Op/Ed

Shamia në mendjen e të paçliruarit

Nga: Shpend Kursani

Kush ju mësoi ta urreni teksturën e flokëve tuaja? Kush ju mësoi ta urreni ngjyrën e lëkurës suaj aq sa të shkoni e të përdorni zbardhues mbi të që të dukeni si njeriu i bardhë? Kush ju mësoi ta urreni formën e hundës dhe buzëve tuaja? Kush ju mësoi ta urreni vetën e juaj nga maja e kokës e deri tek tabani i shputave tuaja? Kush ju mësoi ta urreni llojin e juaj? Kush ju mësoi ta urreni racën të cilës i përkisni, aq shumë sa që nuk doni të qëndroni më me njëri tjetrin?

Këto fjalë janë pjesë e një fjalimi të gjatë që aktivisti i të drejtave njerëzore në ShBA, Malcolm X, kishte mbajtur në pranverën e vitit 1962 në Los Angeles, disa ditë pasi policia e të njëjtit qytet kishte vrarë aktivistin tjetër, Ronald (X) Stokes, dhe kishte plagosur plot zezakë tjerë të qytetit. Më pak se 3 vite kur edhe vet Malcolm X do ta gjente vdekjen nga 21 plumba të shkrepur mbi të gjatë një fjalimi në Manhattan të New York-ut.

Fjalët e Malcolm X, shikuar në kontekstin e kohës dhe të qindra fjalimeve të tij brenda dhe jashtë ShBA-ve, thërrisnin zezakët të çlirohen nga sundimi i të bardhëve. Sundimi dhe dhuna e të bardhëve mbi zezakët në ShBA nuk ishin krejt të thjeshta. Nuk ishte vetëm atë çka e kapte syri e dëgjonin veshët. Nuk ishte vetëm vuajtje nga dhuna e përditshme fizike.

Malcolm X sugjeronte që të bardhët nuk do të mund të sundonin mbi zezakët përpara se t’ua krijonin këtyre të fundit kompleksin e inferioritetit përgjatë sundimit qindra vjeçar mbi ta. Kompleks ky që çoi shumë zezak të paçliruar ta urrenin qenien e tyre, duke filluar t’i imitonin të bardhët. Andaj, sipas Malcolm X, për t’u çliruar, zezakët së pari duhet të mendojnë se kush i mësoi ata ta urrenin atë çka ishin – qenien e tyre.

Analizat e Malcolm X mbi funksionin historik të shtypjes e sundimit të bardhëve mbi zezakët anembanë botës mund të gjejnë zbatim edhe në kontekstet e grupeve dhe popujve tjerë të shtypur, edhe atëherë kur përvoja e shtypjes nuk është e njëjtë me përvojën fatkeqe të zezakëve.

Serbët nuk do mund të sundonin fizikisht mbi shqiptarët përpara se fillimisht t’i sundonin ata psiqikisht. Para se t’i kompleksonin ata. Para se ta themelonin vetën si qenie superiore në mendjen dhe qenien e shqiptarit. Edhe pse të çliruar fizikisht, shqiptarët akoma mbesin të paçliruar nga serbet – dhe jo vetëm.

Shqiptarët tashmë janë të sunduar edhe nga evropianët e amerikanët, sepse këta të fundit, edhe pse nuk provojnë dhunë fizike ndaj shqiptarëve, sundojnë mbi ta, fillimisht duke i kompleksuar të njëjtit. Duke e instaluar qenien e tyre si superiore mbi qenien dhe mendjen e shqiptarit. Për më keq, sundimtarët e tanishëm mbi shqiptarët kanë edhe një armë historike sunduese që edhe më shume se serbët i kompleksojnë shqiptarët. Janë bilur të bardhë. E edhe më keq, vazhdojnë me konsistencë, tani më rrezikshëm sepse më fshehur, racizmin që historikisht i karakterizojnë sundimtarët e tanishëm të shqiptareve.

Në periudhën gati çerekshekullore të çlirimit fizik të shqiptarëve këndej e andej kufirit, sundimi mbi ta vërehet në perversitetet e tyre të skajshme që i shpërfaqin. Në urrejtjen që kanë ndaj qenies së tyre. Çka them këtu vlen vetëm për shqiptarët që jetojnë të sunduar në tokat e tyre, e jo për ata që tashmë i kanë lëshuar ato, sepse për këta të fundit meritohet analizë tjetër.

