Op/Ed

“Mos e mbyllni derën e oborrit që kur të kthehen djemtë e mi, ta dinë se ne ishim duke i pritur”

Shkruan: Dr. Hatixhe Ahmedi

Ndërroi jetë nëna e dy martirëve të luftës së fundit të Kosovës

Hasibe Ismaili (15. 12. 1920 – 27. 11. 2019)

Sado që të zgjasë jeta e kësaj bote, vjen një ditë kur patjetër ne duhet të dorëzojmë shpirtin tonë tek Zoti, ashtu sikur që na ka mësuar vetë Zoti në Kuran: “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi!” (2:155)

Që të gjithë ne, kush me herët e kush më vonë, kush më shkurtë e kush më gjatë, një ditë do ta mbyllim ciklin tonë në këtë botë dhe do t’i nënshtrohemi ligjit të sipërthënë. Për dikë që ka mbyllë një shekull jetë, themi se atij i është dhënë një fat i madh dhe sikur harrojmë se a thua sa halle, sprova, sakrifica, flijime, telashe e mërzi, do të ketë përjetuar ai për gjithë atë shekull, siç qe jeta e Nënë Hasibe Ismailit, apo siç e quanim të gjithë ne nga dashuria Haxhinena….

Nuk kishte ngjarje, nuk kishte dert madje edhe emocione shumë trishtuese, sidomos ato të luftës së fundit të Kosovës e të mos i dinte dhe mbante në mend nënëmadhe Hasibeja. Por pavarësisht gjithë këtyre sprovave ajo pothuajse ishte e kurdisur ose thjesht e kishte falur Zoti vetëm të dhuronte dashuri, dhe të ishte falënderuese për të gjitha ato që kishte.

Kur plasi Lufta e Fundit Çlirimtare në Kosovë, Haxhinena së bashku me dy bijtë e saj, Nuhiun (15. 02. 1945) dhe Ismailin (24. 12. 1956), që më vonë me gjakun e tyre e ujitën tokën e shenjtë të Kosovës, – do të qëllonte në shtëpinë e saj në Fushë Kosovë. Aty së bashku do t’i kalonin ditët e vështira të luftës, herë me bukë e herë të uritur, herë me shumë frikë e herë të lodhur nga kjo frikë, duke e bërë një sy gjumë me veshët në krahë se a do t’i çelë sabahu apo jo.

Ajo nuk prante së theksuari se çdo ditë diskutohej se si grumbulloheshin burra nga shtëpitë shqiptare dhe dërgoheshin diku larg, kuptohet për t’u ekzekutuar, por që atëbotë nuk dihej ku i çonin, por një gjë dihej sigurt se ata nuk ktheheshin më të gjallë… disa prej tyre, para se të merreshin dhe të shkonin në pakshim, rriheshin e torturoheshin para familjarëve të tyre, e disa i vrisnin aty për aty. Ky ishte fati i zi i cili për çdo natë do të vizitonte shtëpi të ndryshme kudo nëpër Kosovë. Edhe në Fushë Kosovë kishte filluar një fushatë e tillë. Kishte netë me radhë që kishte filluar aksioni për marrjen e djemve të rinj dhe burrave nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Tani më ishte bërë po thuajse normale,- dhe kjo ishte më e pakta, – që para se të nxirreshin burrat nga shtëpitë e tyre, të plaçkiteshin shtëpitë po nga këta zullumqarë, shtëpisë, duke u marrë ashiqare sendet me vlerë, dhe në fund fare t’i jepej flaka, duke mbetur në gërmadha shtëpitë e bukura, të ndërtuara me djersë të ballit dhe me shumë mund nga shqiptarët e këtyre trevave. Një fat i njëjtë po e përcillte dhe Haxhianën me tre bijtë e saj.

Natyrisht, sikur çdo banorë tjetër i Kosovës, edhe këta po e prisnin me sy çelë xhelatin, por kuptohet gjithmonë me atë dozën e shpresës se do të përfundojë lufta dhe do të vate çdo gjë në vendin e vet. Ditët kalonin, e netët e gjata me zullum të okupatorit dhunues sa vinte e shtonin zullumin e tyre. Aksionet për boshatisjet e shtëpive dhe marrjen e burrave sa vinte e shtoheshin. Si pikësynim ishin pikat periferike duke e ngushtuar në këtë formë rrethin për t’ia mësyrë qendrave. Në fakt biri i saj i madh Mulla Nuhiu ishte imam në xhaminë e fshatit Miradi e Ulët dhe nuk pranonte që të lëshonte detyrën e tij që e kishte ushtruar tridhjetë e tri vite me radhë, thjesht nuk dëshironte të ndahej dhe ta linte xhematin e tij, edhe pse deri diku e vërteta që do të ngjante më vetëm se dihej.

