E martë, 26 Maj, 2020
Op/Ed

Si ndikon ankthi në blerjet tona?

Shruan: Utpal M. Dholakia (PHD candidate)



Shumë nga blerjet tona, apo grumbullimi i rezervave ushqimore janë të lidhura ngusht me ankthin. Në kohën kur virusi “Corona” po na kërcënon të gjithëve, dhe kur rutina dhe jetët tona kanë ndryshuar rrënjësisht, shumica prej nesh po përjetojmë nivele më të larta të ankthit. Por si ndikon ankthi në aktivitetin tonë të blerjes? A është e mundur që edhe në këto rrethana ne të blejmë me urtësi dhe maturi? Në këtë artikull do të mundohem tu përgjigjem këtyre dy pyetjeve dhe për këtë do të bazohem në disa hulumtime të psikologëve sa i përket kësaj problematike.

1.) Ankthi nxit blerjet impulsive dhe pa kontroll

Ankthi stimulon blerjet impulsive. Blerja në mënyrë impulsive, apo si njihet ndryshe edhe terapia e blerjes, na ndihmon të ndjehemi më mirë dhe të fitojmë kontrollin mbi një situatë që duket sikur është jashtë kontrollit. Një studim zbuloi se kur njerëzit e trishtuar bënin zgjedhjet për blerje, kjo lehtësonte trishtimin e tyre. Ata që janë të prirur ndaj ankthit mund të jenë edhe më të prekshëm ndaj blerjeve impulsive në mënyrë të vazhdueshme. Në një studim tjetër, konsumatorët të cilët kishin një reagim më të lartë stresi – të cilin autorët e përcaktuan si “ndryshime sistematike në shpeshtësinë dhe intensitetin e përgjigjes ndaj shenjave të situatës me gjendje negative emocionale (ankthi, zemërimi, shqetësimi dhe faji”) – gjithashtu ishin të prirur për të blerë në mënyrë impulsive. Disa studiues argumentojnë se gjendja e vazhdueshme e ankthit, pavarësisht nga burimi, mund të rezultojë në blerje impulsive ose të rrisë frekuencën e saj midis blerësve, pasiqë blerja bëhet një mënyrë rutinore për të reduktuar ankthin dhe shqetësimin emocional.

2.) Ankthi na nxit të blejmë gjëra që na japin më shumë siguri



Kur jemi në ankth, ne natyrshëm kërkojmë rehati dhe kontroll mbi situatën. Disa psikologë socialë besojnë se gjendja e ndjenjave tona siguron një burim të dobishëm informacioni për marrjen e vendimeve. Për shembull, dikush që është i trishtuar mund të përdorë terapinë e blerjes si një mënyrë për të riparuar gjendjen e tij shpirtërore. Kur ne jemi në ankth, nga ana tjetër, ky është një sinjal se mjedisi ynë është i pasigurt dhe jashtë kontrollit tonë. Kur marrim vendime për blerje në këtë gjendje, ne gravitojmë drejt zgjedhjeve që janë të sigurta dhe të besueshme, si një mënyrë për të zvogëluar rrezikun dhe pasigurinë që po përjetojmë në jetët tona. Në një hulumtim, pjesëmarrësit në gjendje ankthi shprehën preferenca më të mëdha për një makinë që ishte e pajisur me mjete shtesë të sigurisë sikurse është një sistem anti-rrëshqitës, në krahasim me një makinë luksoze. Në kushtet e ankthit të papritur dhe ekstrem, kjo tendencë për të kërkuar sigurinë dhe kontrollin mund të çojë në sjellje të dëmshme si blerjet e panikut dhe grumbullimin e rezervave.

3.) Ankthi na shtyn të shpenzojmë në gjëra luksoze

Ankthi që shoqërohet me pyetjet mbi problemin e vdekjes dhe mbijetesën gjithashtu ka një efekt paradoksal në sjelljen tonë gjatë blerjeve. Me pak fjalë, ai promovon vlera dhe vendime materiale. Shumë njerëz mbështeten në blerje dhe konsumim si një nga mënyrat thelbësore për të krijuar kuptim në jetët e tyre dhe për të përjetuar lumturi, edhe nëse ajo është jetëshkurtër. Konsideroni ata që drejtojnë një makinë të shtrenjtë Alfa Romeo ose mbajnë një çantë dhjetë mijë dollarëshe ‘Hermes Birkin’. Këto dhe markat e tjera luksoze, nuk ofrojnë domosdoshmërisht cilësi më të madhe dhe as nuk janë më funksionale se sa ta zëmë një makinë Toyota ose një çantë më pak luksoze. çmimet stratosferike të markave luksoze krijojnë atë që ekspertët e marketingut e quajnë “vlerë e shtuar e luksit”, e cila definohet si “efekt i statusit shoqëror i lidhur me markën, dhe të cilat krijojnë një lloj sigurie sociale, apo ndjenjën e vetbesimit për shkak të perceptimit që supozohet se na vjen nga të tjerët. ” Produktet luksoze, nuk kanë të bëjnë me atë që bën produkti por ka të bëjë kryesisht me kuptimin që krijohet duke blerë, shfaqur dhe përdorur produktin luksoz.



“Paraja, dhe tërheqja e asaj që paratë mund të blejnë — për shembull, seancat me sauna luksoze, palestra, ndërhyrjet plastike kirurgjikale, veshjet luksoze, stolitë e shtrejta, nevoja për tu dukur gjithnjë i ri, tërheqës dhe seksual, përgjithmonë të rinj tërheqës seksualë, apo ekspozimi i veturave të shtrenjta, sipas psikologëve ua largon njerëzve idenë se ata janë thjeshtë disa kafshë që në fund do të vdesin.

4.) Si ta menaxhojmë ankthin dhe të blejmë në mënyrë normale

Ankthi shoqërohet me vlera dhe sjellje blerëse që janë të këqija për mirëqenien tonë financiare dhe psikologjike, si në planin afatshkurtër dhe afatgjatë. Dhe këto rezultate, nga ana tjetër, kontribuojnë më tej në ankthin tonë, duke prodhuar një rreth vicioz. Në javët e kaluara, pandemia Coronavirus ka rritur nivelin e ankthit dhe ka ndryshuar në mënyrë dramatike sjelljet tona të blerjes. Në një farë mënyre, kufizimet e imponuara nga pandemia si vetë-izolimi, kanë shkaktuar ndrydhje në raport me blerjet. Duke qenë se shumë dyqane janë të mbyllura bizneset po fillojnë të bëjnë shitje përmes internetit.

Duket se është shumë e vështirë të blini në formë impulsive në rrethana të tilla sikur ato që janë sot. Sidoqoftë, rregullimi i sjelljeve të nxitura nga ankthi, si blerja e mallrave në sasi të mëdha, si një mënyrë për t’u ndjerë të sigurt kërkon më shumë përpjekje nga ana jonë. Si ta bëni këtë? Një qasje efektive është t’i kthehemi rutinave tona të zakonshme të blerjeve sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo do të jetë veçanërisht e dobishme për ata që janë konsumatorë të kujdesshëm, rutinat e rregullta të të cilëve favorizojnë blerje të kontrolluara./Virtualsophists.org