Op/Ed

Moçal – VAR, kombinim fantastik nga edicioni i ardhshëm në Superligë

Shkruan: Ylber Kelmendi


Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga lufta, infrastruktura sportive vazhdon të mbes në gjendje shumë të rëndë. Ani pse aty-këtu janë bërë disa intervenime, sportistët tanë ende vazhdojnë t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre sportive në kushte jo fort të mira, ndonëse mund të thuhet se janë mësuar me to.

Megjithatë, një ish-lojtar i skuadrave të mëdha evropiane si Lazio dhe Galatasaray nuk vendosi të luajë në këto stadiume. Cavanda “mbeti pa frymë” kur nga afër i shikoi ambientet e klubit, Trepça 89.

Kontrata e majme që presidenti i kësaj skuadre, Abedin Zeka ia ofroj belgut, nuk mjaftoi ta bindë atë. Cavanda u shtang nga ajo çfarë pa kur erdhi në Mitrovicë dhe me mundësinë e parë iku nga Kosova. Kështu, Trepça 89 u penalizua shkaku infrastrukturës së tmerrshme. Zeka nuk arriti të realizojë transferimin më të madh në histori të futbollit kosovar.

Në këtë shtet nuk është veç skuadra e Trepça 89 ajo që ka një stadium i cili mezi i plotëson kushtet minimale për një ndeshje futbolli. Në po të njëjtën “derexhe” janë edhe shumë skuadra të tjera.

Stadiumet e Kosovës kanë infrastrukturën më të keqe në Evropë. Në disa prej tyre kanë nisur punimet tash e një dekadë por ende asgjë nuk është punuar. Raste konkrete i kemi stadiumet në qytetet si Ferizaji, Peja, e po ashtu edhe Gjilani e Gjakova, ku qe disa vite thuhet se po punohet, por në fakt nuk bëhet asgjë. Siç thotë populli – ‘lloçi deri në fyt’.

Por këto kushte nuk duket që po i pengojnë fort kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Madje ai ka premtuar që qysh nga edicioni i ardhshëm në Super Ligë do të futet edhe sistemi “VAR” (Video assistant referee).

Po pra, një sistem kaq i kushtueshëm dhe kaq i përparuar pritet të futet në stadiumet ku mungojnë banjot, zhveshtoret e madje edhe hapësirat për të bërë dush.

Do të vendoset sistemi “VAR”, në stadiumet ku një shi me ra fushat bëhen moçal nga lloçi!

I fundit që i duhet futbollit kosovar është “VAR-i”. Nuk instalohet ky sistem kaq i avancuar teknologjik aty ku kameramanët s’kanë ku pozicionohen. Nuk instalohet aty ku dhomat e stadiumeve duken si shtalla të bagëtive.

“VAR-i” instalohet vetëm atëherë kur stadiumet i plotësojnë së paku kushtet minimale. Moçal – VAR, kombinim i hatashëm nga sezoni i ardhshëm!


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?