Op/Ed

Në Gjilan do të duhej të mbahej takimi i përbashkët i dy Qeverive

Shkruan: Mr.Sc.Refik HASANI

Takimi i dy qeverive deri më tani nuk ka dhënë ndonjë rezultat, pasi do të duhej konkretisht të marrë vendime edhe për Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Ne në shkrimin publik kemi kërkuar që në Gjilan do të duhej të mbanin takimin e përbashkët Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës pasi ky është edhe një trekëndësh kufitar.

Ky takim, do të duhej të jetë përmbajtësisht takimi i vërteti duke marrë vendime e krijuar lehtësira dhe duke ngritur Komisione e grupe punuese profesionale në të mirë të të gjitha hapësirave tona etnike shqiptare.

Vërtet mbledhje e përbashkët e dy Qeverive më datën 25 shtator të këtij viti do të duhej të krijonte efekte pozitive jo vetëm në të mirë të Shqipërisë e Kosovës por edhe Shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Krahinën Shqiptare me Komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, Çamëri dhe anekënd Globit kah është diaspora e jonë shqiptare.

Trajtimi dhe marrja e ndonjë vendimi edhe për tri komunat do të jepte mesazh të mbështetjes morale për Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc, por edhe të njoftojë, alarmojë dhe sensibilizoë opinionin mbi diskriminimin e tyre.

Poashtu, në këtë takim të caktohet një pikë e rendit të punës së dy Qeverive mbi shikimin e mundësive se në cilat fusha, të ndihmohet Medvegja, Presheva dhe Bujanoci dhe do të duhej që të: Miratojnë një deklaratë të përbashkët të dy qeverive lidhur me qëndrimin ndaj diskriminimit në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc dhe një Komision miks për shqiptarët jashtë kufijve administrativ të Kosovës dhe Shqipërisë të vizitohen të gjitha lokalitetet dhe vendbanimet e banuara me shumicë shqiptare.

Të dyja qeveritë mendojmë që përfundimisht: Të ndajnë mjete dhe të krijojnë një fond të përhershëm për nxitjen e komunikimin, bashkëpunimin ndërkufitarë dhe stimulimin zhvillimor për zonat dhe vendbanimet kufitare të këtij trekëndëshi kufitar.

Dy parlamentet dhe Qeveritë e kanë obligim moral, institucional dhe kombëtarë që më në fund të fillojë një qasje e re, e mirëfilltë, reale, ku të gjithë bartësit e institucioneve të dy shteteve të bashkërendojnë qëndrimet zyrtare, të harmonizojnë që të përafrohen Tirana e Prishtina zyrtare dhe t’i kushtojnë vëmendje gjithë hapësirave tona etnike.

(Autori ka të publikuar disa kumtesa e punime në konferenca shkencore mbi raportin e Prishtinës e Tiranës zyrtare ndaj kësaj krahine shqiptare që përfshin komunat: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë)