë e shkrimtarit ndërlidhen me personazhin kryesor, i cili është edhe strumbullari rreth së cilit vërtiten ngjarje, ndodhi, njohjet me personazhe të tjerë realë dhe të imagjinuar.

Rrëfimi i biografisë në vetën e tretë njëjës, me emër të imagjinuar apo të koduar, me qëllim për t’ u zbërthyer lehtë nga lexuesi, nuk nënkupton doemos një personazh të veçantë në kushte dhe rrethana të caktuara, por përgjithësish lë për të kuptuar një personazh të tipizuar, që është bartës i rrethanave të përgjithshme shoqërore, në një periudhë të caktuar kohore.

Tema e burgut në letërsinë që është krijuar dhe po krijohet në Kosovë, nuk është sa duhet e lëvruar në romane, drama, por më shumë është e prezantuar me rrëfime, poezi, poema, letërkëmbim nga burgu, kujtime etj.

Bedri Halimi, në romanin e tij me titull letrar, “Ecje nëpër furtunë”, ka sjellë para lexuesit një botë të tërë të vuajtjes njerëzore nëpër burgje, duke e pasqyruar me besnikëri deri edhe në detaje, meqë e ka përjetuar mbi kurriz si dhe qindra e mijëra bashkëvuajtës, gjatë tërë kohës së robërisë së Kosovës.

Personazhi kryesor rreth të cilit zhvillohen të gjitha ndodhitë, situatat është Bledi, një emër që zbërthehet lehtë me shkronjën nistore, por pa mbiemër, ashti si Jozef K. i Franc Kafkës në romanin, “Procesi”, një roman i personazhit ndër më të mirët e letërsisë botërore. Nuk është fjala këtu për krahasim, mes këtyre dy autorëve, por vetëm për personazhin e koduar dhe segmente paralele të vuajtjeve individuale e kolektive të individëve dhe popujve.

Fati i Bledit dhe tërë jeta e tij është po ashtu një proces deri diku identik, me atë të procesit të Kafkës, meqë filli i vuajtjeve dhe ballafaqimit me një dhunë shtetërore, sistematike fizike e shpirtërore, edhe në këtë roman nis krejt pa pritur, në ditën kur derisa Bledi ishte nxënës i gjimnazit, mes orëve e thirrin në drejtorinë e shkollës ku edhe prangosin dy inspektorë të sigurimit, edhe pse ai ishte i moshës jo madhore.

Pastaj pasojnë rrëfimet një pas një, nga në një burg, në burgun tjetër hetues, pastaj ngritja e aktakuzës, gjykimi, shpallja fajtor për veprimtari të organizuar kundër rendit kushtetues, e përkufizuar politikisht si veprimtari mbi baza të “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, pastaj vuajtja e dënimit nga burgu në burg deri në burgun më famëkeq të kohës, në Goli Otok të Kroacisë.

Sado që jeta në burg në vetvete duket monotone, e bezdisshme, e dhunshme në çdo orë të ditës, në çdo ditë të javës, në çdo muaj të vitit e në vitet e shumta nën pranga dhunë e terror, ajo ka edhe këndin e vet real, ditor, në ballafaqim me të gjitha segmentet e dhunës sistematike të pushtetit. Përveç dhunës pushtetare, jetën në burg edhe më të zezë e bëjnë të burgosurit, sidomos ata që janë dënuar për vepra kriminale, vrasje, dhunim, plaçkitje, krim ekonomik e të tjera.

Të burgosurit politikë në burgjet e kazamatet e Jugosllavisë kanë qenë specialitet i veçantë, lloj tjetër i njerëzve, idealistë, njerëz të drejtë, parimorë, të guximshëm, të pathyeshëm, të përgjegjshëm, të përmbajtur ndaj njëri tjetrit, por edhe ndaj të burgosurve për vepra të ndryshme kriminale, por të pa kompromis në raport me pushtetarët, gardianët, milicët, prokurorët, gjykatësit, personelin e burgut, që me të drejtë konsideroheshin si segmente dhune të pushtetit, veçmas mbi të burgosurit shqiptar.

Bledi i ri me kohë fillon të burrërohet nëpër burgje. Njihet me të burgosur të tjerë shqiptarë, me të cilët jeton si në një familje të madhe, meqë hallet, idealet dhe synimet i kanë të përbashkëta, madje edhe betimin për të mos u ndarë nga idealet dhe për të vazhduar realizimin e tyre edhe pas daljes nga burgu.

Pastaj jeta në burgjet e mbyllura, apo sikur quheshin burgjet hetuese, ku mbaheshin shumica e të burgosurve politikë shqiptarë, kishte vetëm një favor, sikur ishte leximi i veprave të ndryshme dhe që ishte një vet arsimim e llojit të vet. Po ashtu mësimi i gjuhëve të huaja, përcjellja e shtypit apo lajmeve ditore që i mbante ata në korrent të zhvillimeve të ndryshme shoqërore e politike të kohës.

Një i ri si mosha e Bledit, e shumë të tjerë si ai pasi kishin kryer burgun ishin pajisur me dituri e njohuri të caktuara më shumë se një profesor me diplomë fakulteti. Gjatë një viti në burg, i burgosuri shqiptar i kohës, kishte lexuar më shumë se një student shembullor që kishte lexuar gjatë katër viteve të studimeve.

