Pse Vuçiq s’lejon diskutime për korrigjimin e kufijve? A dështoi apo u fuqizua kjo ide? Sot janë pikëpyetjet kryesore në Beograd!
Shkruan: Anamari Repić
Pyetje kryesore, këto ditë, në Beograd, është: a dështoi propozimi për korrigjimin e kufijve, siç ka deklaruar vetë Presidenti Vuçiq para disa ditësh, apo tani është edhe më fuqishme në tavolinën negociuese.
Rregullimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht që BE i ka dhënë Serbisë në procesin e negociatave për integrime europiane. Çështja e “rregullimit të marrëdhënieve” është, në fakt, çështja e statusit, rreth të cilit të dyja palët duhet të nënshkruajnë marrëveshje.
Para disa muajve, ka qenë periudha kur u zhvillua dialogu i brendshëm që ka iniciuar presidenti serb, për të parë çka serbët mendojnë, si duhet rregulluar marrëdhëniet me Kosovën.
Institucione të ndryshme, organizata joqeveritare, institute shkencore, kanë dhënë mendime të ndryshme – duke filluar nga ndarje deri te konflikti i ngrirë, por edhe atë që duhet një zgjidhje, e cila do të pranonte realitetin.
Në atë kohë, vetë Presidenti Vuçiq, në një intervistë për ‘Gllobus’ nga Zagrebi, ka thënë “Serbia e di që e ka humbur Kosovën, por, unë, do të bëj çka është në fuqinë time për të kthyer çka është e mundur, e çka në fund nuk do të duket si humbje”, tha Vuçiq.
Pas kësaj, pa marrë parasysh idetë që kanë dalë nga dialogu i brendshëm, të cilin ai vetë e ka iniciuar, Vuciqi, bashkë me Presidentin Thaçi, kanë dalë me propozimin për korrigjimin e kufijve.
Kanë filluar reagime, nga përkrahja deri te refuzimi, nga shpresa që do të arrihet një zgjidhje shekullore deri te frika nga ndarjet etnike në shekullin 21, nga mendime se korrigjimi i kufijve do të pajtojë dy popuj deri te vlerësime që do t’i izolojë edhe më shumë.
Pavarësisht reagimeve në Kosovë, në Serbi, në rajon, nga partitë politike, OJQ, akademikë, qytetarë, ata që vendosin dhe garantojnë paqen – ende nuk kanë thënë “po” ose “jo”. Ato janë shtetet e demokracisë perëndimore.
Në fakt, komente, reagime, analiza, janë bërë më shumë në forma mediale, në konferenca për media, ose hulumtim të opinionit (që nuk mund të jetë forma për vendime lidhur me këtë çështje), pa asnjë debat publik në ndonjë institucion relevant, siç janë Kuvendi, Qeveria, diskutimet me qytetarë.
Partia e Vuçiqit ka shumicën dërmuese në Kuvendin e Serbisë dhe udhëheqë gati krejt komunat dhe institutet relevante politike, shkencore, kulturore.., e pse atëherë nuk lejon diskutime për korrigjimin?
Pyetja tjetër është: pse çështja e propozimit për korrigjimin e kufijve nuk u diskutua në kuadër të dialogut të brendshëm? A nuk është iniciuar bash për diskutime lidhur me Kosovën?
Por, ndërkohë, dialogu i brendshëm u përfundua në mënyrë joformale, pa asnjë raport ose analizë lidhur me atë se çka u vendos ose cilat qenë propozimet. Pse u organizua?
Shumë pyetje dhe pak përgjigje, shumë spekulime dhe pak fakte.
Dhe, tani, flitet vetëm për një propozim, i cili sapo erdhi në tavolinë filloi reagimet dhe nuk u diskutua ku duhet. Vuçiqi, para disa javëve, ka deklaruar që plani i tij dështoi.
Ai ka deklaruar se qytetarët dhe opozita kanë përgjegjësi për këtë dështim dhe për çfarëdo vendime tjera në të ardhmen, pasi nuk e kanë qenë përkrahës të iniciativës së tij.
Por, a ka pasur referendum? Jo.
A kanë diskutuar deputetët, si përfaqësues të qytetarëve? Jo.
Përveç një hulumtimi ku 44% e serbëve janë deklaruar kundër ndarjes, nuk ka vendim formal.
Në fakt, publiku nuk di deri tani çka nënkupton ky propozim, cilat janë detajet, çka do t’u sjellë qytetarëve serb dhe çka qytetarëve shqiptar. Pse tash ky plan?
Disa mendojnë që ideja për korrigjimin e kufijve lindi në diskutime joformale, prapa dialogut në Bruksel, me lobues, ish diplomat, etj.
Por, ideja e ndarjes ka historinë e vet dhe gjithmonë ka qenë e gjallë. Vetë Daçiq, shumë herë e ka përmendur dhe ka thënë që pas “ndryshimeve në Washington” kjo çështje është e hapur.
Por, kush e përkrahë këtë ide?
Deri tani, ekspertë, analistë e shumë organizata që përcjellin këtë proces, nuk kanë menduar që ideja e korrigjimit do të përkrahet. Por, vetëm një amandament në Parlamentit Europian ka ndryshuar gjithçka.
Para disa dite, në Komisionin për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian u miratua amandamenti në kuadër të së cilit është lënë e hapur “marrëveshja mes dy palëve, e cila nuk do ta destabilizonte rajonin”.
Diçka të ngjashme kemi dëgjuar edhe nga zyrtarë amerikan.
Për ekspertët, kjo nënkupton që ideja e korrigjimit është në tavolinë, e hapur, pasi ata, të cilët më herët kanë thënë se nuk do të përkrahin ndarje, tani i kanë lënë të hapura bisedimet për këtë ide.
Deri tani, sipas informacioneve që vijnë nga mediat dhe deklaratat e presidentëve Vuçiq e Thaçi, idenë e kanë përkrahur Macron, Johanes Han, dhe disa ish-diplomat dhe ekspertë.
Përkrahja e përgjithshme për një marrëveshje, pa detajet se çfarë nënkupton ajo, e që do të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, vjen nga SHBA, BE, Erdogani.
Vetëm Presidenti rus, Vladimir Putin nuk u deklarua lidhur me propozimin e Vuçiqit dhe, deri tani, kemi dëgjuar që Rusia e përkrahë Rezolutën 1244. Por, fuqia dhe roli i Rusisë pritet të vlerësohet në Këshillin e Sigurimit.
(Autorja është korrespodente e rregullt e Radio Televizionit të Kosovës nga Beogradi. Kjo analizë është shkruar enkas për portalin Pista.News)