Op/Ed

“Miti” zgjedhor

Shkruan: Flamur Shala

Mitin nuk e gjejmë në zgjedhje, e gjejmë në legjenda a gjëkundi si ato. Dihet, në proces zgjedhor ka personazhe që besojnë në zgjedhje si në legjenda e përralla. Ata besojnë në “mitin” zgjedhor.

Jo pak “personazhe zgjedhore” zgjedhjet i shohin vetëm dhe vetëm me rolin e vet “mitik”. I shohin si prej qilimit fluturues përrallor dhe veten e tyre mu në mes qilimi, si heroin mitik në legjenda.

Të mos i ngatërrojmë zgjedhjet me “përralla”, janë disa nga personazhet e të dyjave që ngjasojnë njëri me tjetrin.

Personazhet “mitike” zgjedhore janë rimarrje “historike”, rreth tyre mbështillet trimëria, lavdia e zhvillimi, drejtësia e përparimi.

Heronjtë mitik zakonisht identifikohen me forcën, fuqinë, sakrificën, fjalën e fitoren, jo rrallë me shumë zahmete e me shumë humbje.

Rimarrja e miteve (në letërsi!) tregon lidhjen e tyre me kohën dhe me aspirtatat e një shoqërie. Kështu, mitet janë shndërruar në metaforë të fuqishme të sakrificës e lavdisë.

Në procese zgjedhore, kur maten “autoritetet”, zënë vend jo pak personazhe që zbehin fuqinë metaforike të “miteve të rimarra”.

Sot, listat zgjedhore përmbajnë “Konstantina” e “Gjergj Elez Alia”, shpëtimtarë të “zanave të malit”, shpëtimtarë të mëdhenj të lirisë e të demokracisë.

“Miti” zgjedhor do të ekzistojë përherë!


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?