Op/Ed

Neve po na qeshet… hajr ishalla

Ju bile jeni kënaq në jetë: pare, pushtet, seks, drogë, alltia, fyella e çiftelia
E ne, çka kemi me tregu ne n’atë dynja!



S’di qysh e spjegon psikologjia, por që popullatës po i kënaqet zemra me ftesat e speciales, po i kënaqet.

Ish kanë mirë m’u tregu ma t’matun, pak me ndal veten (kishe po na dhimbsen) po nuk po mundemi, si në ato rastet kur shkon në t’pame dhe në vend se me ngushëllu familjarin, e uron përzemërsisht për humbjen e më të dashurit.

Ndodhin këto situata edhe në kinema.

Dikush gjithmonë që nga fillimi i filmit bëhet me personazhin negativ, dikush qesh kur shikon horror e qan kur shikon komedi.


Kështu më ka pas ndodh me filmin ‘Piano’, kërrsh u pata bë me njanin (rahmet i past shpirti), mua më dhimbsej gruaja që u dashurua fort dhe hakikat në njërin, e ai katijen kundër asaj dashurie, ishte në anën e burrit të saj, e nuk gjente qetësi pa më bind edhe mua se ajo dashuri ishte e gabuar.

Populli e di se UÇK nuk po ftohet në Hagë, UÇK nuk gjykohet se ishte aleate e NATO-s (por po ftohen individët), prandaj nuk mërzitet hiç, hiç,ama hiç për juve.

E dimë se në të gjitha ushtritë e botës ka përdhunues, ka vrasës e kriminelë (mjafton me lexu për skandalet e paqeruajtësve nëpër botë, por edhe në Kosovë ka ndodh që paqeruajtësi m’i mashtru vajzën e vogël me një çokollatë), por ata gjykohen si individë, e jo si ushtri.

UÇK bashkëvepronte me NATO-n dhe më interesuar se Gjykata Speciale, është e interesuar ‘UÇK’ se nga dolët ju, kush jeni ju, çka dreqi keni bë (a s’keni bë) ju në emër të ‘saj’!

UÇK, janë heronjtë dhe dëshmorët e saj të rënë.
UÇK, janë varret!
UÇK janë varfanjakët, të harruarit dhe të shtypurit.

Ju jeni materialistë për të qenë idealistë.
Ju jeni milionerë. E keni vjedh Kosovën qe 20-të vjet në emër të luftës që e kanë bë njerëzit që sot s’kanë bukë m’u ngi, ata nuk i fton Gjykata Speciale, ata që i keni shtypur e i keni shkatërrruar, ua keni marrë e ua keni vjedh edhe luftën.

Kush jeni Ju?

Juve nuk duhet t’ua paguaj shteti mbrojten e avokatëve, sepse ju krimet nuk i keni bë (ose i keni bë) në emër të shtetit të Kosovës.

Nëse shpalleni fajtor, shteti i Kosovës që ju mbron me pare, do të shpallej fajtor.
Ky është krim shtetëror.

E veç nëse shpalleni të pafajshëm, atëherë shteti mund t’ua kompensonte shpenzimet që do t’i bënit.

Veç shteti i Kosovës me mendt e Hajredin Baltazarit bëhet hazarder, në emër të UÇK-së i merr në mbrojtje dhe hyn garant për individët që nesër mund të shpallen fajtorë, e bashkë me ta edhe Kosova që i futi duart në zjarr për ta.

UÇK nuk gjykohet, por individët.
Nuk mund ta mashtroni askënd.

Të vegjël jeni Ju për UÇK-në.

UÇK ishte krejt populli, e ju jeni një grup shokësh që e vodhët fondin e luftës me ‘ble lirinë’, e pas lirisë m’i ble gjykatat, policët, prokurorët, estradën, gazetat, televizionet, akademinë…, tokat e Kosovës u çliruan me gjak për t’u privatizuar nga ju me 50 centë, për me maru ju solitera, me ble kerre t’sapo dala nga ‘furra’ e me shku me femra…e me ble villa e banesa nëpër Dubai në New York.

Ne ju kemi ‘kuptu’ juve qe 20 e kusur vjet që na keni shkatërru rininë, duhet të na kuptoni tash edhe ju neve që po gëzohemi me fundin tuaj.

Ju bile jeni kënaq në jetë: pare, pushtet, seks, drogë, alltia, fyella e çiftelia.

E ne, çka kemi me tregu ne n’atë dynja!

P.S. Keep smiling. Jeta ta kthen n’kungull t’kresë.

Kimete Berisha