Përjetësisht krenarë me heronjtë edhe luftëtarët tanë
Shkruan: Ahmet Neziraj
Në vitet 1986/87 kemi filluar shkollën në klasën e parë. Kemi qenë në klasë të njëjtë, në bankë të njëjtë Artoni, Petriti (vëllai im) edhe unë. Të tre në një bankë. Artoni ulej në mes të bankën deri në vitet 1997/98, pra 12 vite sa kemi qenë në shkollë.
Me Artonin jemi rritur, jemi shkolluar bashkë, jemi edukuar nga prindërit tanë (Ahmet Haliti edhe Mursel Ahmeti edhe nënat tona) edhe mësuesit tanë Isa Ahmetaj, Rasim Selmanaj, Faik Doda, Nimon Mustafaj, Maxhun Çekaj (dëshmor) e shumë e shumë mësues atdhetarë të asaj kohe.
Kishim një fëmijëri me plotë vuajtje edhe me kushte ekonomike jo të mira, ashtu si shumica e shqiptarëve në atë kohë mirëpo, kishim lidhje të forta mes vete.
Qysh të vegjël kishim filluar ta kuptojmë se vendi ishte i rrezikuar dhe se, një ditë do të ndodh diçka ashtu si në vendet e tjera që janë çliruar nga pushtuesit.
Qysh herët organizonim darka herë të njeri, e herë të tjetri dhe rrinim zgjuar deri në mëngjes duke debatuar për tema të ndryshme, e ku kryesisht dominonin ato me karakter kombëtar, sepse veç kishin filluar lëvizjet e para të armatosura pas vitit 1991/92.
Për të shpjeguar më mirë, nga klasa ime kanë rënë dëshmorë Artan Mehmetaj, Agim Selmanaj, Luan Qerimaj, Orhan Halilaj, Gazmend Mehmetaj, Besa Mustafaj, ndërsa nga gjenerata jonë kanë rënë dëshmorë shumë të tjerë, si dhe jemi dhjetëra të tjerë invalidë e veteran lufte. Po flas nga fshati ynë Gllogjan.
Gjenerata jonë ishte gjenerata që masovisht iu përgjigj luftës për liri. Pothuajse askush ashtu si ne që kemi lind nga 1977-1980.
Artan Mehmetaj shquhej për karakterin e tij të fortë, humorin e mirë që kishte edhe ishte djali më i bukur në klasën tonë.
Në luftë, të gjithë e shikonin se si ka mundësi që të jetë aq i pastër edhe pse kushtet ishin po thuajse të tmerrshme, sidomos për pastrim rrobash e gjëra të tjera elementare.
Pasi u armatosa unë më 2 prill 1998, mora një automatik AK 47 (armën ma dha ne shtab dëshmori Shkelzen Haradinaj) edhe së bashku me Artonin dhe vëllaun tim Petritin, shkonim te shtallat e ish-koperativës në Gllogjan, stërviteshim me armë dhe bënim gjuajtje, sepse atje ishte vend ku nuk kishte lëvizje të njerëzve edhe nuk rrezikohej askush nga ne.
Artoni kishte aftësi të mëdha në qitje me armë. Edhe pse nuk kishim përvojë ushtarake, ai si duket e kishte të lindur atë. Lufta na gjeti së bashku nëpër beteja të ndryshme në Dukagjin. Po thuajse gjithkund ishim bashkë me Artonin, Arbenin (djali axhës) dhe shumë e shumë djem të tjerë nga fshati ynë dhe më gjerë.
Me Artonin dhe Arbenin filluam një organizim edhe në Shqipëri për kthim në fushëbetejë të atyre që ishin largu nga kosovar në rrethana të ndryshme, të atyre që kishin ardhur nga diaspora në Shqipëri edhe të shqiptarëve nga vise të tjera si: Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Mali i Zi.
Për një kohë të shkurtër kontaktuam me Mustafë Selmanajn që ishte njeriu kyç në organizim të luftës në Shqipëri, së bashku me shumë të tjerë, e në mesin e tyre edhe Florim Krasniqi-Fuli.
U takuam dhe biseduam për organizimin dhe detaje tjera, ku Artoni ishte shumë i lumtur që po kthehej dhe po behej krah me vëllain tjetër që ishte në luftë atë kohë, pra me Astrit Mehmetajn.
Disa herë kam provu në atë kohë që ta bindi Artanin që të mos kthehet, sepse tash më familja tyre kishte disa dëshmorë dhe disa luftëtarë, por përpjekja ime ishte e kotë.
