Op/Ed

Na vrau COVID-19, virusi pandemik apo virusi “infodemik”

Shkruan: Besnik Peci



Virusi Covid 19 padyshim që ishte një musafir misterioz i cili na morri pranverën, na trazoj verën, po kërcënon me vjeshtën e dimrin e kështu me radhë.

Në Kosovë, deri në këtë moment, ky virus ndërpreu 27 jetëra, lëndoi shumë familje e shkurtoi shumë shpresa. Ishte Covid 19 ai i cili ndaloi çdo aktivitet, punë e veprimtari për tre muaj. Ishte ky vizitor i cili habiste edhe mjekët më të spikatur të fushës me lëvizjet e tij dhe pasojat që prodhonte nëpër shtete të ndryshme të Botës. COVID 19 ishte shkaktari i 27 vdekjeve dhe ndoshta një vetëvrasjeje në Kosovë dhe në të njëjtën kohë vinte me misionin që në zemrat tona, në periudhë afatgjatë të mbillte frikën, ankthin, stresin e depresionin dhe jo vetëm.

U bombarduam me informata! Disa të nevojshme, se si të kujdesemi për ta mbrojtur vetën dhe familjet tona, e disa krejtësisht të panevojshme e konspirative që lëkundnin identitetin tonë dhe ngritnin pikëpyetje mbi të ardhmen e ekzistencës sonë.

Se si reaguam ne ndaj virusit u var shumë nga rezilienca jonë, nga shkathtësitë tona të ballafaqimit me situata delikate dhe sigurisht, nga besimi ynë. Pavarësisht faktorëve dhe karakteristikave të personalitetit, disa u tunduan, disa i rezistuan fuqishëm, disa vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pafund e të tjerët pothuajse u dorëzuan nga jeta. Sidomos ata që nuk gjetën forcën madje as të kërkojnë ndihmë!



U desht të cënohet jeta jonë dhe e të afërmëve tanë që të ndalemi për një çast dhe të reflektojmë mbi atë se sa të pasur, të lumtur dhe me fat ishim. Gjërat që i posedojmë kemi tendencë ti nënvlerësojmë dhe vetëm atëherë kur ka rrezik ti humbasim, vetëdija jonë aktivizohet për ti mbrojtur. Ndërsa të tjerat që nuk i kemi, i ndjekim me ëndje e harrojmë të jetojmë JETËN.

Një fund me shpresë brenda nesh është gjithmonë është më i lehtë se sa një fund pa shpresën. Shpresa është shpirti i njeriut, që e mban atë në këmbë, e mban gjallë dhe e motivon për tu zgjuar sërish nesër.

Prandaj mos të lejojmë të tjerët e faktorët si virusi të na prekin shpresën, të na lëndojnë atë sepse pa shpresën ne nuk jemi, nuk ekzistojmë të lire si popull.



Në Botë nuk ishte vetëm virusi pandemik ai që na tmerroi por ishte edhe virusi “infodemik” që ndezi gjithë rezervuarin e frikës së njeriut, e kjo frikë ndezi ankthin, stresin e depresionin. Kur flas për virusin infodemik nuk i theksoj vetëm mediet tona por edhe ato globale.

E kur jemi te aspekte si stresi, ankthi e depesioni, duhet theksuar se sipas OBSh – Organizata Botërore të Shëndetësisë, vetëm nga depresioni vuajnë mbi 260 milion njerëz të moshave të ndryshme në të gjithë Botën. Në anën tjetër, sipas një meta-analize të realizuar tash së fundi nga studiues amrikanë (nga Universiteti Emory, ShBA), çdo vit, mbi 8 milion vdekje në Botë mund t’ju atribohen crregullimeve të shëndetit mendor. Dhe, 5 milion prej këtyre rasteve të vdekjes u atribuohen vetëm çrregullimeve të ankthit dhe humorit. (Këto statistika dikush i përdor ndoshta edhe për agjenda jo-humane)!

Duke u nisur nga këto fakte, mund të konkludojmë se natyra njerëzore në thelb është e dobët, labile dhe potenciale për prehje ndaj stimujve të panjohur. E tillë u tregua edhe ndaj COVID 19. E tillë (dhe e papërgatitur) u tregua edhe ndaj virusit “infodemik”. Është e lehtë të luhet me shëndetin dhe fatin e kategorive vulnerabile.

Përfundimisht, mësimet që nxorrëm nga kjo sfidë janë të shumta. Familja mbetet bërthama e shoqërisë, ta ruajmë e kultivojmë atë. Puna i jep kuptim jetës tone dhe duhet ta vlerësojmë sepse pa të jemi parazitë. Dembelia nuk i bënë favor dembelit ndërsa dëmton tjetrin, prandaj duhet ta largojmë këtë ves nga vetja jonë. Kujdesi ndaj vetës është kujdes ndaj familjes e ndaj atdheut. Interneti dhe mësimet online asnjëherë nuk e plotësojnë misionin e asnjërës pale sepse jemi njerëz, jemi qenie sociale e kemi nevojë për ndërveprim e socializim e aktivitet fizik.

Përgaditjet, kujdesi e investimi në shëndetësi nuk prodhojnë frikë e ankth por ofrojnë siguri dhe situata ka diktuar që këto përgaditje janë domosdoshmëri. Psikologët nuk janë luks por janë domosdoshmëri. Populli ynë ka nevojë për psikolog sepse ata janë kujdestarët e shëndetit tonë mendor andaj duhet tu ngarkohen obligimet e nevojshme duke i angazhaur ata. Dhe, në fund pa mediet ne shohim terrin. Roli i tyre është thelbësor në çdo situate. Të ju ndihmojmë ne atyre e ato neve që ta luftojmë së bashku virusin “infodemik” e kësisoji pas këtyre mësimeve nesër do të jemi më të përgaditur ndaj çdo sfide delikate nga secili virus tjetër…