Op/Ed

Na e thanë shkurt e na e përkthyen shqip

Shkruan: Mr.Sci Alketa Gashi Fazliu



SHBA shprehet: “Nuk ndërhyjmë në punët tuaja dhe në përbërjen politike të qeverisë”

Pra,siç u pa nga takimet e fundit, SHBA-së nuk po i duhen emra të përveçëm. U tha mes rreshtash se SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë i duhet një partner me të cilin të punojnë për të marrë vendimet e rëndësishme që do të konsolidojnë shtetin e Kosovës në rajon. Ky partner i SHBA-së nuk gjendet as në Hënë, as në Mars. Ky partner që SHBA po na e kërkon, e nuk po na e imponon është qeveria e Kosovës.

E Kosova qeveri nuk ka!!!

Me këtë qeveri që duhet ta bëjë Kosova, dhe vetëm Kosova – as Gjermania, as SHBA, as Turqia, as Europa, – partnerët tanë do punojnë që të arrihet marrëveshja me Serbinë, që të ndalet fushata e mbrapshtë për mosnjohjen e Kosovës, që të hapet perspektiva që shqiptarët e Kosovës të jetojnë në Kosovë dhe jo tjetërkund. Na e thanë shkurt e na e përkthyen shqip.


E çka po ndodhë me klasën tonë politike?!Çka bëjnë liderët e Kosovës? Ja çfarë po bëjnë…përballë këtij vendimi të madh që nuk pret ata thonë – ti do të më japësh mua këtë post që të të jap këtë “office”. Ti do më japësh mua këtë ministri të të lëshoj atë ministri. Ti më jep atë që unë të jap këtë, më jep parlamentin të lëshoj Presidentin!
Por shihet çartazi se për partnerët tanë strategjikë, kjo çka ndodhë në Kosovë është e neveritshme.

Por ka edhe më keq. Ata që gjithçka po e bëjnë për pushtet dhe asgjë për shtet, kanë filluar të hedhin baltë mbi partnerët që e bënë Kosovën të pavarur. Po thonë që partnerët na kanë shitur dhe se të huajt po e duan Serbinë më shumë se Kosovën…. s’po na trajtojnë njëlloj, ashtu siç po e meritojmë.

Boll janë analistë dhe kanalistë që fajin për situatën e kauzën e Kosovës po e gjejnë te partnerët tanë që nuk po vendosin të bëjnë atë që duan analistët dhe kanalistët. Ata edhe vet e dinë kush janë por që po duan me këmbëngulje të bëjnë shërbimet për çka paguhen.

Mendoj që një gjë duhet të thuhet prerazi: Kush punon vërtet për Kosovën nuk e bënë për para. Le të paguhen ata që hedhin baltë. Janë shumë poshtë!

Por një paralajmërim duhet sot për ata që janë shumë poshtë por baltën e hedhin lart: kot e kanë,kot!

Shtetet e Bashkuara nuk kushtëzohen nga njerëzit që s’kanë besnikëri dhe mirënjohje për diplomacinë, ushtrinë dhe politikën e Amerikës. As SHBA as partnerët e NATO-s nuk preken nga lufta jonë e vogël për pak më shumë pushtet bash në prag të greminës.

Nga kjo luftë prekemi veç vet.

Amerika nuk ka arsye të na detyrojë të bëjmë qeveri, as marrëveshje me Serbi kundër dëshirës. Por SHBA asnjë borxh nuk i ka Kosovës dhe këtë liderët tanë duhet ta kishin kuptuar shumë më parë.

Sot ne abuzojmë me korrektesën e tyre. Nesër do jetë e kotë t’u lutemi të na shpëtojnë nga marria jonë.

Nëse s’mund ta merr askush përsipër Kosovën se s’ka vota boll, apo s’ka guximin që t’i mbledhë, apo s’po gjenë mbështetjen që i duhet…Kosovën duhet ta marrim përsipër të gjithë bashkë. Si qeveri uniteti kombëtar, si qeveri teknike, si koalicion partish, si çka të dëshironi. E kam thënë edhe më pëpara!
Për Amerikën hiç nuk ka rëndësi.

Nuk i duan ata postet dhe ministritë e Kosovës. Ata duan Kosovën në tryezën e bisedimeve. Prej kohësh po na e thonë! Partnerët tanë po kërkojnë Kosovën të ulet në tryezën e vendimmarrjes sovrane në vendin që i takon. Liderucët tanë të vegjël parapëlqejnë të godasin njëri tjetrin poshtë tryezës, e të shpifin kundër njëri-tjetrit, e deri kundër vetë Amerikës.

Deri kur do vazhdojmë kështu? Ku mendojmë se do shkojmë kësisoj? Nuk ka vizion Kosova të krijojë institucione? Nuk ka vullnet të ketë unitet? A do vazhdojmë të vëmë në dyshim vullnetin e mirë të miqve tanë?

A mendoni se Kosovën do ta shpëtojë një emër i përveçëm kryeministri, mashkull apo femër? Kurrqysh jo. Koha është të jemi bashkë.

Karriget le t’i shpërndajmë më vonë, pasi të gjejmë guximin të ulemi në tryezën e madhe ku merret vendimi.

Në të kundërt, dikush tjetër do ta marrë vendimin. E do jetë kundër nesh.