Op/Ed

Ofshama e hijes e Ibrahim Berishës

Nga Bujar Tafa

Kur e lexon librin e fundit me poezi të Ibrahim Berishës “Ofshama e hijes”, pikësëpari e vëren se këto poezi nuk janë të shkruara që të lexohen e të kuptohen prej masave të gjera të lexuesve. Pra nuk janë poezi, t’i quajmë ashtu, populiste. Poezia e Ibrahim Berishës, para së gjithash, është më shumë poezi e elitave, madje e një rrethi të sofistikuar të elitave. Kjo është mirë sepse elitat gjithmonë u paraprijnë fenomeneve të cilat me kohë mund të bëhen më të qasshme e më të zakonshme për një mjedis të caktuar. Pra, elitat përgjithësisht i vendosin disa trende apo korniza që e rregullojnë rrugën e aspiratës sonë për atë që ne dëshirojmë ta quajmë përsosmëri apo gjendje afër përsosmërisë. Poezia e Berishës është shenjë, madje dhe vërejtje gjithashtu, se megjithatë poezia përherë synon që të krijojë diçka të re në brendësinë e saj, në perceptim e saj, e përgjithësisht në krijimin e situatave e rrethanave të reja. Pra, poezia gjithmonë e në vazhdimësi synon diçka të re, të pathënë e të paparë ndonjëherë.

Poeti Ibrahim Berisha krijon një botë të tillë poetike, imagjinare, botë e cila ndërtohet përmes relacioneve jetësore nga më të ndryshmet, botë e cila në syrin e një lexuesi të pastërvitur mund të duket se fare pak ngjason dhe ka bazë në atë që ne e quajmë realitet që na rrethon.

Titulli i librit me poezi Ofshama e hijes i Ibrahim Berishës në mënyrë figurative reflekton, ndër të tjera, idenë se përtej pamjes së njeriut është një enigmë që kërkon vëmendje të shtuar për ta kuptuar dhe zbërthyer atë.

Te poezia e parë “E pathëna e përhershme” paradoksalisht theksohet prania e zbrazëtirës, e mungesës së diçkaje e të cilën mungesë subjekti lirik nuk mund ta plotësojë asnjëherë gjatë rrugëtimit të tij. Interpretimi i kësaj poezie mund të drejtohet nga dramat e ndryshme të njeriut dhe pasojat që lënë pas ato drama.

Poezia e dytë “Nuk më sheh plotësisht”, është ftesë për njohje që shkruhet figurativisht. Është ftesë për t’i vizituar dhe parë shtresat ndërtuese të personalitetit të njeriut. Gjithashtu, është vërejtje se njeriu kurrë nuk mund të njihet përgjithësisht, mbase edhe për faktin se ai është në proces të transicionit të përhershëm.

Te poezia “Pa krahë”, e bukura tragjikisht zhduket, zhduket në pafuqinë e saj për t’i rezistuar fuqisë e ligjeve të natyrës që figurativisht përkthehen në fatalitetin jetësor. Poeti këtë nuk e thotë drejtpërdrejt, por figurativisht krijon relacione të tilla në mes të së bukurës dhe të vrazhdës, kudo qofshin ato.

Poezitë “Vjelja”, “Cila e vërtetë”, “Shkallët“ etj. herë-herë si pikënisje kanë një çast të vetëm të jetës, e që pastaj ai çast lidhet me kujtime të ndryshme nga jeta e subjektit. Figura mitike e Sizifit poetit i shërben për të ngritur çështje filozofike të së vërtetës e të filozofisë njerëzore. Te këto poezi, poeti përmes magjisë së gjuhës krijon relacione interesante në mes konceptesh e fenomenesh të ndryshme jetësore.

Te këto poezi poeti dëshmon se i njeh jashtëzakonisht shumë e mirë mundësitë e mëdha të gjuhës. Kjo do të thotë se ai e njeh, e zotëron dhe di ta përdor jashtëzakonisht bukur gjuhën e magjinë e fjalëve. Figuracioni i asaj gjuhe është shumë i thellë. Ai sikur do që në këtë mënyrë të tregojë për mundësitë e shumta të saj për ta shpërfaqë botën. Pra, asgjë nuk është bardhezi, çdo gjë është e detajuar me koloritin adekuat.

Poezitë përgjithësisht kanë një figuracion tejet të pasur, si rrallëherë në poezinë shqipe. Kureshtja vazhdimisht bie te lidhja e fjalëve e te krijimi i situatave poetike të cilat para së gjithash janë interesante. Poeti sikur insiston që bota e fjalëve është aq e madhe dhe aq e larmishme dhe e pasur sa që në asnjë rast ajo botë nuk dështon që ta shpërfaqë imtësisht dhe në detaje botën poetike të autorit. Duket se poeti synon një ideal dhe këtë ideal e ndërton përmes shkrimit poetik të rrugëtimit jetësor.

Poetit shpeshherë i shërbejnë kujtimet për ta ndërtuar rrëfimin e tij poetik. Në vazhdimësi ai insiston që fjalori poetik të ketë hapësirë dhe liri të madhe rrezatuese, e në këtë mënyrë kujdeset që ndjesinë e vet ta shprehë në rrafshe të ndryshme të ekzistencës.

Te poezia “Skema e përhershme”, ligjërimin e tij e karakterizon një mprehtësi e jashtëzakonshme në detajimin e situatës së paraqitur. E tëra kjo të bën të kuptosh për një botë jashtëzakonisht të pasur me plot detaje, motive, çaste e koncepte nga më të ndryshmet, të cilat në fakt si të tilla që janë, vetëm se e dëshmojnë më shumë një nivel të lartë të poezisë.

