Op/Ed

Rikthimi i demokracisë militante

Konflikti i ri ideologjik në botën që kemi përpara nuk do të jetë konflikt i qytetërimeve, siç e parashikonte Huntington, tridhjetë vjet më parë, por konflikt midis demokracisë dhe autoritarizmit. Ata që pëlqejnë termat ekonomikë do ta quanin “konflikt midis kapitalizmit liberal dhe kapitalizmit autoritarist”. Ose me termat e nostalgjikëve të lashtësisë do të mund ta quanim “një version modern i konfliktit të lashtë midis Athinës dhe Spartës”. Sidoqoftë, një gjë tanimë është e qartë: Liria, siç do të thoshte Foucault, mbetet një punë e pakryer.

Nga Blerim Latifi

Çdo herë, pas përfundimit të një lufte, njerëzit janë të prirë të mendojnë se kurrë më nuk do të ketë luftë. Kështu ka ndodhur në përfundim të Luftës së Parë Botërore, e cila, nga optimistët e atyre ditëve, quhej “lufta që do t’u jepte fund të gjitha luftërave”.

Po ashtu, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, i njëjti iluzion ngrohu për pak kohë zemrat e njerëzve të mbijetuar të saj.

Edhe kur mbaroi Lufta e Ftohtë, në vitet ’90 të shekullit të kaluar, e njëjta histori u përsërit. Madje me një shkallë entuziazmi shumë herë më të madhe. Asokohe evropianët e festonin “fundin e historisë”, happy end-in e përplasjeve të mëdha ideologjike, të cilat e kishin afruar njerëzimin në buzë të humnerës së shkatërrimit bërthamor. Fashizmi ishte mposhtur më herët. Edhe komunizmi pas tij. Botës i mbetej vetëm një rrugë: të përqafonte demokracinë liberale dhe begatitë e saj. Libri i Francis Fukuyamës, që afirmonte këtë tezë, lexohej si ungjilli i të ardhmes. Luftërat në ish Jugosllavi, që shpërthyen në ato ditë të gëzimit të madh historiko-botëror, shiheshin vetëm si përplasje fisesh primitive ballkanike, që nuk mund ta prishnin festën e madhe. Kur njëri prej shefave të këtyre fiseve, Sllobodan Millosheviqi, shkoi në ekstrem me masakrat e tij në Kosovë, Perëndimi la për pak kohë festën për ta ndaluar atë. Kosova shpëtoi për pak nga tragjedia e gjenocidit. Qetësia në Evropë u rivendos. Ndërkohë, Bashkimi Evropian po rritej ekonomikisht e politikisht, të gjithë donin të bëheshin pjesë e parajsës së tij liberale, ndërsa ushtritë shiheshin me përçmim. Askush në Evropë nuk donte të humbiste para në to. Filluan të shtoheshin zërat se edhe NATO-s i duhej vënë dryni, ndërsa individualistët liberalë dhe pacifistët multikulturalistë shpallnin fundin e kombeve etnike, të nacionalizmit e shteteve kombëtare. Ëndrra e bukur e paqes së përhershme kantiane më në fund po bëhej realitet. Djalli ishte futur në shishe përfundimisht. Askush nuk e merrte seriozisht faktin se në lindje të Evropës, mbi gërmadhat e Bashkimit Sovjetik po ndërtohej një përbindësh i ri, autoritarizmi oligarkik i Vladimir Putinit. Edhe kur e panë shfaqjen e tij, përsëri evropianët e happy end-it historik nuk u trazuan. Nuk u trazuan, sepse besonin se ky përbindësh do të mjaftohej me punët në oborrin e tij dhe nuk do të përzihej në punët e shtëpisë tonë liberale e demokratike.

Sulmi mbi Ukrainën i këtij përbindëshi i dha fund krejt këtij ëndërrimi me sy hapur.

Ky sulm erdhi në kohën kur edhe vetë Perëndimi disi kishte filluar të akomodohej me heqjen dorë nga ideja e globalizimit të sponsorizuar të demokracisë, e cila kishte njohur lulëzimin e saj më të madh të nesërmen e rënies së Murit të Berlinit.

