Op/Ed

Të gjithë dimë t’i themi problemet, por jo t’i zgjidhim: Për çka ekzistojnë pushtetarët tanë?

Nga Jetlir Buja

Derisa po lexoja Draft-Statutin e përgatitur nga ekspertë gjermanë që mund të jenë kontraktuar nga Qeveria e Gjermanisë më lindi vetiu një pyetje: për çka ekzistojnë këta njerëz?

Në mendje e kisha veçanërisht Besnik Bislimin, Zëvendës-Kryeministër i Kosovës dhe përgjigjen e tij në një pyetje të thjeshtë që i kishte bërë Ermal Panduri: A kanë të drejtë shqiptarët e komunave veriore me shumicë serbe të marrin shërbime nga operatorët tanë apo veç nga Elektroseveri?

Përgjigja e tij kishte qenë “Unë jam politikan e ky është teknikalitet!” Pra, shefi i dialogut teknik që e kishte detyrë të merrej me këto çështje nuk e dinte përgjigjen në një pyetje kaq të rëndësishme që nuk prek vetëm jetën e mijëra banorëve por edhe karakterin multietnik të shtetit tonë dhe sovranitetin e vendit.

Besnik Bislimi nuk është politikan. Ai është person joqesharakisht i padijshëm. Tragjikisht i padijshëm.

Draft-Statuti i Asociacionit – sado i dëmshëm qoftë – merrej edhe me këto ‘teknikalitete’. Përmendte diversitetin etnik, e shqiptarët që jetonin në komunat me shumicë serbe. Bash ky Draft-Statut që – është qëndrim personal – prish rendin kushtetues të Kosovës.

Por, ky nuk është një Draft-Statut që na erdhi nga havaja. Është një Draft-Statut që merr përsipër të adresojë mospërputhjet me standardet kushtetuese që i kishte gjetur Gjykata Kushtetuese me anë të Aktgjykimit të 23 dhjetorit 2015. Pra, bazohet kryekëput në Elementet Kyçe të Parimeve të Përgjithshme të marrëveshjes së nënshkruar më 25 gusht 2015. Dhe është, një nga qëndrimet jozyrtare të Gjermanisë. Kjo është e rëndë!

Pra, përkundër që kanë kaluar shtatë vjet e kusur prej që u nënshkrua ajo marrëveshje dhe përkundër që janë zhvilluar ndoshta mijëra debate politike në lidhje me çështjen, nuk ka lëvizje për asnjë milimetër.

Nëse Isa Mustafa e Hashim Thaçi kanë bërë gabim që i kanë nënshkruar marrëveshjet e vitit 2015 dhe 2013 respektivisht, atëherë pse nuk lëvizëm ASPAK në drejtim të përmirësimit të gjendjes?

Pse nuk ka një Draft-Statut gjerman që nuk i jep kompetenca ekzekutive Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe? Pse ende ShBA-të, Gjermania dhe partnerët tjerë të Kosovës flasin për Asociacion? Pse nuk i bindëm për kaq shumë kohë, pas kaq shumë fjalësh, që Serbia po provonte të ndante Kosovën në vija etnike dhe se kjo e defunksionalizonte shtetin? Gati të gjithë pajtohemi, por këta pushtetarë marrin pagë dhe privilegje që të përfaqësojnë këtë bindje kolektive.

Mos vallë se kemi të bëjmë me pallavraxhi të pazotë që s’mund të kryejnë një punë të vetme?

Kurti në anën tjetër përkundër dekadave të tëra në kundërshtim të dialogut me Serbinë, u rras mu në të si pa të keq dhe pa iu plotësuar asnjëri prej kushteve të kërkuara prej tij. Thua se, e gjithë ajo që kishte thënë e stërthënë kundër negociatave nuk kishte rëndësi. Dhe, pa ofruar asnjë alternativë se si Kosova të ecte përpara në dialog. Pa ofruar asnjë alternativë se si të shmangnin Asociacionin e dëmshëm.

Sot, Besnik Bislimi thotë që Serbia është e interesuar të stërzgjas arritjen e një marrëveshjeje finale. Por, çka po bën Qeveria në të cilën ai bën pjesë që të pengojë Serbinë për ta realizuar këtë interes. Edhe këtë interes!

Sot, Elektroseverit nuk i hiqet licenca përkundër shkeljes së afateve për plotësim të kushteve të përshkruara në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë. Dje, u arrit një marrëveshje mes KESCO-s dhe Elektroseverit, përmbajtjen e të cilës nuk na e thanë. Pardje (figurativisht pardje), u arrit marrëveshje gojore (merreni me mend, gojore) për dokumentet e udhëtimit që licencon dokumentet që lëshohen prej strukturave paralele. Sot, dje e pardje, ajo që po ndodh është kulmi i turpit dhe pazotësisë.