Në një rast më tha “ka një rrugë që unë të ndalem, edhe ajo është që të më plagosësh, që të mos kem aftësi të eci mirëpo, miqësia jonë merr fund aty, kështu që ose eja me mua ose mos më dil para”.
Kishte edhe një bisedë me nënën e vet Artoni, e kur i tha se po shkon te Astriti edhe se s’ka kthim mbrapa kjo rrugë, i tha se dëshiron të jetë afër me vëllain edhe nëse vritet njëri, ta vorrosë tjetri, sepse po qe se nuk e ka vëllau-vëllaun afër atë ditë, kurrë s’ka pse i duhet më.
Kur e pashë se Artoni veç se kish vendosur të lëvizte drejt vijave të luftës, vendosa t’i bëhem krah ashtu siç isha qysh kur ishim fëmijë. Vendosa të jem afër tij deri në frymën e fundit, ashtu veprova.
Kishim krahë të fortë në atë rrugë që kaluam kufirin. Ishte Elez Gecaj e Halit Coka, të cilët ranë dëshmorë nË luftime. Abdyl Mushkolaj e Ismet Ahmeti, të cilët u plagosen në beteja. Ishte Arben Neziraj, Maxhun Mustafaj, Hamid Cacaj edhe daja Zymer Ukaj, e shumë të tjerë që rrugëtuam së bashku nga Vlana e Hasit në Shqipëri për në Rrafsh të Dukagjinit.
Artoni ishte pjesë e çdo beteje që zhvilloheshin në zonën tonë që nga Pozhari, Ratishi e deri në Kralan të Gjakovës, ku do që kishte luftime, aty ishte edhe Artoni përkrah trimave Shkelzen Haradinaj, Agim Selmanaj, Fatmir e Luan Nimanaj, Luan Qerimaj, Shpend Malaj, Burim Mustafaj, Hasim Halilaj, e shumë e shumë të tjerë, ata qindra sa ishim në malet e Dushkajes.
Së bashku me Artonin ishim pjestarë të policisë ushtarake dhe ishim sistemuar në kompaninë, e cila udhëheqje nga Abdyl Mushkolaj, kompani e cila pas vrasjes se komandant Shkelzen Haradinajt u emërua Batalioni i 3-të Gardist”, “Beretat e Gjelbërta” dhe me vonë, ka fundi i luftës, morri emrin Shkelzen Haradinaj.
Më 3 prill 1999, në pikën 13-të vritet Arton Mehmetaj në luftime të ashpra mes forcave tona edhe armikut serb. Artoni, në përpjekje për të goditur një automjet të ushtrisë serbe me një armë krahu (zollë, prodhim rus) të cilën e mori nga unë, u godit në koke nga plumbat e një mitralozi të kalibrit të madh edhe mbeti i vdekur në vend.
Trupin e Artonit e tërhoqëm me bashkëluftëtarë edhe e vendosëm në një karrocë dore, e më pastaj e dërguam në ambulanten e fshatit Ratish i Ulet, ku më vonë, në orë të vona, pasi mbaruan luftimet, e varrosëm me nderime ushtarake në një kodër sipër fshatit, ku ceremonia e varrimit u udhëhoq nga komandant Shkelzen Haradinaj.
Atë natë, gjersa ne po e kryenim ceremoninë e varrimit, trimi Agim Selmanaj me disa djem të tjerë i sulmoi forcat serbe në aksin rrugore Deçan – Pejë, dhe ende pa e vorrosur Artonin, i mori hakun duke u treguar edhe njëherë forcave serbe se gjaku i Artonit nuk do të humb kurrë.
Trupi i Artonit pas lufte u rivarros së bashku me trimat e tjerë. Sot, trupi i tij pushon në kompleksin memorial në Gllogjan, krah trimave me të cilët e bëri historinë.
Pas lufte, në nderim të veprës edhe jetës së tij, u ngrit një përmendore diku afër vendit të rënies heroike, ku me një fjalë rasti iu drejtova edhe unë të pranishmëve në emër të bashkëluftëtarit Arton Mehmetaj.
3 prilli, 1 maji dhe 24 maji, që nga paslufta, për mua kanë qenë tri data, të cilat as që kam dashur t’i kujtoj. Po të kisha forcë, këto tri data, do t’i largoja nga kalendari, sepse në këto data, kam humbur disa miq më të cilët jam rritur, si Arton Mehmetaj, Agim Selmanaj etj.
Përjetësisht krenarë me heronjtë edhe luftëtarët tanë.