Op/Ed

Përse kjo përplasje për Bregoviqin?

Shkruan: Hasan Saliu

Në sajë të komunikimit të sotëm online e rrjeteve sociale, ditëve të fundit u vërejtën përplasje të theksuara vlerësimesh ndërmjet qytetarëve aktivë online të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, për çështjen e Bregoviqit në Korçë. Po të ishte kjo situatë disa dekada më parë, nuk do të vërehej kaq publikisht kjo ndasi, për arsye se nuk e kishim këtë mundësi komunikimi. Për më tepër, në këto komunikime online, do të kishte thënë Eco, gjithkush shpreh sot mendimin e tij për gjithçka, në baza voluntariste. Pra, kemi një pjesëmarrje masive në debate publike dhe njëherësh kemi publik të heterogjenizuar. Online gjithashtu ka krijuar tashmë një hapësirë publike gjithëshqiptare. Këta publikë (shumës) online kanë formime, shije, njohje e kultivime të ndryshme, kanë preferencat e tyre.

Këto preferenca e kultivime kanë ardhur si rezultat i situatave të dallueshme, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në Kosovë, Bregoviqi i pas komunizmit shihet si një njeri që i këndon kallashnikovit, i këndon vrasjes. Shqiptarët në Kosovë janë vrarë nga kallashnikovët e serbëve. Bregoviq si artist, pak edhe plagjiat, edhe pse kultivon muzikën multikulturore ballkanike të dominuar nga melosi rom, ka mbajtur lidhje të ngushta me agresorin ballkanik serb. Këndoi edhe në Krime vetëm një vit pasi Rusia kishte aneksuar ushtarakisht atë pjesë, pra u orientua kundër perëndimit dhe pro agresorit. Muzika e tij e pas-komunizmit nuk njihet gjerësisht e as parapëlqehet nga shqiptarët e Kosovës, përkundrazi. Edhe gjatë periudhës jugosllave shqiptarët e Kosovës ishin të lirë të bëjnë, përzgjedhin e dëgjojnë muzikën që luhej në çdo cep të botës dhe të çdo lloj zhanri. Dikush madje kishte ngritur edhe pyetjen se përse mediat kosovare injoruan koncertin e para 4-5 vitesh të Zdravko Çoliqit në Tiranë ku ai u prit si yll bote. Përgjigja është se si muzika e njërit ashtu edhe e tjetrit nuk paraqesin “nostalgia” për shqiptarët e Kosovës. Avi-Telex që në vitin 1985 ka regjistruar albumin me rock-muzikë shqiptare, ndërsa Çoliqi për publikun kosovar kishte konkurrentë shqiptarë edhe në atë kohë jugosllave.

Pas shtimit të dhunës dhe vrasjeve në Kosovë, shqiptarët madje krijuan mosdurim edhe ndaj muzikës serbe në përgjithësi.

Në Shqipëri realiteti ka qenë pak më ndryshe sa i përket “shijimit” të muzikës së Bregoviqit. Muzika joshqiptare dhe dëgjimi i kanaleve të huaja gjatë diktaturës enveriste ka qenë një mollë e ndaluar, por mjaft tërheqëse. Studiuesja Cynthia P. Schneider (2004) duke analizuar një situatë të ngjashme shkruan se dëgjuesit rusë e përshkruajnë dëgjimin e muzikës amerikane si element lirie të mohuar dhe xhazi ka luajtur rolin e ambasadorit kulturor. “Çdo natë, ne do të mbyllnim dyert dhe dritaret, ndiznim Willis Connover dhe kishim dy orë të lirisë tonë” (f. viii).

Ngjashëm ka qenë edhe në dikaturën enveriste. Brezi që ka jetuar atëherë shpesh parapëlqen të thotë: “mbyllnim dritaret dhe degjonim jugosllavin… italianin…”. Dëgjimi i muzikës jugosllave ka qenë edhe çast lirie, një ikje e momentit nga realiteti i zymtë i kohës së egër enveriste. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, një pjesë e dëshpëruar dhe frustruar më shumë dëshironin të jenë Odinmondvalsen (Trebeshina) se shqiptar i denigruar nga shteti i tij, pra një kosmopolitizëm, dyzim identiteti dhe inferioritet njëkohësisht. Shqiptarët e Kosovës nuk arrijnë t’i kuptojnë plotësisht vuajtjet e shqiptarit nga diktatura e shtetit shqiptar, sepse ata (kosovarët) vuanin nga mungesa e shtetit të tyre. Ndërkaq, shqiptarët e Shqipërisë nuk arrijnë t’i kuptojnë aq sa duhet vuajtjet e vëllezërve të tyre që kanë përjetuar nga jugosllavët.

Sot Bregoviq me Orkestrën e tij Funerale që u ringjall me çelësin e Tiranës, na shfaqet si simbolikë keqkuptuese mes shqiptarësh. Por, Bregoviq është më i duhuri për “Ballkanin e hapur” të Vuçiqit e Ramës. Ai u zgjodh pak edhe për inat të Kosovës sepse refuzoi idenë e hapjes ballkanike të Ramës, pak edhe si mishërim i idesë së projektit të përbashkësisë që ngërthen muzika e Bregoviqit, pak si grishje për Podgoricën dhe Sarajevën gjithashtu refuzuese dhe pak edhe si “nostalgia” për një pjesë.

Kundërshtarët kosovarë të Bregoviqit në Korçë e shohin ardhjen e tij si një fshikullimë e Ramës edhe ndaj Kosovës dhe fyerje që u bën ai me “kallashnikovin” e Bregoviqit. Te ky kundërshtim ka edhe një dozë të madhe revolte ndaj idesë së “Ballkanit të hapur” të Shqipërisë me Serbinë, duke injoruar Kosovën dhe përfshirë Maqedoninë si një qingj i parëndësishëm. Këta kundërshtarë kosovarë duke gjykuar nga etnocentrizmi, nuk arrijnë të kuptojnë mbështetjen që i japin Bregoviqit dhe muzikës së tij disa gazetarë dhe folës publikë të Tiranës. Këta të fundit ndërkaq gjykojnë gjoja nga vlerat muzikore që përfaqëson Bregoviq sikur të jetë ky një Luis Armstrong, B.B. King, John Le Hooker, Mick Jagger dhe Phil Collins në të njëjtën kohë, ndërsa kosovarët e shohin Bregoviqin thjesht një kantautor të harruar ballkanik, kontraverz dhe një kallauz në Tiranë. Në gjykimet e mbështetësve të Tiranës përveç pranisë së një doze kosmopolite, inferioriteti dhe nostalgjie muzikore, doza më e madhe ndikuese është ajo e klientelizmit ndaj Ramës, por e fshehur pas arsyetimit se “kultura e arti s’duhet ngatërruar me politikën”.

Të dyja palët flasin me emocion për ato që i asociojnë ose lidhin me të kaluarën e përvuajtshme në situata të ndryshme dhe të dyja palët kanë respekt të pamjaftueshëm për emocionin e njëra-tjetrës. Ajo që është pozitive në situata të këtilla është se diskutimet gradualisht do të çojnë në shoshitjen dhe sheshitjen e ndasive për shkak të kësaj hapësire publike demokratike gjithëshqiptare online.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?