Shqiptari i çliruar fizikisht, nuk di më të shkruaj në gjuhën e tij amtare. Merreni dhe lexoni vetëm ca fjali të shkruara nga cilido pjesëtar i elitës së arsimuar të popullit shqiptar në çerekshekullin e fundit. Lexoni si shkruan një doktor, avokat, gjykatës, prokuror, mësues, a profesor shqiptar në gjuhën e saj/tij amtare. Nuk mund ta lexosh dot shqipen nga ta. E tëra çka mund të lexosh është një perversitet gjuhësor të shqipes. Nga kompleksi, shqiptari nuk gjen më vlerë në gjuhën e tij.

Shqiptarët shpërfaqin perversitete tjera nga urrejtja që e kanë për qenien e tyre. Shikoni në këtë çerekshekull të çlirimit të tyre fizik mburrjen që prindërit e tanishëm shqiptarë kanë kur fëmija i tyre i flet gjuhët e sundimtarëve të tyre më mirë se gjuhën amtare. Shikoni perversitetet e shqiptarëve të kompleksuar karshi sunduesve të tyre të bardhë në “pagëzimin” e fëmijëve të tyre me shkronja në emra që nuk gjejnë formë shqiptimi në gjuhën e tyre amtare. Shqiptari sot mbetet psiqikisht njeri i cili e lufton qenien e tij, i rraskapitur kështu nga kompleksi i inferioritetit karshi sundimtarëve të tyre të gjithëfuqishëm.

Kur shqiptarët e Kosovës e fituan çlirimin e tyre fizik nga ndihma që iu erdhi si rrjedhojë e interesave të sundimtarëve të rinj të tyre, aq shumë u komplesuan sa që nga koha kur e shpallën pavarësinë e tyre nominale më 2008, vazhdojnë të sjellën si fajtor të pavarësimit të tyre karshi sundimtarëve të tyre të rinj. Sundimtarët e rinj vazhdimisht ua kujtojnë këtë “faj” të pavarësimit shqiptarëve të Kosovës, gjë që vërehet edhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me sundimtarin e tyre paraprak.

E ku më së shumti vërehet kompleksi i inferioritetit të shqiptarëve dhe urrejtjen që kanë për qenien e vete është te perversitetet që ata shpërfaqin në marrëdhënie me fenë dominuese të tyre – Islamin. Kur shqiptari pyetet nga ndonjë i huaj perëndimor për fenë e tij, e vëreni sundimin psiqik mbi shqiptarin nga përgjigja e tij. Nga kompleksi i inferioritet shqiptari me drojë përgjigjet se është mysliman, dhe është i pashmangshëm vazhdimi në përgjigje me një sërë sqarimesh shtesë se e pi alkoolin, deri në atë masë që kur në prani të sundimtarëve pi alkool, e pi më shumë se këta të fundit.

Vetëm e vetëm t’i tregoj sundimtarit që është njësoj si vetë sundimtari, e “pagëzon” fëmijën me emra e shkronja të sundimtarit, e shtyp fëmijën e mitur ta mësoj gjuhën e sundimtarit më mirë se të vetën amtare, dhe mbase edhe fillon ta mësojë fëmijën të duket si fëmija i sundimtarit. Perversitete të pashmangshme nga kompleksi i inferioritetit.

Urrejtja që elitat komentuese shqiptare tregojnë për një copë pëlhure mbi një grua tjetër shqiptare myslimane apo për një burrë mysliman që (ende) nuk duket si sundimtari i tyre, më së miri mund të kuptohet në kontekstin e shtypjes psiqike të këtyre elitave. Shqiptari i shtypur e i kompleksuar dëshiron ta disiplinojë në dukje atë që nuk duket njëjte si sundimtari i tij.

Me ketë gjendje të rënduar të shtypjes psiqike shqiptarët nuk mund të qëndrojnë me njëri-tjetrin. Nuk e durojnë njëri-tjetrin. Ata e urrejnë njeri-tjetrin. E urrejnë qenien e tyre. Kështu do mbetet me shqiptarët derisa nuk fillojnë të pyesin e të gjejnë përgjigje në atë se kush i mësoi ta urrejnë atë çka janë – qenien e tyre, mbase dominuese myslimane. Gjithmonë të paçliruar do mbeten ata që nuk gjejnë përgjigje.

** Ky artikull është shkruar për Gazetën Express