Ndërsa Haxhi Nena për çdo natë i porosiste dy bijtë e saj që të flinin me rroba, në mënyre që kur të vinin shkijet (kështu u thoshte ajo zullumqarëve) të iknin më lehtë. Kjo mënyrë e fjetjes vazhdoi netë me radhë, përderisa një natë biri i saj më i vogël, Ismaili, ose siç ajo e quante Mala, iu drejtua dhe i tha që sonte do të vishte bixhamet, dëshironte një natë të flejë rahat pa rroba të ngushta që i vishte ditë me radhë. Mirë, i tha Haxhi Nena, vepro sikur që dëshiron ti…

Por, në agim, u dëgjua një krismë e madhe dhe dera e oborrit u hap krahë me krahë, kurse dhjetëra ushtarë të armikut u turrën drejtë shtëpisë së Haxhi Nenës për t’i marrë bijtë e saj dhe për ta plaçkitur atë, madje pa ua lënë mundësinë që as të visheshin… Haxhi Nenën e morën dhe i thanë që t’u tregonte se ku i kishin gjërat me vlerë. Nuk kemi – u tha Ajo. Por kjo nuk u mjaftoi atyre, ndaj dhe filluan të merrnin gjithçka që ju dukej me vlerë dhe që u dilte përpara, madje i morën edhe mobiljet dhe aparatet e teknikës së bardhë. E gjithë kjo bëhej, që në fund t’i futej zjarri edhe shtëpisë, siç edhe vërtetë ngjau me shtëpinë e Nënës Hasibe.

Pasi morën gjithçka deshën, para syve të saj, ia rrahën djemtë deri në alivanosje. “Kur i mshonin Malës, i kërciste më fort, sepse ishte i veshur vetëm me një palë pizhame të holla. Sa herë që ua mëshonin atyre mua më dilte zemra nga vendi” – e përsëriste sa e sa here që binte fjala për atë natë të kobshme plotë dhunë, frikë e tmerr…, një natë që s’kishte të sosur, një natë që edhe sot e kësaj dite nuk përfundon se nuk përfundon… Sepse zullumqarët, bishat, nuk e lanë me kaq; nuk u mjaftuan vetëm me rrahjen e djemve dhe plaçkitjen e shtëpisë, por djemtë i morën me vete, kurse shtëpinë e dogjën, ndërsa Nëna Hasibe ngeli pa asgjë në dorë, pa djemtë që nuk dihej se ku i kishin quar, pa bukë,e pa mbathje, pa shtëpi, mbeti fillikat nën qiellin e hapur për 10 ditë me radhë duke fjetur mbi ca kartonë dhe vetëm me ujë…

Sa herë q nisej që të largohej nga aty dhe të shkonte në ndonjë vend tjetër, kthehej prapa, këmbët nuk e dëgjonin, sepse shpresat e Nënës se mos po i ktheheshin dy djemtë e saj, nuk shuheshin kurrë dhe kur ata të ktheheshin do të bëheshin merak po mos ta gjenin Nënën e tyre aty…

Kështu dhe me këtë shpresë i priti njëzet vjet me radhë. Madje e porosiste djalin e saj, Beqirin, nipat dhe nusen që ta lënin derën hapur, se në rast se do të ktheheshin le ta dinë se ne po i prisnim Ata dy…
Gjithë kjo tragjedi, gjithë kjo humbje, gjithë ky tmerr, nuk kishte arritur që nënën Nënën Hasibe ta merrte me veti. Me gjithë këto heka të mëdha, Ajo asnjëherë nuk thoshte diçka që t’i mërziste të tjerët, apo të qante para tyre, ndonëse sytë e saj kurrë nuk u terën për njëzet vjet me radhë.

Dhe kur tregonte për tmerret e asaj nate, i përmblidhte me fjalët: “I morën, kush e din, nashta kthehen, dhe shyqyr Zotit që nuk qëlluat edhe ju djemtë tjerë, se edhe juve do t’ju kisha humbur”.

Me bindjen e fortë në caktimin e Zotit dhe në shpresën se një ditë dy djemtë e saj do të kthehen, Haxhinena apo Haxhi Hasibe Ismaili, i mbylli sytë nga kjo botë dhe kaloi në botën tjetër për t’i takuar djemtë e saj…


SHIKO VIDEON