Op/Ed

Urgjentisht t’i kthehemi vetvetes, jo, jo, e humbëm edhe atë pak që na ka mbetur në dorë!

Nga Dr. Mustafa Bajrami

Kur kam folur në një ligjëratë për besimin- imanin, kam thënë se besimi në Zotin nuk guxon të kuptohet (vetëm) si besim në një Qenie Eksternale, të jashtme, por është besim në vetvete, besim në unin dhe karakterin e brendshëm.

Domethënë, fjala Islam që e ka kuptimin e nënshtrimit dhe paqes, të shpjegohet si nënshtrim ndaj karakterit të brendshëm dhe paqe fillimisht me vetveten. Vetëm ky lloj besimi e bënë njeriun idealist.

Njeri që e do vetveten dhe të veten. Dmth, njeri në plotëkuptimin e fjalës. Përndryshe, kam thënë, njeriu pa idealizëm është vetëm trup që konsumon, si gjithë trupat në natyrë. Ai vetëm ‘ekziston’, por më nuk ‘është’.

Në një shoqëri ku idealizmi shihet si fjalë e çuditshme ndërsa njeriu idealist si naiv, aty ka probleme serioze me besimin në Zotin dhe me karakterin e brendshëm të njeriut.

Shqiptarët sot më nuk janë idealistë. Ata e kanë humbur sensin e dashurisë për vendet e tyre dhe për shtetet e tyre. Për të veten.

Për atë që është e tyre. Që është burimore dhe e traditës. Për shqiptarët sot është e mirë vetëm ajo që vjen nga jashtë, sepse të veten e kanë denigruar deri në ekstrem.

Andaj jemi në këtë gjendje. Andaj asgjë nuk na duket e mirë. Andaj shqiptarët janë ngulfatur dhe mezi presin të shkojnë tek e huaja për të marrë frymë. Shqiptarët kanë probleme serioze me besimin në Zot, me besimin në vetveten dhe me karakterin e tyre.

Shqiptarët duhet t’ia nisin rishtas. Dhe atë në dy drejtime. Fillmisht, njerëzve injorantë dhe të korruptuar tua marrin nga dora përgjegjësinë e arsimimit, dhe, e dyta, të fillohet ri-interpretimi i fesë me gjuhën e nevojave, kërkesave dhe dinamikave të kohës..!


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19