Te poezia “Përmbytja” poetit i shërben një detaj nga një situatë reale ose imagjinare që të theksojë se megjithatë disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë:

Kur uji mbulon gjithçka përpara

Por nuk merr krejtësisht fund shtrati i tokës

As nuk merr fund kënaqësia e qiellit të shpërndarë

Nganjëherë e bukura te këto poezi theksohet përmes disa fjalëve që në këto raste mund t’i marrim si çelësa për interpretim të poezisë:

Fustanin mbushur pika të qumështit të mbrëmjeve të verës

Thartuar ngjyra e bardhë sa një fashë trëndafili në qiellin tonë

(Qepja reale)

Te poezia “Krimbi i mëndafshit” poetit i shërben një motiv për t’i theksuar disa esenca. Në këtë kuptim, kjo poezi është pak a shumë e ngjashme me poezinë ”Përmbytja”.

Poezia “Është e mundur” është pak a shumë e ndryshme nga poezitë e tjera. Është ndryshe nga të tjerat, sepse është e shkruar me një gjuhë shumë më të thjeshtë e më të kuptueshme se të tjerat. Motivet e situatat te kjo poezi janë shumë më të qarta.

Është karakteristikë e poetit që të vëzhgojë momente të ndryshme nga më të zakonshmet por edhe nga më të pa vërejturat e realitetit, dhe nga ato momente ta ndërtoj poezinë.

Poezia “Marrëveshja” ndoshta është poezia më emblematike ose më tipikja për stilin e poezisë së Berishës:

Të dy u pajtuan të bëjnë marrëveshje me fjalë të pashkruara

Për guximin dhe lavdinë

U përpoqën shumë

Të interpretojnë kuptimin e fjalëve që i kishin thënë

Të dy u pajtuan se marrëveshja që kishin bërë

Ajo që kishte ekzistuar u copëtua në zemrat e tyre

Prandaj për një kohë të gjatë

Menduan për arsyet e kuptimeve të pabarabarta

Të fjalëve të njëjta

Pikërisht në këso relacione fjalësh ndërtohet poezia. Gjithsesi poezia bartë një filozofi e një mesazh të veçantë.

Ndodh në raste të caktuara, si për shembull te poezia “Psherëtimë e dëshpërimit”, kur poeti provon paksa ta ndryshojë stilin e rrëfimit me futjen në tekst të elementeve të tjera shprehëse, pyetjeve retorike etj. Gramatikisht me prezencën e përemrave pyetës e figurativisht edhe me një shumëllojshmëri të figurave, poeti përpiqet dhe mendoj se arrin me sukses ta ndryshojë efektin e poezisë së tij.

Poezia “Ndërtuesit” sjell një moment interesant në poezinë e poetit Berisha, për arsyen e thjeshtë sepse në këtë rast gjuha e poetit është më e thjeshtë sikurse situata që është po ashtu e thjeshtë, e të gjitha këto çojnë në një mesazh po ashtu shumë të qartë e të kuptueshëm:

Në shtrirjen e kujdesshme të verës mbaj mend

Përplasjen e punëtoreve të Ramiz Sadikut

Me helmeta të bardha dhe veshje të kaltër

Dhe;

Duke thirrur “Edhe fëmijët tanë duhet të hanë”

Më parulla “Duam pagat tona, hajnat në burg”

Kështu ata të vendosur me këmbë në tokë

Udhëtonin deri në fitoren e paarritshme

Këto vargje nuk janë tipike për stilin shprehës të Berishës. Mbase kjo ka ndodh sepse kjo poezi është shkruar shumë më herët, ashtu siç tregojnë vargjet.

Poezia tjetër “Ishe” semantikisht duket se orientohet tek poezitë me motive romance;

Të gjeta në faqe si masë ajri në fund të verës

Ishe aty ku ke qenë duke shkuar nga

Lumi erëza duke parë në një kopsht të bukur

Hapat e lehtë në qilimat lulevjollcë ishe

Kur unë të gjeta prapë në një kopsht mahnitës

Asgjë imja sepse të gjeta përsëri

Duke e pasur parasysh, në përgjithësi, stilin e Berishës, mund të themi se edhe kjo poezi është atipike e Berishës. Themi kështu duke i pasur parasysh poezitë e tij të botuara në këtë libër. Kjo poezi për nga stili e gjuha është e ngjashme me poezinë “Ndërtuesit”. Në rrafshin domethënës kjo poezi përfaqëson një situatë idilike që të mbërthen me ngrohtësinë e saj.

Filozofia ekzistenciale, pastaj misteri i procesit jetësor e koncepte të tilla filozofike, ndonjëherë janë shenja të këtyre poezive. Por, kuptohet që asnjëherë këto shenja nuk bëhen mbizotëruese në këto poezi. Ajo që mbizotëron në këto poezi mendoj se është misteri i natyrës njerëzore dhe fati i njeriut si vëzhgues në këtë proces. Këto procese që lidhen me jetën e me misterin e saj, te këto poezi vëzhgohen më sy e me gjykim të stërholluar, që do të thotë se poeti është i aftë dhe i prirë që t’i hetojë detajet që nuk vërehen lehtë me sytë e zakonshëm.

Përfundimisht poezia e Berishës e kërkon një lexues shumë mirë të përgatitur intelektualisht e kulturalisht. Kjo poezi kërkon një lexues të sprovuar me lexime e me përvoja të shumta, një lexues të sprovuar që e njeh natyrën e poezisë e po ashtu magjinë e gjuhës poetike. Në këtë pikëpamje, poezia e Ibrahim Berishës konsideroj se është poezi shumë e avancuar në shumë rrafshe, dhe si i tillë, Berisha është një zë i veçantë dhe një zë ndryshe në poezinë shqipe në përgjithësi.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?