Nga përmbajtja dhe rrëfimet e shumta dhe të llojllojshme të këtij romani, përjetimet, dhuna, durimi, kalitja fizike e shpirtërore, zbulojmë shpirtin e pathyeshëm revolucionar të rinisë dhe përgjithësisht të shqiptarëve militantë, që në rrugën e lirisë nuk e kishin anashkaluar as një vit të vetëm, pa rezistencë, që nga vitit 1945, kur Kosova dhe viset e shumta shqiptare kishin mbetur sërish nën Jugosllavinë e kohës e deri në virin 1999, kur kjo pjesë natyrale e Shqipërisë ishte çliruar nga okupimi jugosllav, me luftën e lavdishme të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ku të burgosurit politikë kishin përbërë bërthamën politike e ushtarake të saj, si dhe me ndihmën e botës demokratike përparimtare të Aleancës Ushtarake Veriatlantike.

Në Pjesën e Dytë të romanit, “Ecje nëpër furtunë” të shkrimtarit, Bedri Halimi, shpaloset me të gjitha dimensionet një burg i madh, burgu kolektiv i shqiptarëve sikur ishte Kosova në vitet 80-të e 90-të të shekullit të kaluar.

Lirimi nga burgu i Bledit dhe i të burgosurve të tjerë ishte përplot me sfida, sërish nën përcjellje dhe ndjekje, në vëzhgim e pengim, duke mos i lejuar të studionin, duke mos i lejuar të punonin në arsim, edhe pse e kishin vuajtur dënimin, meqë për mësimdhënësit dënimi vazhdonte edhe për shumë vite të tjera, me pa të drejtë të punonin në arsim. Po ashtu i pengonin të zinin punë dhe të bëheshin pjesë e angazhimeve e aktiviteteve të ndryshme shoqërore.

Megjithatë gjithçka në jetë ndodhin të pritura e të papritura.

Babai ideologjik e shpirtëror i të burgosurve politikë shqiptarë, Adem Demaçi, thoshte, jeta pasha Bacën i ka ligjet e veta, ligjet e pagabueshme dhe secili njeri apo komb i robëruar e gjen rrugën e vet, sepse ligjet e jetës nuk i bën zap asnjë tiran, asnjë diktator.

Kështu kishte ndodhur edhe me armatën e të burgosurve politikë shqiptarë.

Ajo ishte armata që ishte kalitur në burgje e zandanë të ish-RSFJ-së, ishin bijtë e bijat më të përkushtuara të kombit që kishin lidhur besë betimin duke u përgatitur e duke u kalitur fizikisht e shpirtërisht, për të dhënë fund robërisë shekullore, duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e veta dhe duke mos kursyer asgjë, me qëllim për ta flakur tutje këmishën e zezë të robërisë, sepse në luftë për liri, krejt çka mund të humbin njerëzit, është humbja e këmishës së robërisë, sikur thoshte Karl Marksi.

Kthimi në shtëpi, vazhdimi i shkollimit me shumë vështirësi i Bledit dhe i shokëve të tjerë të burgut, përpjekja për të zënë punë dhe për të ngritur një familje, ishin preokupimet kryesore të të burgosurve shqiptarë, të cilët në viteve ’90-të me rastin e fillimit të shpërbërjes së burgut të popujve të quhej Jugosllavi, ishin liruar shumica e të burgosurve politikë shqiptarë e të tjerë të viteve ’80-të, por meqë lufta për liri nuk kishte ndalur asnjëherë, edhe burgjet e Serbisë kurrë nuk kishin mbetur pa shqiptarë liridashës.

Pjesa e dytë e romanit kronologjikisht mbaron me përfundimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe Bledi dhe qindra e mijëra ish të burgosur dhe ish të përndjekur nga regjimi gjakatar i Serbisë milosheviqiane.

Duke lexuar romanin “Ecje nëpër furtunë” të veprimtarit, studiuesit e shkrimtarit, Bedri Halimi njihemi me shumë të dhëna të rëndësishme të kohës, përmes përshkrimeve që ai i ka bërë jetës, natyrës, njerëzve në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë, Zona e Opojës e Dragashit, ndikimin që kishte ushtruar Shqipëria Socialiste në zgjimin dhe kalitjen e ndërgjegjes kombëtare për çlirim e bashkim të shqiptarëve të mbetur nën robërinë e Jugosllavisë, literatura me përmbajtje kombëtare që sillej nëpër kanale ilegale nga Shqipëria në Kosovë, ndikimi i emisioneve të Radio-Tiranës dhe Radio-Kukësit, kalimi ilegal i kufirit, pastaj sa e sa lëvizje të tjera të jetës së shqiptarëve liridashës që qëllim mbi të gjitha qëllimet kishin çlirimin dhe bashkimin e kombit në një shtet të vetëm.

Bedri Halimi, ka arritur që përmes një romani jo edhe aq voluminoz të përmbledh rrëfime, ngjarje, ndodhi, faqe reale të historisë së kombit dhe të jetës së tij në bashkëvuajtje të dënimeve me shumë shokë të idealit, si dhe në aktivitete të pandalshme atdhetare para gjatë dhe pas daljes nga burgu, prej vitit 1981 deri në vitin 1999.