précis

Afshi i Zjarrtë

Poezi nga Vjollca Aliu

AFSHI I ZJARRTË

Vargjet marrin ngjyrë zjarri
Kur shkruaj me ngjyrën e zemrës
Poezia merr flakë si zemra
E pena thyhet nga afshi i fjalëve pa zë.

Flaka e zjarri bashkohen
Fjalët marrin udhë në vargje
Por lundra tundon zemrën
Sikur të kërkonte spirancën e qetësisë.

Kur më ngrinë shpirti
I bëj ballë çdo stuhie e rrebeshi
S’më nevojiten receta për asgjë
Qetësimi im i vetëm është vetmia.

Në qetësinë e shurdhër numëroj yjet
Shëtis në galaktikë pa ditur se ç’po kërkoj
Yjet puthen e hëna u sillet vërdallë
Nata merr zjarr e dita flakës i bën ballë.