Tërheqja amerikane nga Afganistani, verën e vitit që shkoi, u lexua nga forcat autoritariste në botë si ngjarje domethënëse me të cilën niste kalimi në defensivë i Perëndimit demokratik. Nuk është e rastësishme pse të nesërmen e largimit të ushtarit të fundit amerikan nga Afganistani, në Moskë filluan planet për të kundërofensivën autoritariste. Putini po mendonte se ora e historisë për të kishte ardhur. Periudha të cilën ai e kishte harxhuar në planet për diskreditimin dhe destabalizimin e demokracive perëndimore, përmes propagandës dhe mjeteve tjera të luftës hibride, tani duhej t’ia linte vendin periudhës së imponimit me forcë të modelit rus të qeverisjes përtej kufijve të Rusisë. Në këtë kontekst Ukraina duhej të ishte targeti i parë. Ëndrrat e saj për t’u bërë pjesë e Evropës demokratike duhej të merrnin fund njëherë e përgjithmonë. Ajo duhej të kthehej në një Bjellorusi të dytë, e sunduar nga një Lukashenko i dytë. Gjithmonë për llogari të interesave ruse. Kështu do të fillonte krijimi i një realiteti të ri gjeopolitik në Europë, realitet gjeopolitik në të cilin Rusia do të shfaqej si një fuqi e madhe, e rrethuar nga shtete satelite të saj.

Rënia e Ukrainës do të përbënte fazën e parë në rikthimin e zonës së dikurshme të influencës sovjetike. Nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, në fazën tjetër fati i zi do t’u trokiste në derë ish republikave sovjetike të Baltikut dhe Ballkanit të trazuar, shkaku i mospërfshirjes në Bashkimin Evropian.

Por ajo që po shohim këto ditë në Ukrainë, po na dëshmon se kalkulimet e mendjeve sovjetike të Putinit kanë qenë të gabuara në thelbin e tyre. Po del se ka qenë i gabuar kalkulimi se Ukraina do të gjunjëzohej brenda dy tre ditësh nga forca e një blitzkrieg të rrufeshëm të armatës ruse. Rezistenca e fuqishme ukrainase është duke e mahnitur botën. Kjo rezistencë bëri që të dështoi edhe kalkulimi tjetër i shtabit rus të luftës, kalkulimi se Perëndimi, i ndarë e i përçarë prej vitesh, nuk do të ishte në gjendje të reagojë njëzëri dhe praktikisht ndaj sulmit rus mbi Ukrainën. Shembulli heroik i presidentit Zelenskyy i çoi peshë zemrat e të gjithë njerëzve anë e mbanë botës dhe e ngriti në këmbë Perëndimin e përgjumur nga dozat e larta të konsumimit të opiumit të quajtur “fundi i historisë”. Derisa tanket ruse po hasin në rezistencën e pashembullt të popullit ukrainas, sanksionet ekonomike të Perëndimit janë duke i bërë dëme të pallogaritshme ekonomisë ruse, të ngritur mbi sistemin e oligarkisë autoritariste. Krahas kësaj imazhi politik dhe moral i Putinit sot njëjtësohet me imazhin e diktatorëve më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi, të tillë si Hitleri dhe Stalini. Kjo analogji po bën atë që nuk ka mundur askush ta bëj deri me tani: rizgjimin e pasionit demokratik brenda Perëndimit dhe riaktualizimin e asaj që filozofi gjerman Karl Loewenstein, në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, e quante “demokracia militante”.

Sido që të zhvillohen ngjarjet në Ukrainë, mësimi bazë që Perëndimi do ta marrë prej tyre është se ka ardhur koha për këtë lloj demokracie. Sepse nuk ka rrugë tjetër për të ndaluar atë që Azar Gat, profesor i politikave të sigurisë në Universitetin e Tel Avivit, e quan “rikthim i fuqive të mëdha autoritariste”. Në këtë kontekst, konflikti i ri ideologjik në botën që kemi përpara nuk do të jetë konflikt i qytetërimeve, siç e parashikonte Huntington, tridhjetë vjet më parë, por konflikt midis demokracisë dhe autoritarizmit. Ata që pëlqejnë termat ekonomikë do ta quanin “konflikt midis kapitalizmit liberal dhe kapitalizmit autoritarist”. Ose me termat e nostalgjikëve të lashtësisë do të mund ta quanim “një version modern i konfliktit të lashtë midis Athinës dhe Spartës”. Sidoqoftë, një gjë tanimë është e qartë: Liria, siç do të thoshte Foucault, mbetet një punë e pakryer.